Dita e Alfabetit!

118 vjet nga Kongresi i Manastirit – dita kur shqiptarët zgjodhën të shkruanin me një alfabet të përbashkët.


Nga Saimir Kadiu

DITA E ALFABETIT
22 NËNTOR 1908 – 22 NËNTOR 2026

118 vjet nga Kongresi i Manastirit – dita kur shqiptarët zgjodhën të shkruanin me një alfabet të përbashkët.

Atë ditë, shqiptarët nuk fituan një betejë me armë, nuk pushtuan një qytet dhe nuk nënshkruan një traktat politik. Ata bënë diçka shumë më të rëndësishme për të ardhmen e tyre: vendosën të shkruanin gjuhën e tyre me një alfabet të përbashkët.

Në Manastir, në një kohë kur Shqipëria ende nuk ishte shtet i pavarur, kur trojet shqiptare ishin nën sundimin osman dhe kur vetë përdorimi publik i gjuhës shqipe përballej me pengesa të shumta, u mblodhën përfaqësues të mendimit, kulturës dhe lëvizjes kombëtare shqiptare.

Kongresi u zhvillua nga 14 deri më 22 nëntor 1908. Morën pjesë 50 delegatë, 32 prej të cilëve kishin të drejtë vote, që përfaqësonin qytete, klube patriotike dhe shoqëri shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Ishte një kuvend i vërtetë kombëtar, ku u takuan intelektualë, klerikë, publicistë, mësues dhe veprimtarë të çështjes shqiptare.

Ajo që e bën edhe më të jashtëzakonshëm këtë kuvend është se pjesëmarrësit vinin nga besime të ndryshme, nga krahina të ndryshme dhe nga përvoja politike e kulturore të ndryshme. Por, përpara gjuhës dhe interesit kombëtar, këto dallime u bënë dytësore.

Shqiptarët kuptuan se mund të kishin bindje të ndryshme, por nuk mund të kishin disa alfabete për një gjuhë të vetme kombëtare.

☆ Njëmbëdhjetë burra që i dhanë gjuhës një drejtim të përbashkët

Në qendër të kësaj ngjarjeje historike qëndron Komisioni i Alfabetit, i përbërë nga njëmbëdhjetë anëtarë, me kryetar At Gjergj Fishtën.

Respekt dhe mirënjohje për këta njëmbëdhjetë burra:

☆ At Gjergj Fishta

☆ Mit’hat Frashëri

☆ Luigj Gurakuqi

☆ Gjergj Qiriazi

☆ Dom Ndre Mjeda

☆ Grigor Cilka

☆ Taqi (Dhimitër) Buda

☆ Shahin Kolonja

☆ Sotir Peci

☆ Bajo Topulli

☆Nyzhet Vrioni.

Secili prej tyre përfaqësonte një botë të veçantë intelektuale, një përvojë patriotike dhe një kontribut të çmuar në historinë e Rilindjes Kombëtare.

Gjergj Fishta, poeti i madh i epikës shqiptare, u zgjodh kryetar i Komisionit. Mit’hat Frashëri, publicist dhe mendimtar i shquar, ishte një nga figurat qendrore të organizimit të Kongresit. Luigj Gurakuqi, intelektual dhe veprimtar i arsimit kombëtar, ishte ndër zërat më të rëndësishëm të kësaj përpjekjeje. Ndre Mjeda sillte kulturën e një poeti dhe gjuhëtari të jashtëzakonshëm. Gjergj Qiriazi, veprimtar i arsimit dhe i lëvizjes kombëtare, kishte një rol të rëndësishëm në organizimin e kësaj ngjarjeje.

Pranë tyre qëndronin Shahin Kolonja, Sotir Peci, Bajo Topulli, Grigor Cilka, Taqi Buda dhe Nyzhet Vrioni, secili me veprimtarinë dhe kontributin e vet në çështjen shqiptare.

Ata nuk ishin thjesht hartues të një sistemi shkronjash. Ishin njerëz që kuptuan se alfabeti ishte një instrument i emancipimit kombëtar.

Në atë kohë, shqipja shkruhej me disa alfabete të ndryshme. Ndër më të rëndësishmit ishin alfabeti i Stambollit, alfabeti i shoqërisë letrare “Bashkimi” dhe ai i shoqërisë “Agimi”. Përdoreshin gjithashtu variante të tjera, të mbështetura në shkronja greke, arabe dhe sisteme të ndryshme shkrimi.

Çështja nuk ishte aspak e thjeshtë. Pas çdo alfabeti qëndronin tradita, bindje, përvoja kulturore dhe interesa të ndryshme.

Por madhështia e Kongresit qëndron pikërisht në faktin se këta njerëz nuk e kthyen dallimin në konflikt. Ata kërkuan kompromis.

