
Sejko–Sentenac, forcim i bashkëpunimit ekonomik dhe financiar mes Shqipërisë dhe Francës
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, Pierre Sentenac, drejtuesin e ri të Departamentit Ekonomik Rajonal të Ambasadës së Francës.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, Pierre Sentenac, drejtuesin e ri të Departamentit Ekonomik Rajonal të Ambasadës së Francës.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Shqipërisë dhe Francës, duke e cilësuar Francën si një partner të rëndësishëm evropian të Shqipërisë. Ai i uroi z. Sentenac suksese në detyrën e tij të re dhe shprehu gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet franceze.
Guvernatori Sejko prezantoi një panoramë të zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, duke theksuar se ekonomia shqiptare vijon të shfaqë një ecuri pozitive dhe se treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar mbeten të qëndrueshëm. Në këtë kuadër, ai u ndal edhe në rolin e politikave të Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar.
Pierre Sentenac përgëzoi Bankën e Shqipërisë për punën e bërë në ruajtje të stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit, si dhe për kontributin në forcimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë shqiptare. Ai vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria gjatë viteve të fundit, duke e konsideruar këtë një arritje të rëndësishme në rrugën drejt integrimit evropian të vendit.
Bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu në zhvillimet e sektorit të turizmit si një nga nxitësit e rëndësishëm të rritjes ekonomike. Në këtë drejtim, u vlerësua edhe kontributi i sektorit bankar përmes rritjes së financimit dhe mbështetjes së aktiviteteve të lidhura me turizmin, si dhe rëndësia e një zhvillimi të qëndrueshëm të këtij sektori.
Në takim u diskutua edhe mbi perspektivat e ekonomisë shqiptare në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe mbi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit institucional.
Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe Pierre Sentenac rikonfirmuan vullnetin e përbashkët për të vijuar dhe thelluar bashkëpunimin ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve franceze, veçanërisht në çështje me interes të përbashkët në fushën ekonomike dhe financiare.
Burimi ATSH

















