
Balkan Film Food Festival, festivali i përvitshëm në Pogradec
Edicioni i 16-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë vjen në Pogradec me ditë të mbushura me film, kulturë, shije dhe takime frymëzuese.

Edicioni i 16-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë vjen në Pogradec me ditë të mbushura me film, kulturë, shije dhe takime frymëzuese.
Projeksionet, bisedat me artistët dhe aktivitetet sa i përket kulinarisë, do të zhvillohen nga data 23-27 qershor. Programi i bërë publik nga organizatorët fton artdashësit t’i bashkohen këtij festivali për të kremtuar artin, traditat dhe diversitetin e Ballkanit në brigjet e mrekullueshme të Liqenit të Ohrit.
Sonte në ora 19:00, në kinemanë “Lasgush Poradeci”, do të shfaqet filmi “Maricel”. Filmi trajton temën e punësimit të një shtetaseje filipinase, e cila mbërrin në një fshat malor të Qipros për t’u kujdesur për një çift të moshuar. Ajo që nis si një detyrë e zakonshme shndërrohet gradualisht në një histori të mbushur me heshtje, varësi emocionale dhe të vërteta të pathëna. E vendosur mes detyrës dhe afërsisë njerëzore, Maricel përballet me kufijtë e brishtë që lidhin kujdesin, vetminë dhe nevojën për t’u ndjerë i dëgjuar.
Ndërkohë dita e nesërme i rezervohet filmave të metrazhit të shkurtër, të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës. Filmat do të shfaqen në mbrëmje, në sheshin qendror të Pogradecit.
Programi i këtij festivali përfshin edhe filma të metrazhit të gjatë, filma dokumentarë, filma të animuar e gjithashtu dhe filma të realizuar para viteve ’90, si “Komisari i dritës” nga Dhimitër Anagnosti dhe Viktor Gjika.
Burimi ATSH



















