
Salla në Kavajë: Me dakordësinë e Brukselit eksportojmë vezën e kategorisë A
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vizitoi sot fermën “Veza Savio” në Kavajë, ku u njoh nga afër me aktivitetin dhe investimet e realizuara në këtë sipërmarrje moderne të shpendarisë.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vizitoi sot fermën “Veza Savio” në Kavajë, ku u njoh nga afër me aktivitetin dhe investimet e realizuara në këtë sipërmarrje moderne të shpendarisë.
Gjatë vizitës, ministri takoi themeluesit e fermës, Sandrin dhe Violën, dy mjekë veterinerë që ngritën biznesin në vitin 2018.
Ata prezantuan teknologjinë bashkëkohore që përdoret në fermë, duke theksuar se investimet janë orientuar drejt përmbushjes së standardeve të Bashkimit Europian.
Ministri Salla vlerësoi nivelin e investimeve dhe përkushtimin e sipërmarrësve, ndërsa nënvizoi se sektori i shpendarisë po hyn në fazë të re zhvillimi.
“Ne jemi drejt Europës dhe më vjen mirë që keni investuar sipas standardeve europiane. Me dakordësinë e Brukselit, sot kemi mundësinë të eksportojmë vezën e kategorisë A, çka përbën lajm shumë të mirë për të gjitha pularitë dhe bizneset e këtij sektori. Ky është një hap i rëndësishëm që vjen paralelisht me procesin e integrimit dhe bashkëpunimin në kuadër të kapitujve të negociatave”, u shpreh ai.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka miratuar paketën e re të investimeve pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), duke u krijuar mundësi fermerëve dhe bizneseve të aplikojnë për mbështetje financiare në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe përmirësimit të standardeve.
E nisur me një kapacitet fillestar prej rreth 12000 krerë shpendë, sipërmarrja është zhvilluar falë vizionit profesional dhe përkushtimit të tyre, duke arritur sot në rreth 40,000 krerë dhe duke u kthyer në një nga modelet më të avancuara në prodhimin e vezëve në vend.
“Veza Savio” është një shembull konkret i zhvillimit të sektorit sipas standardeve të Bashkimit Europian, ku cilësia, siguria ushqimore dhe mirëqenia e kafshëve janë në qendër të prodhimit
“Veza Savio është një fermë me cikël të mbyllur prodhimi, që garanton kontroll të plotë të çdo hallke dhe produkte cilësore për konsumatorin, duke u kthyer në një model të avancuar për zhvillimin e shpendarisë në vend.
Burimi ATSH


