Vendimi historik ishte të mbështeteshin alfabetet me bazë latine dhe të lejoheshin fillimisht dy variante, ai i Stambollit dhe alfabeti i ri i njësuar, i mbështetur në shkronjat latine. Me kalimin e viteve, ky i fundit u bë alfabeti i përbashkët që përdorim sot.

Kjo është një hollësi historike që meriton të kujtohet: Kongresi nuk e zgjidhi çështjen me një imponim të menjëhershëm, por me një marrëveshje kombëtare, e cila hapi rrugën drejt njësimit përfundimtar.

Dhe pikërisht këtu qëndron një nga mësimet më të mëdha të Manastirit: kur bëhet fjalë për interesin kombëtar, kompromisi nuk është dobësi.

Është qytetërim politik.

Alfabeti latin e afroi Shqipërinë me hapësirën kulturore evropiane, lehtësoi botimin e librave, zhvillimin e shkollave dhe komunikimin ndërmjet shqiptarëve, pavarësisht se ku jetonin.

Nuk ishte rastësi që vetëm katër vjet më vonë, më 28 nëntor 1912, Shqipëria shpalli Pavarësinë. Kongresi i Manastirit nuk ishte shkaku i vetëm i Pavarësisë, por ishte një nga gurët themelorë të vetëdijes kombëtare që e bëri atë të mundur.

Dhe këtu fillon një tjetër histori, shumë më pak krenare për ne.

Nuk po ndalem te “shpërblimi” që regjimi komunist u rezervoi disa prej korifejve të Kongresit të Alfabetit. Historia e tyre është një dëshmi e hidhur e mënyrës se si një diktaturë mund të sillet me ata që i kanë shërbyer kombit, por që nuk i përshtaten ideologjisë së saj.

At Gjergj Fishtën e lanë pa varr. Jo vetëm ia zhdukën eshtrat, por për gjysmë shekulli u përpoqën të varrosnin edhe veprën, emrin dhe kujtesën e tij. Sikur, duke heshtur poetin, të mund të fshinin edhe atë që ai kishte shkruar për Shqipërinë.

Mithat Frashërit, birit të Frashërllinjve dhe njërit prej mendjeve të mëdha të Rilindjes sonë, ia mohuan edhe në mërgim qetësinë që meritonte. Vdekja e tij në SHBA mbetet një kapitull i rëndë i historisë së mërgatës shqiptare, ndërsa eshtrat, pas shumë dekadash, u kthyen më në fund në atdheun që ai e kishte ëndërruar dhe për të cilin kishte punuar.

Dhe ironia vazhdon edhe sot: ndërsa Fishta dhe Mithat Frashëri kërkojnë ende vendin e merituar në kujtesën tonë kombëtare, ne vazhdojmë t’u thurim ditirambe vargjeve të një kalemxhiu të oborrit komunist, nje fare SH.M, i cili dikur tallej pikërisht me figura të tilla.

Duket se në Shqipëri, edhe pas kaq dekadash, kemi ende një problem me historinë: disa i nderojmë për atë që ishin, të tjerët i gjykojmë për atë që përfaqësonin, ndërsa disa i mbajmë në piedestal thjesht sepse kështu na e la trashëgim diktatura.

Sepse alfabetin e formuluan Fishta, Frasheri me shoke, por kujtesën, për fat të keq, për shumë kohë e shkroi pushteti.

Ndërtesa historike në Manastir, ku u zhvillua Kongresi i Alfabetit, nuk është thjesht një objekt arkitektonik. Ajo është një nga vendet më të shenjta të kujtesës sonë kombëtare. Është vendi ku njëmbëdhjetë burra, së bashku me delegatët e tjerë të Kongresit, kontribuuan në përcaktimin e së ardhmes së gjuhës shqipe.

Ajo ndërtesë duhet të jetë një pikë referimi për çdo shqiptar, një vend pelegrinazhi kulturor për nxënësit, studentët, mësuesit, studiuesit dhe të gjithë ata që duan të kuptojnë se si u ndërtua identiteti ynë kombëtar.

Është e vështirë të pajtohesh me kontrastin ndërmjet madhështisë historike të këtij vendi dhe mënyrës se si, sipas pamjeve dhe përshkrimeve që qarkullojnë, hapësirat e tij të përdorimit të përditshëm mund të shndërrohen në ambiente tregtare, ku shiten edhe pllaka.

Nuk është çështje armiqësie me askënd, as çështje etnie apo alfabeti. Është çështje dinjiteti historik dhe respekti për trashëgiminë kulturore.

Do të ishte një akt me rëndësi të veçantë që shteti shqiptar, në bashkëpunim me institucionet e Maqedonisë së Veriut, të siguronte një mbrojtje dhe administrim dinjitoz të të gjithë kompleksit historik, duke e kthyer atë në një qendër të mirëfilltë të kujtesës shqiptare.

