BRICS dhe arkitektura e re e bashkëpunimit global

Samiti i 18-të i BRICS-it u zhvillua në Delhi, Indi, më 12 shtator, duke mbledhur së bashku liderët e vendeve në një periudhë ndryshimesh të thella në kuadrin politik dhe ekonomik global.


Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)

Samiti i 18-të i BRICS-it u zhvillua në Delhi, Indi, më 12 shtator, duke mbledhur së bashku liderët e vendeve në një periudhë ndryshimesh të thella në kuadrin politik dhe ekonomik global. Me qëndrueshmërinë, inovacionin, bashkëpunimin dhe zhvillimin në qendër të agjendës së këtij viti, samiti u zhvillua në një moment kur BRICS shënonte 20-vjetorin e tij. Gjatë dy dekadave të fundit, ai ka evoluar nga grupimi fillestar në një platformë më të gjerë, që përfaqësonte një Jug Global gjithnjë e më të larmishëm.

BRICS u formua fillimisht nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, ndërsa Afrika e Jugut iu bashkua më vonë. Sot grupi përfshin edhe Egjiptin, Etiopinë, Iranin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezinë, si dhe 10 vende të tjera partnere. Së bashku, grupi përfaqëson zërin e rreth gjysmës së njerëzimit, të rreth 40% të PBB-së globale dhe të një të katërtës së tregtisë botërore. Por, rëndësia e tij shkon përtej shifrave. Ai pasqyron një dëshirë në rritje të vendeve në zhvillim për të pasur një zë më të fuqishëm në çështjet ndërkombëtare dhe më shumë mundësi zgjedhjeje në partneritetet e tyre ekonomike dhe diplomatike.

Si organizatë që po merr gjithnjë e më shumë peshë në skenën ndërkombëtare, BRICS synon të promovojë një zë më të fuqishëm për Jugun Global dhe të ofrojë një alternativë, jo një zëvendësim, ndaj një rendi botëror që tradicionalisht është përqendruar rreth fuqive perëndimore.

Presidenti Xi në Samitin e 18-të të BRICS-it


Foto nga Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë në Samitin e 18-të të BRICS-it në Delhi, Indi, me ftesë të Kryeministrit Indian Narendra Modi. Në samit, Xi iu bashkua udhëheqësve të tjerë në hartimin e një kursi të ri për zhvillimin me cilësi të lartë të bashkëpunimit më të madh të BRICS, duke bashkuar forcën kolektive të Jugut Global dhe duke kontribuar në stabilitet dhe dinamikë pozitive në një botë që po kalon ndryshime të thella.

Në fjalimin e tij Xi e cilëson mekanizmin e BRICS-it si platformën më me ndikim në botë për bashkëpunimin mes tregjeve në zhvillim dhe vendeve të Jugut Global, duke theksuar vitalitetin e tij në 20-vjetorin e krijimit. Ky fjalim shënon manifestin e institucionalizimit të multipolarizmit.

Presidentit kinez i bëri thirrje vendeve anëtare të bëhen pioniere në katër fusha: zhvillim inovativ, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, mësimin e ndërsjellë mes qytetërimeve dhe reformimin e përsosjen e qeverisjes globale.

Ai tha se vendet e BRICS duhet të qëndrojnë në mënyrë të vendosur në anën e drejtë të historisë, të përpiqen të jenë pionierë të kohës, të drejtojnë rendin ndërkombëtar drejt drejtësisë dhe barazisë së duhur, dhe të punojnë së bashku për të ndërtuar një bashkësi me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.

Fjalimet e Xi Jinping janë gjithmonë të pasura me metafora të fuqishme e dinamike. Përdorimi i figurave si ‘pionierë të kohës’ dhe ‘ujërat e trazuara të historisë’ i jep ligjërimit të tij një ton serioziteti sovran. Gjithashtu, përsëritja e fjalës ‘pionier’ disa herë krijon qartë idenë se Kina bën thirrje jo vetëm për reflektim, por edhe për veprim.

Duke përmendur tërthorazi “mentalitetin e Luftës se Ftohtë” dhe proteksionizmin, diskursi i Xi sfidon supremacinë dhe rendin unipolar. Përfshirja e Inteligjencës Artificiale, hapësirës kibernetike dhe detit të thellë tregon se BRICS po zhvendos me mençuri frontin e ndikimit nga ekonomia klasike te teknologjia e së ardhmes.

Xi u bëri thirrje anëtarëve të BRICS të qëndrojnë të sinqertë dhe të hapur me njëri-tjetrin, të kërkojnë pika të përbashkëta duke respektuar dallimet dhe të respektojnë shqetësimet thelbësore të njëri-tjetrit.

Ai gjithashtu bëri thirrje që grupi të thellojë mirëkuptimin e ndërsjellë përmes komunikimit dhe dialogut, të trajtojë siç duhet dallimet dhe të sigurojë që bashkëpunimi i BRICS të vazhdojë të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme.

