
BE mbështet 10 projekte për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri
Ka nisur zbatimi i 10 projekteve fituese të skemës së nëngrantimit të projektit “CulturAL” financuar nga Bashkimi Evropian, me synim mbrojtjen, promovimin dhe interpretimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Ka nisur zbatimi i 10 projekteve fituese të skemës së nëngrantimit të projektit “CulturAL” financuar nga Bashkimi Evropian, me synim mbrojtjen, promovimin dhe interpretimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë bëri të ditur se janë nënshkruar kontratat me 10 organizata të shoqërisë civile, të cilat do të zbatojnë iniciativa që synojnë përfshirjen e të rinjve dhe komuniteteve lokale në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore.
Çdo projekt do të mbështetet me një financim prej 6 mijë eurosh, duke kontribuar në dokumentimin, monitorimin dhe promovimin e pasurisë kulturore materiale dhe jomateriale të Shqipërisë.
Projektet fituese përfshijnë iniciativa të ndryshme, nga krijimi i arkivave të trashëgimisë gojore dhe dokumentimi i traditave lokale, deri te përdorimi i teknologjisë moderne për monitorimin dhe promovimin e monumenteve kulturore.
Organizatat përfituese janë “ANTIGONEA”, me projektin për dokumentimin e legjendave dhe baladave të zonës së Vjosës dhe krijimin e një arkivi të trashëgimisë gojore; “CEI”, për përfshirjen e komunitetit dhe të rinjve në monitorimin dhe përmirësimin e qeverisjes së Kalasë së Bashtovës; si dhe “INAC”, që do të angazhojë të rinjtë në mbrojtjen dhe monitorimin e Qendrës Historike të Elbasanit.
Në kuadër të kësaj skeme do të zbatohen gjithashtu projekte nga “KAZUS” për monitorimin e shtëpive monument të Korçës dhe krijimin e video-historive për to; “MEGAART” për dokumentimin e valleve tradicionale në Lezhë, Librazhd dhe Fier; “NATGA” për dokumentimin e monumenteve dhe trajnimin e guidave turistike.
Pjesë e projekteve janë edhe “NORTH GREEN ASSOCIATION”, që do të përdorë teknologji moderne për monitorimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore; “POEC”, për dokumentimin e trashëgimisë kulturore jomateriale të Dibrës dhe përgatitjen e dosjeve për Regjistrin Kombëtar; “SHARM”, përmes përdorimit të artit në angazhimin e të rinjve; si dhe “TRAKULT”, që do të krijojë profile digjitale për 30 monumente kulturore.
Përmes projektit CulturAL, Bashkimi Evropian vijon mbështetjen për forcimin e rolit të shoqërisë civile në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe përfshirjen e komuniteteve në mbrojtjen e vlerave kulturore të Shqipërisë.
Burimi ATSH



















