
Ministria e Shëndetësisë: Të pavërteta lajmet për përdorimin e autoambulancave për transportin e gazit lotsjellës
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka përgënjeshtruar lajmet që qarkullojnë në rrjetet sociale, sipas të cilave autoambulancat po përdoren për furnizimin me gaz lotsjellës gjatë protestës në Tiranë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka përgënjeshtruar lajmet që qarkullojnë në rrjetet sociale, sipas të cilave autoambulancat po përdoren për furnizimin me gaz lotsjellës gjatë protestës në Tiranë.
Në një reagim zyrtar të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore (QKUM), përmes të cilit përgënjeshtrohet ky informacion, theksohet se autoambulancat dhe ekipet mjekësore ndodhen në terren vetëm për t’u ardhur në ndihmë personave që kanë nevojë për asistencë të menjëhershme mjekësore.
QKUM u bën thirrje qytetarëve dhe protestuesve të mos pengojnë qarkullimin e ambulancave dhe të shmangin aktet e dhunës ndaj mjeteve dhe personelit mjekësor.
Sipas njoftimit, pengimi i lëvizjes së autoambulancave dhe dhuna ndaj ekipeve mjekësore mund të vonojnë ndërhyrjen emergjente, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pacientëve që kanë nevojë për ndihmë, si dhe sigurinë e personelit shëndetësor.
QKUM ka publikuar gjithashtu listën e targave të 12 auto:ambulancave që ndodhen aktualisht në shërbim aktiv: AC 410 AC, AC 878 AC, AC 656 AC, AC 342 AC, AB 657 CF, AB 703 CF, AB 946 CF, AB 776 CF, AA 813 VU, AA 874 VU, AB 245 FV dhe AB 846 CF.
Në përfundim, institucioni u kujton qytetarëve se për çdo urgjencë mjekësore mund të telefonojnë pa pagesë në numrin 127.
Burimi ATSH


