Praktikisht kjo është busulla diplomatike e Kinës për të mbajtur të bashkuar një grup që në thelb është shumë heterogjen. Vendet e BRICS-it janë të ndryshme për sa i përket sistemeve të tyre politike dhe ekonomike, si dhe interesave kombëtare, gjë që në disa raste mund ta bëjë më të vështirë arritjen e një konsensusi për çështje të caktuara. Por, mundësitë dhe potencialet e këtij organizimi janë shumë më të mëdha se sfidat dhe nga Kina kërkohet që këto mospërputhje të mos e prishin bllokun. Është një thirrje për pragmatizëm dhe menaxhim dallimesh.

Në fjalët e presidentit, udhëkryqi i sotëm historik nuk është një kërcënim, por një ftesë e hapur për të ritrajtuar fatin e njerëzimit. Ky diskurs mbart një mesazh të qartë: fuqia e vërtetë nuk qëndron te izolimi apo imponimi, por te aftësia për t’u bashkuar rreth ideve të mëdha. Ai na kujton se ndryshimet e mëdha globale lindin kur vendet guxojnë të besojnë te vetëmbështetja, inovacioni i përbashkët dhe respekti i ndërsjellë.

Bota po hyn në një epokë ku barazia nuk kërkohet më si lypje, po ndërtohet si realitet. E ardhmja i përket atyre që ndërtojnë ura mirëkuptimi, përqafojnë të ardhmen teknologjike dhe vendosin drejtësinë në qendër të zhvillimit njerëzor. Ky fjalim shënon manifestin e institucionalizimit të multipolarizmit.

BRICS në arritje dhe projekte reale


Foto nga VCG

Ndërsa BRICS mblidhet për samitin e tij të 18-të, peizazhi global ka ndryshuar shumë që nga samiti i parë në 2009, dhe ka ardhur koha që vendet në zhvillim të jenë aktorë dhe faktorë në vendimmarrje duke qenë se janë motorë të rritjes globale.

Tregtia ka qenë një fushë e madhe e transformimit. Tregtia brenda BRICS-it është zgjeruar ndjeshëm gjatë dy dekadave, duke reflektuar peshën ekonomike në rritje dhe ndërlidhjen e ekonomive pjesëmarrëse. Kina është bërë një forcë veçanërisht e rëndësishme në këtë proces, duke shërbyer si një partner i madh tregtar në të gjithë anëtarësinë e BRICS duke përbërë një pjesë të konsiderueshme të tregtisë brenda grupit.

Tregtia nuk mund të zgjerohet në mënyrë të qëndrueshme pa infrastrukturën fizike që lejon mallrat, burimet dhe njerëzit të lëvizin në mënyrë efikase. Investimet në porte, hekurudha, rrugë detare, rrjete logjistike dhe forma të tjera të lidhjes po bëhen një themel i rëndësishëm për një bashkëpunim më të gjerë ekonomik brenda organizatës.

Rëndësia në rritje e BRICS-it lidhet gjithashtu me çështjet e qëndrueshmërisë. Tensionet aktuale gjeopolitike, mosmarrëveshjet tarifore, sanksionet dhe ndërprerjet në zinxhirët globalë të furnizimit kanë nxjerrë në pah cenueshmërinë e vendeve që varen shumë nga burimet e përqendruara të tregtisë, financave, energjisë dhe burimeve strategjike. Ekonomitë e BRICS zotërojnë së bashku pjesë të konsiderueshme të burimeve globale, duke përfshirë naftën bruto, mallrat bujqësore, xeheroret dhe mineralet e tjera kritike. Kjo i jep grupit potencial të konsiderueshëm për të zhvilluar zinxhirë furnizimi më elastikë dhe për të forcuar bashkëpunimin në fushat ku ndërprerjet globale mund të kenë pasoja të menjëhershme ekonomike.

Por, BRICS është zgjeruar gjithashtu përtej financave dhe tregtisë, duke përfshirë shëndetin publik, bujqësinë, energjinë, ndryshimet klimatike, shkencën, inovacionin, arsimin dhe bashkëpunimin njerëzor. Iniciativa të tilla si kërkimi për vaksinat, rrjetet universitare dhe bashkëpunimi midis institucioneve shkencore, e bëjnë grupimin më të ndërlidhur dhe më funksional.

Në nivel institucional, BRICS po kërkon njëkohësisht të reformojë strukturat ekzistuese të qeverisjes globale dhe të ndërtojë mekanizma plotësues. Grupimi ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e Kombeve të Bashkuara, të drejtës ndërkombëtare, multilateralizmit dhe një sistemi ndërkombëtar më përfaqësues. Reforma e institucioneve të tilla si FMN-ja dhe Banka Botërore, duke përfshirë përfaqësim më të madh për vendet në zhvillim, mbetet një pjesë e rëndësishme e kësaj agjende.

