
Rama vizitë në Konsullatën e Nderit të Shqipërisë në Manastir, në 100-vjetorin e hapjes
Kryeministri Edi Rama, në vijim të vizitës së tij sot në Maqedoninë e Veriut, u ndal në Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë, në Manastir, e cila shënon 100-vjetorin e hapjes së saj.

Kryeministri Edi Rama, në vijim të vizitës së tij sot në Maqedoninë e Veriut, u ndal në Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë, në Manastir, e cila shënon 100-vjetorin e hapjes së saj.
Me këtë rast u bë edhe zbulimi i pllakës përkujtimore, ku përshëndeti Konsulli i Nderit të Republikës së Shqipërisë në Manastir Imer Selmani.
Selmani falënderoi Kryeministrin Rama për vizitën në Manastir, të cilin e cilësoi si një fole të Rilindjes Kombëtare, të Abetares dhe diplomacisë.
“Është një privilegj i veçantë që sot të shpalosim pllakën përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të Konventës Konsullore të vitit 1926 dhe të rikujtojmë se Manastiri zë një vend të veçantë në historinë tonë kombëtare, si qyteti i alfabetit shqip, i Rilindjes, i dijes dhe i diplomacisë. Me të gjitha këto atribute, Manastiri dhe shqiptarët e tij kanë kontribuar në formësimin e identitetit tonë kombëtar”, tha Selmani.
Konsulli i Nderit të Republikës së Shqipërisë në Manastir u shpreh se prania e Kryeministrit Rama në këtë ceremoni dëshmon respektin ndaj trashëgimisë historike dhe diplomatike mes dy vendeve.
“Si Konsull Nderi, e konsideroj këtë trashëgimi një përgjegjësi dhe një frymëzim për të vazhduar ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe të miqësisë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Selmani.
“Le të mbetet kjo pllakë një dëshmi e përhershme e historisë sonë dhe një mesazh për brezat që vijnë: të ruajmë, të nderojmë dhe të përcjellim me krenari trashëgiminë tonë”, përfundoi ai.
Burimi ATSH


















