
Rama: Çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe koston e saj
Kryeministri Edi Rama deklaroi se me të ashtuquajturin “Ligjin e pasqyrës” do të përcaktohet përgjegjësia për çdo vonesë në përmbushjen e afateve administrative, duke theksuar se përgjegjësi duhet të mbajë edhe koston e shkeljes.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se me të ashtuquajturin “Ligjin e pasqyrës” do të përcaktohet përgjegjësia për çdo vonesë në përmbushjen e afateve administrative, duke theksuar se përgjegjësi duhet të mbajë edhe koston e shkeljes.
“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me “Ligjin e pasqyrës”, në të cilin ne do të përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, tha Rama, në një takim me drejtuesit e administratës.
Kryeministri u ndal edhe te çështjet që kanë pengesa ligjore, duke kërkuar që ato të ndahen në kategori të ndryshme, në mënyrë që vendimmarrësit të përcaktojnë se cilat pengesa duhet të zgjidhen dhe cilat duhet të mbeten në fuqi.
Sipas tij, qytetarëve duhet t’u jepet një përgjigje e qartë për çështjet që ngrenë dhe jo të mbahen në një situatë paqartësie.
“Edhe po, edhe jo, as mish as peshk, as këtej, as andej quhet torturë, nuk quhet përgjigje”, u shpreh Rama.
Ai kërkoi gjithashtu që zëvendësministrat ta kenë si prioritet të përditshëm ndjekjen e përgjigjeve që u jepen qytetarëve dhe institucioneve.
“Duhet ta nisin ditën me sa përgjigje u dhanë dje, sa përgjigje duhen dhënë sot dhe sa përgjigje nuk u dhanë në kohë dhe duhet të merren pastaj me ato përgjigje që nuk u dhanë në kohë. Pse nuk u dhanë?”, tha Rama.
Burimi ATSH


















