
TIFF 2026 rikthen njeriun në qendër: HUMANOGRAPHY dhe pyetja se çfarë do të thotë të jesh njeri sot
Nga 21 deri më 27 shtator, Tirana International Film Festival rikthehet me edicionin e 24-t

Nga Luela Myftari
Nga 21 deri më 27 shtator, Tirana International Film Festival rikthehet me edicionin e 24-t, duke e vendosur kinemanë përballë një prej pyetjeve më të vjetra dhe njëkohësisht më të ndërlikuara të kohës sonë: çfarë do të thotë të jesh njeri sot?
Ndoshta është një nga ato pyetje që duket e panevojshme pikërisht sepse mendojmë se e dimë përgjigjen. Por në një kohë kur identiteti mund të reduktohet në një profil, marrëdhëniet njerëzore në një ekran dhe realiteti në atë që arrin të kapet nga një kamerë, pyetja rikthehet me një forcë të re.
Është pikërisht aty ku vendoset edhe ideja e edicionit të 24-t të Tirana International Film Festival. HUMANOGRAPHY – Bring it back nuk është thjesht një temë e festivalit, por një përpjekje për ta kthyer vëmendjen te njeriu dhe te ajo që ende na bën të përbashkët: ndjenja.
Dinjiteti, kujtesa, identiteti, dashuria, frika, dëshira, përkatësia dhe nevoja për t’u parë e për t’u kuptuar bëhen pjesë e një harte kinematografike që nuk kërkon domosdoshmërisht përgjigje. Përkundrazi, filmat e këtij edicioni duket se duan të na lënë përballë pyetjeve.
Sepse kinemaja ka gjithmonë një marrëdhënie të ndërlikuar me realitetin. Na premton se po shohim botën, ndërsa në të vërtetë na vendos përballë një këndvështrimi mbi të. Çfarë shohim? Çfarë nuk shohim? Dhe, mbi të gjitha, realitetin e kujt po shikojmë?
Nga humanizmi që dikur synonte të kapërcente klasat, fetë dhe kufijtë, deri te një shoqëri gjithnjë e më e fragmentuar, TIFF 2026 kërkon të rikthejë në qendër pikërisht atë që rrezikon të humbasë mes gjithë zhurmës së kohës: njeriun.
Në këtë kuptim, HUMANOGRAPHY është edhe një mënyrë për të lexuar programin e festivalit. Filmat shqiptarë dhe ndërkombëtarë që do të shfaqen gjatë javës së TIFF-it nuk vijnë vetëm për të treguar histori, por për të hapur territore të ndryshme të realitetit. Histori personale, konflikte, identitete, marrëdhënie dhe dilema që na bëjnë të pyesim edhe për veten.
Kinemaja, në këtë rast, nuk është vetëm një dritare nga e cila shohim të tjerët. Është edhe një pasqyrë. Dhe ndonjëherë ajo që shfaqet në të nuk është ajo që kemi pritur të shohim.
Për shtatë ditë, nga 21 deri më 27 shtator, Tirana do të bëhet sërish një hapësirë takimi për kinemanë shqiptare dhe ndërkombëtare. Krahas filmave, edicioni i 24-t do të sjellë masterclass-e, ekspozita, workshop-e, aktivitete të industrisë dhe programe të veçanta.
Kinema Millennium, Kino Piramida, Agimi Art Center, Vila 31 × Art Explora dhe Tunel Terrace do të jenë disa prej hapësirave ku publiku do të mund të ndjekë këtë udhëtim përmes imazhit.
Por ndoshta sfida më interesante e këtij edicioni nuk është thjesht të shohim sa larg mund të shkojë kinemaja për të treguar realitetin. Është të kuptojmë se sa larg kemi shkuar ne nga vetvetja.
Bring it back tingëllon kështu më shumë si një thirrje sesa si një slogan: kthejeni njeriun aty ku duhet të jetë. Në qendër.
Sepse përpara se të flasim për imazhin, teknologjinë, identitetet apo mënyrat e reja të të treguarit të një historie, mbetet ende pyetja më e thjeshtë dhe më e vështirë:
Çfarë do të thotë të jesh njeri sot?



















