
VanHorn takime me ministrat e rinj: Punojmë me partnerë në të gjitha ministritë
E ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi gjatë javëve të fundit takime me ministrat e emëruar së fundmi në detyrë.

E ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi gjatë javëve të fundit takime me ministrat e emëruar së fundmi në detyrë.
Ambasada e ShBA-ve njoftoi se VanHorn u takua me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi, ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, si dhe ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili.
E Ngarkuara me Punë e ShBA-ve, ritheksoi përkushtimin e ambasadës amerikane në zbatimin e agjendës së Shtëpisë së Bardhë të Trump, teksa u ndal në rëndësinë e eliminimit të plotë të karteleve të krimit të organizuar, bindjen e aleatëve të NATO-s për të respektuar angazhimin e tyre të Hagës për shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe marrëveshje të drejta për kompanitë amerikane që bëjnë biznes në Shqipëri.
VanHorn theksoi se “ne vazhdojmë të punojmë me partnerë në të gjitha ministritë dhe institucionet që ndajnë angazhimin tonë për dhënien e rezultateve si për amerikanët, ashtu edhe për shqiptarët”.
Marrë nga ATSH



