Një ide e tillë nuk duhet të mbetet vetëm në fjalimet e 22 nëntorit.

Sa kushton kujtesa kombëtare?

Dhe këtu shtrohet një pyetje që nuk është aspak retorike:

A është vërtet e pamundur që Shqipëria të marrë përsipër një investim të tillë?

Për blerjen ose sigurimin e një statusi të qëndrueshëm pronësor dhe administrativ për këtë ndërtesë, edhe sikur të llogarisnim një çmim shumë të lartë për metër katror, do të duheshin burime që, në raport me shpenzimet e tjera publike, nuk duken të paarritshme.

Nëse mund të shpenzojmë miliona euro për segmente rrugësh, projekte infrastrukturore apo aktivitete të përmasave të mëdha, pse të mos gjejmë burimet për të mbrojtur një monument që lidhet drejtpërdrejt me ekzistencën tonë si komb?

Madje, përmasat e këtij investimi mund të krahasohen edhe me të ardhurat e një aktiviteti të madh sportiv, si nje e rendesishme nderkombetare në stadiumin Air Albania.

Natyrisht, krahasimi nuk është një preventiv financiar. Përpara çdo vendimi do të duhej një vlerësim i pavarur i pronës, verifikim i statusit juridik dhe një marrëveshje me autoritetet maqedonase.

Por thelbi i çështjes nuk ndryshon: nuk është pamundësi financiare. Është çështje vullneti, përparësish dhe, mbi të gjitha, e kuptimit që kemi për vlerat tona kombëtare.

Një komb nuk e mat madhështinë vetëm me stadiumet që ndërton, rrugët që inauguron apo kullat që ngre. E mat edhe me mënyrën se si kujdeset për vendet ku është shkruar historia e tij.

Është veçanërisht domethënëse se në atë Komision nuk kishte vetëm një traditë fetare, një krahinë apo një orientim kulturor. Kishte katolikë, ortodoksë, myslimanë dhe protestantë; gegë e toskë; intelektualë të formuar në Perëndim dhe atdhetarë të ardhur nga hapësira të ndryshme shqiptare.

Ata kishin kuptuar diçka që ne, edhe pas më shumë se një shekulli, duhet ta kujtojmë çdo ditë: shqiptarët janë një komb, ndërsa gjuha shqipe është një nga themelet më të fuqishme të bashkimit të tyre.

Disa prej këtyre personaliteteve u vlerësuan, të tjerë u dënuan me harresë, u anatemuan apo u lanë jashtë kujtesës zyrtare gjatë regjimit komunist. Veçanërisht figurat që nuk përputheshin me ideologjinë e kohës u trajtuan padrejtësisht. Por historia nuk mund të shkruhet sipas preferencave të regjimeve dhe as të kufizohet nga ideologjitë e përkohshme.

Fishta, Mjeda, Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Qiriazi dhe të gjithë të tjerët i përkasin historisë së përbashkët shqiptare.

Ata na drejtuan nga një horizont evropian jo sepse dëshironin të mohonin identitetin tonë, por sepse besonin se Shqipëria mund të ishte një vend i lirë, i arsimuar dhe i qytetëruar, duke ruajtur gjuhën dhe identitetin e vet.

Sot, 118 vjet më pas, detyrimi ynë nuk është vetëm t’i përkujtojmë me fjalime dhe ceremoni. Është të ruajmë trashëgiminë e tyre, të mbrojmë gjuhën shqipe, të investojmë në arsim dhe të mos lejojmë që kujtesa kombëtare të bëhet peng i indiferencës institucionale.

Një alfabet na bashkoi. Një gjuhë na identifikoi. Një histori na bëri komb.

Respekt i përjetshëm për njëmbëdhjetë burrat e Komisionit të Alfabetit dhe për të gjithë ata që kontribuuan në këtë vepër madhore të historisë sonë.

Gëzuar Ditën e Alfabetit!

Gëzuar 22 Nëntorin!

Dita e Alfabetit!

118 vjet nga Kongresi i Manastirit – dita kur shqiptarët zgjodhën të shkruanin me një alfabet të përbashkët.

Global 360

Arabia Saudite e para në botë për shërbimet qeveritare digjitale, përmbush objektivin e Vizionit 2030

Mbretëria renditet e para mes 194 vendeve dhe territoreve të vlerësuara nga OKB-ja për shërbimet qeveritare online dhe ngjitet në…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Liria e besimit nuk mbrohet vetë

Nga kujtesa e Hafiz Sabri Koçit te përgjegjësia për të ndërtuar institucione

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Dita e Alfabetit!

118 vjet nga Kongresi i Manastirit – dita kur shqiptarët zgjodhën të shkruanin me një alfabet të përbashkët.