Patën e vramë ne!

“Fimi i mrekullueshëm i Sokol Kerajt më riktheu kujtimet”


Nga Helidon Haliti

PATËN E VRAMË NE!

Mamaja ishte mësuese në fshat, në Golem të Lushnjës.

Gjashtë kilometra në këmbë çdo ditë, tok me mësueset e tjera, aspak të dënuara si mamaja ime. Por nuk është ky thelbi. Thelbi është se ajo, në fund të vitit, më sillte gjela deti. Të ushqyer me ullinj e arra. Të mëdhenj, të fortë, krenarë. Gjela që gjithmonë fitonin.

Rreth tyre, ne të pangopurit me gjak, si populli i Romës. Gjelat në mes, gladiatorë.

Gjelat e mi fitonin deri më 30 dhjetor.

Pastaj vinte thika.

Gjyshi kishte qenë kasap. Babai nuk therte dot as një pulë. Kështu që ekzekutimin ia linim komshisë.

Përpara kësaj, gjeli jetonte një javë në banjën tonë. Aty hante, aty luanim, aty laheshim. Glasa kudo. Jashtëqitjet e tij i merrte vrima e zezë, tubi i banjës, i vetmi kontakt misterioz me komshinjtë sipër dhe ata poshtë, familje partizani!

Një herë gjeli hipi në dritare dhe fluturoi.

Ishte obez.

Theu krahë e këmbë.

Liria ka kosto!

Djemtë e lagjes kishin etje për gjak. Gjeli im u ther disa ditë më shpejt se të tjerët. Atë vit nuk pati 30 dhjetor.

Pikërisht në këtë banjë më ktheu filmi i mrekullueshëm i Sokol Kerajt.

Një film që nuk e pashë vetëm me sy.

Një film me gjashtë shqisa.

Kolla e thatë. Aroma e vajgurit. Acari. Lagështia. Fryma e ftohtë e Shqipërisë së para viteve ’90. Varfëria ekstreme. Mungesa e diellit. Heshtja e gjatë e njerëzve që nuk kishin shumë për të thënë, sepse jeta ua kishte thënë pothuajse të gjitha.

Vetëm 26 minuta.

Por 26 minuta mjaftuan të më kthenin te gjeli im.

Më kthyen te gjyshja, te babai, te shokët e lagjes dhe te ai perandori imagjinar që gjithmonë rrinte në distancë, me gishtin poshtë:

Dua gjak!

Dhe këtu, për mua, fillon vlera e vërtetë kinematografike e filmit.

Asgjë nuk përpiqej t’i vidhte filmit filmin.

As kamera.

As muzika.

As aktori.

As dialogu.

As skenografia.

Të gjithë ishin në shërbim të së tërës. Kamera nuk bërtiste: “Shikomëni sa e bukur jam!”. Aktori nuk dilte përpara personazhit. Muzika nuk na urdhëronte kur duhej të trishtoheshim. Regjia nuk demonstronte forcë, por kontroll. Dhe ky është një virtyt i rrallë: Sokol Keraj nuk e zbukuron kujtesën. E lë të ftohtë, të lagësht, të varfër dhe pikërisht për këtë, të vërtetë.

Dreqin, shkodranët dinë të bëjnë art!

Ky film më ktheu te banja ime. Te aroma mbytëse e vajgurit. Te një komshi i marrë që, kur kisha bajamet e qelbëzuara, më sugjeroi të bëja gargara me vajguri.

Marrëzi!

Por kujtesa nuk është gjithmonë elegante. Ajo ruan pikërisht gjërat që do të donim t’i kishim harruar: erën e rrobave të lagura, tubin e banjës, kollën, të ftohtin, një kafshë që pret fatin e vet, një fëmijë që ende nuk e kupton plotësisht vdekjen.

Dhe filmi i mirë pikërisht këtë bën: nuk të tregon vetëm historinë e tij, por hap me forcë historinë tënde.

Filmi shqiptar duhet të ndihet shqiptar.

Jo duke mbushur ekranin me simbole kombëtare, as duke i detyruar personazhet të na shpjegojnë Shqipërinë. Shqiptare është temperatura e dhomës. Shqiptare është lagështia e murit. Shqiptare është mënyra si heshtet. Shqiptare është varfëria që nuk ekspozohet si dekor. Shqiptare është një patë e bardhë mbi dëborë dhe fëmija që ecën pranë saj pa e ditur se pafajësia dhe therja mund të ecin në të njëjtën rrugë.

Ky film e kishte dritën e duhur.

Dialogët ishin 100% autentikë. Nuk kishin ngut. Kishin atë kohë të çuditshme që sot pothuajse e kemi harruar. Ecën ngadalë, aq ngadalë sa të mos rrëzohesh, të mos gjakosësh patën apo gjunjët dhe, për pasojë, të mos skuqësh dëborën e pastër.

Filmi kishte aq uri sa duhej.

Aq të ftohtë sa duhej.

Aq heshtje sa duhej.

Aq aromë sa të më kthente në një nostalgji të errësirës meditative.

Dhe kjo është ndoshta arritja më e bukur e tij: varfërinë nuk e kthen në spektakël dhe nostalgjinë nuk e sheqeros. Na kujton një Shqipëri që nuk ishte e bukur sepse ishte e varfër, por që sot, në distancë, bëhet e dhimbshme sepse ishte e jona.

Në fund dritat fiken.

Duartrokitjet kumbojnë.

Dhe ti kupton diçka paradoksale:

Shqipëria është më e bukur pa drita.

Në errësirë ajo ngjan me një kishë, ku qirinjtë nuk ndriçojnë gjithçka, por vetëm aq sa duhet për të krijuar intimitetin e domosdoshëm.

Dhe në atë gjysmëerrësirë, për 26 minuta, Sokol Keraj nuk më tregoi vetëm historinë e një fëmije dhe të një pate.

Më hapi derën e banjës sime të vjetër.

Dhe aty, pas kaq shumë vitesh, gjeli im ishte ende gjallë.

P.S. Më poshtë, në titrat e fundit, lexova emrat e protagonistëve dhe të gjithë atyre që qëndrojnë pas filmit. Aktorë të mrekullueshëm, kamera, Elsa Demo dhe gjithë ekipi realizues. Emra që nuk dua t’i ndaj nga filmi, sepse pikërisht kjo vepër funksionon si një organizëm i vetëm, ku askush nuk përpiqet të dalë mbi tjetrin. Secili ka vendin e vet dhe të gjithë së bashku ndërtojnë atë atmosferë të ftohtë, të heshtur dhe thellësisht njerëzore që më riktheu kaq fort në kujtesë.

Lexo më shumë nga

Gonxhja takim me homologen greke: Nis së shpejti restaurimi i banesës së Faik Konicës

Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja pas takimit dypalësh në bashkinë e Prespës…

Global 360

Presidentja Shiroka Pula nderon Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin

Presidentja Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Beretat jeshile zbarkojnë në Tiranë

Si sot 35 vjet më parë, më 1 tetor 1991, u rihap Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, një…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Gonxhja takim me homologen greke: Nis së shpejti restaurimi i banesës së Faik Konicës

Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja pas takimit dypalësh në bashkinë e Prespës…