
Ministria e Mbrojtjes: Të pavërteta pretendimet për përdorimin e territorit shqiptar në operacionin me dronë
Ministria e Mbrojtjes ka përgënjeshtruar sot pretendimet e publikuara në disa platforma online se dronët detarë të përdorur në sulmin ndaj një luftanijeje ruse pranë brigjeve të Libisë janë nisur nga territori shqiptar.

Ministria e Mbrojtjes ka përgënjeshtruar sot pretendimet e publikuara në disa platforma online se dronët detarë të përdorur në sulmin ndaj një luftanijeje ruse pranë brigjeve të Libisë janë nisur nga territori shqiptar.
Sipas Ministrisë, platforma Clash Report, e ndjekur nga Visioner, ka përhapur pretendimin se dronët e përdorur për goditjen e anijes ruse janë nisur nga territori shqiptar, duke përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe.
“Ky pretendim nuk shoqërohet me asnjë provë të verifikueshme për vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Paraqitja e një informacioni të tillë si fakt, pa prova dhe pa verifikim të pavarur, krijon një narrativë dezinformuese që e lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë”, thekson MM.
Ministria e Mbrojtjes konfirmon se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë.
Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes mbështet qëndrimin zyrtar të MEPJ-së dhe e konsideron lidhjen e pabazuar të Shqipërisë me këtë operacion një informacion çorientues, që nuk duhet të riprodhohet si fakt i konfirmuar.
Në reagim theksohet se raportimet për sulmin ndaj anijes ruse duhet të dallohen nga pretendimet për origjinën e mjeteve të përdorura, pasi ekzistenca e një sulmi nuk përbën provë për përfshirjen e Shqipërisë.
“Përgjegjësia në raportimin e çështjeve të sigurisë kërkon dallimin e qartë mes fakteve të verifikuara dhe pretendimeve të pambështetura në prova”, thuhet në reagimin e MM-së.
Burimi ATSH


















