
Peleshi pret delegacionin e Kongresit amerikan: Të fuqizojmë partneritetin strategjik Shqipëri-SHBA
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi priti sot delegacionin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga kongresmeni Vern Buchanan, kryetar i Komitetit për Partneritetin për Demokraci.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi priti sot delegacionin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga kongresmeni Vern Buchanan, kryetar i Komitetit për Partneritetin për Demokraci. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt.
Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, me vendin në fazën përfundimtare të procesit të negociatave për anëtarësimin në BE dhe me një rol gjithnjë e më aktiv në kuadër të NATO-s dhe sigurisë rajonale.
Në qendër të diskutimit ishte forcimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA, si dhe bashkëpunimi për përballimin e sfidave të sigurisë dhe ruajtjen e një rajoni të qëndrueshëm dhe të sigurt.
Kryetari Peleshi dhe delegacioni amerikan sollën në vëmendje edhe përshpejtimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së, duke vlerësuar rëndësinë e reformave dhe të forcimit të institucioneve demokratike si pjesë e këtij procesi.
Një tjetër fokus i takimit ishte zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe i marrëdhënieve të biznesit, me synim krijimin e më shumë hapësirave për investime dhe partneritete mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Në diskutim u vendos theks edhe te roli i Kuvendit dhe bashkëpunimi ndërparlamentar, si dhe te nevoja për dialog konstruktiv mes forcave politike dhe grupeve parlamentare për avancimin e reformave, rritjen e transparencës dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Takimi rikonfirmoi rëndësinë e partneritetit Shqipëri-SHBA si një marrëdhënie strategjike e rëndësishme për sigurinë, mbrojtjen e paqes, integrimin euroatlantik dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
Burimi ATSH



















