
Hoxha pret studentë të Akademisë Diplomatike të Vjenës: Diskutuam mbi rrugëtimin evropian të Shqipërisë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi sot një takim në MEPJ me studentë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, duke e konsideruar këtë shkëmbim frymëzues dhe tejet të vlefshëm.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi sot një takim në MEPJ me studentë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, duke e konsideruar këtë shkëmbim frymëzues dhe tejet të vlefshëm.

Në një postim në platformën X, ministri theksoi se Akademia e Vjenës është një institucion me traditë të spikatur në përgatitjen e brezave të diplomatëve për t’u përballur me kompleksitetet e marrëdhënieve ndërkombëtare, një profesion që po riformësohet nga zhvillimet gjeopolitike, transformimet teknologjike dhe ndërlidhja mes sigurisë, ekonomisë dhe politikës.
“Diskutuam veçanërisht mbi rrugëtimin evropian të Shqipërisë – nga reformat tek negociatat, nga angazhimet tek rezultatet konkrete, si dhe mbi përgjegjësinë tonë të përbashkët për të çuar përpara të ardhmen evropiane të vendit”, tha Hoxha, duke shtuar se Akademia ka kontribuar ndër vite në formimin e disa prej anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Shqipërisë, një lidhje e qëndrueshme dhe e çmuar që vazhdon të forcohet.
Ministri vuri në dukje rëndësinë e brezit të ri të diplomatëve, duke theksuar se, “është inkurajuese të shohësh një brez të ri diplomatësh kaq të përgatitur dhe të motivuar, që po formësojnë Evropën e së nesërmes, Evropën tonë”.
Burimi ATSH



