Jugu Global në këtë kontekst dhe roli i Kinës


Foto nga VCG

Për një kohë të gjatë, termi “Jugu Global” lidhej me vendet që kishin nevojë për ndihmë nga kombet më të pasura. Sot, ky perceptim po ndryshon. Shumë vende të Jugut Global zotërojnë popullsi të mëdha, burime natyrore, tregje në rritje dhe rëndësi strategjike gjeografike. Disa prej tyre po shndërrohen në fuqi të mëdha ekonomike në vetvete.

BRICS ka kaluar tashmë nga një grupim i ekonomive në zhvillim në një platformë më të gjerë për bashkëpunim në pjesën më të madhe të Jugut Global. Evolucioni i tij pasqyron një përpjekje në rritje për të forcuar bashkëpunimin midis vendeve, duke krijuar alternativa më të mëdha ekonomike, financiare dhe institucionale brenda sistemit ndërkombëtar.

Zgjerimi i BRICS tregon gjithashtu se kërkesa për më shumë përfaqësim dhe për një sistem ndërkombëtar më shumëpalësh nuk është më një zë i kufizuar vetëm te disa vende. Organizata po përpiqet të krijojë më shumë hapësirë për bashkëpunim ekonomik, financiar dhe politik mes vendeve të Jugut Global dhe për të forcuar rolin e tyre në vendimmarrjen ndërkombëtare.

Kina, si një mbështetëse e vendosur dhe pjesëmarrëse aktive në BRICS, ka mbështetur vazhdimisht Frymën e BRICS për hapje, përfshirje dhe bashkëpunim të favorshëm, duke punuar me partnerët e saj për të shndërruar aspiratat e përbashkëta në bashkëpunim praktik dhe për të çuar përpara zhvillimin e përbashkët.

Kina ka nisur iniciativa për të zgjeruar bashkëpunimin e BRICS në fusha që përfshijnë ekonominë digjitale, industritë e gjelbra dhe energjinë e pastër. Ajo gjithashtu ka propozuar programe të reja në inteligjencën artificiale dhe arsim.

Megjithatë, qëndrueshmëria nuk mund të kufizohet vetëm në sigurimin e furnizimeve. Ajo gjithashtu kërkon kapacitet prodhues, zhvillim teknologjik dhe aftësinë për të lëvizur përtej nxjerrjes dhe eksportit të thjeshtë të lëndëve të para. Për vendet në zhvillim, bashkëpunimi mund të bëhet më kuptimplotë kur mbështet përpunimin lokal, prodhimin, transferimin e teknologjisë, kërkimin e përbashkët dhe zhvillimin e aftësive teknologjike vendase.

Këtu roli i Kinës në bashkëpunimin Jug-Jug bëhet veçanërisht i rëndësishëm. Angazhimi i Pekinit kombinon gjithnjë e më shumë tregtinë, investimet, ndërtimin e kapaciteteve industriale dhe zhvillimin e infrastrukturës. Marrëdhëniet e saj ekonomike në zgjerim me vendet në Afrikë, Amerikën Latine dhe Azi ofrojnë tregje për mallra, duke krijuar gjithashtu mundësi për investime dhe aktivitete prodhuese.

Së fundmi, si çdo organizatë që kalon nga faza e zgjerimit drejt rritjes dhe maturimit institucional, edhe BRICS ka përpara një proces që kërkon kohë, vullnet politik dhe, mbi të gjitha, aftësi për të gjetur kompromisin mes interesave dhe realiteteve të ndryshme që e përbëjnë. Në këtë proces, BRICS po lëviz gradualisht drejt një strukture më të konsoliduar dhe një zëri më të koordinuar në skenën ndërkombëtare. Ambicia nuk është vetëm të përfaqësojë një peshë të re ekonomike dhe politike, por të shndërrohet në një aktor strategjik me qasje globale.

Në këtë kuptim, BRICS përfaqëson një nga zhvillimet më domethënëse të transformimit të rendit ndërkombëtar. Ai bashkon vende që për një kohë të gjatë janë parë nga qendra e sistemit si periferi të tij, por që sot nuk pranojnë më të mbeten vetëm në rolin e vëzhguesit të historisë. Ajo që po merr formë përmes BRICS nuk duhet parë domosdoshmërisht si një alternativë ndaj institucioneve të Perëndimit, por si shfaqja e një hapësire të re politike dhe ekonomike, ku kërkohet një përfaqësim më i gjerë i realiteteve të botës së sotme.

Burimi CGTN

Patën e vramë ne!

"Fimi i mrekullueshëm i Sokol Kerajt më riktheu kujtimet"

Global 360

Haxhiu: “Marshi për liri” nderoi sakrificën e UÇK-së dhe Republikën e Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka falënderuar organizatorët e “Marshit për liri”, i cili u mbajt…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kazakistani votoi për Kurultain: një arkitekturë e re politike merr mandatin e saj të parë

Zgjedhjet e 23 gushtit për Kurultain përbëjnë një moment themelor në institucionalizimin e rendit të ri kushtetues të Kazakistanit.

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Patën e vramë ne!

"Fimi i mrekullueshëm i Sokol Kerajt më riktheu kujtimet"