
Rama ndan pamje nga “Marshi për liri” në Prishtinë: Liria ka emër
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga “Marshi për liri” që po zhvillohet në Prishtinë, duke shoqëruar publikimin me mesazhin “Liria ka emër”.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga “Marshi për liri” që po zhvillohet në Prishtinë, duke shoqëruar publikimin me mesazhin “Liria ka emër”.
Marshimi i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka emër”, zhvillohet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Marshi për liri” zhvillohet katër ditë para datës së caktuar për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Dhomat e Specializuara kanë caktuar 16 shtatorin për shpalljen e vendimit, pas përfundimit të fazës së gjykimit.
Në aktivitet marrin pjesë edhe përfaqësues të partive politike, veteranë të luftës së Kosovës dhe familjarë të katër ish-krerëve të UÇK-së. Në agjendë janë parashikuar fjalime nga kryetarët e PDK-së dhe AAK-së, Bedri Hamza dhe Ardian Gjini, si dhe përfaqësues të organizatës “Liria ka emër”, shoqatave të dala nga lufta dhe familjeve të dëshmorëve. Programi shoqërohet edhe me këngë patriotike.
Marshi zhvillohet në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit ka hyrë në fazën përfundimtare. Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat ata i kanë mohuar.
Marrë nga ATSH


















