
Rama: Më 9 Maj Tiranën t’ua rikthejmë qytetarëve
Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së për Tiranën, Rama shprehu bindjen se Tirana dhe Shqipëria fitojnë vetëm me Partinë Socialiste.

Kryeministri Edi Rama njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se dera e Europës është më e hapur dhe më pranë se kurrë dhe ne jemi këtu për të siguruar se ajo derë nuk do të mbyllet pa hyrë Shqipëria.
Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së për Tiranën, Rama shprehu bindjen se Tirana dhe Shqipëria fitojnë vetëm me Partinë Socialiste.
“Kështu që në 9 maj nuk kemi një palë zgjedhje të tjera për të fituar, po kemi kryeqytetin për t’ua rikthyer plotësisht qytetarëve të tij duke e rivënë në lëvizje të plotë të gjithë forcën tonë udhëheqëse”, u shpreh Rama.
Në 9 maj, në Ditën e Europës, Rama theksoi se është rasti të votojmë që flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit të valëvitet fitimtar, krah për krah me flamurin e Europës.
“Tirana dhe Shqipëria fitojnë vetëm me Partinë Socialiste. Dikur duhet të bindnim njerëzit se Tirana edhe mund të ndryshonte. Sot duhet t’i bindim se Tirana mund të bëhet aq e mirë sa qytetet më të mira të Europës. Dhe këtë nuk mund ta bëjmë vetëm duke u krenuar me ndryshimin historik që kemi sjellë. Por duhet ta bëjmë edhe duke treguar se ne e kuptojmë shumë mirë sa shumë janë rritur pritshmëritë e qytetarëve”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se sot, Shqipëria njësoj si Tirana nuk krahasohet me atë që ishte, por krahasohet me Europën ku kërkon të bëhet pjesë.
“Kjo është një fitore e madhe historike e ndryshimit që kemi udhëhequr, por është njëkohësisht edhe detyrimi ynë dhe sfida jonë më e jashtëzakonshme për të vazhduar të udhëheqim Shqipërinë. Prandaj kemi bërë shumë, por ajo që kemi bërë duhet të na vlejë më shumë për atë që duhet të bëjmë me një skuadër të angazhuar që ndien përgjegjësi ndaj njerëzve”, tha ai.
Në këtë drejtim, Rama tha se duhen organizata që marrin nisma, dëgjojnë, propozojnë, zgjidhin dhe nuk fshihen pas funksionit për t’u fshehur nga përgjegjësia.
“Kemi nevojë për sa më shumë njerëz që kuptojnë se besnikëria ndaj Partisë Socialiste provohet jo duke i fërkuar shpatullat njëri-tjetrit, por duke mos kthyer kurrë shpinën atyre që janë jashtë këtyre mureve. Kështu organizimi i Tiranës do të jetë shumë më tepër se përgatitje për një fitore tjetër elektorale. Duhet jetë rifillimi i një marrëdhënieje besimi në një nivel tjetër mbi të cilën pastaj do ta kemi jo shumë të vështirë të ndërtojmë Tiranën 2030 në Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama.
Burimi ATSH


















