Spahiu: Gratë në vendimmarrje, kontribut në ndërtimin e politikave më gjithëpërfshirëse
Një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë, i kryesuar nga Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, mori pjesë në konferencën “Gratë, Lidership dhe Dialog: Ura midis Dijes, Kulturave dhe Shoqërisë”, e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, nën kujdesin e Senatit të Republikës së Italisë.

Konferenca u hap me përshëndetjet institucionale të ambasadores së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj, si dhe të prefektit të Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, kardinalit George Jacob Koovakad.
Në panel morën pjesë edhe zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-Kryetare e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Marinela Prifti.
Në fjalën e saj, Spahiu theksoi se gratë janë jo vetëm protagoniste të ndryshimit social, por edhe ndërtuese të urave mes brezave, dijes, politikës, kulturës dhe shoqërisë.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rolit të grave në institucione, duke theksuar se lidershipi femëror kontribuon në afrimin e institucioneve me shoqërinë dhe në ndërtimin e politikave më gjithëpërfshirëse.
Gjatë konferencës, folës nga fusha të ndryshme trajtuan tema që lidhen me rolin e grave në zhvillimin e shoqërisë, kontributin në shkencë, teknologji, shëndetësi dhe ndërtimin e dialogut ndërkulturor.
Diskutimet theksuan rëndësinë e lidershipit femëror në përballimin e sfidave globale dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes kulturave dhe besimeve.
Burimi ATSH