
“Ekipet Sportive në Shkolla”, Rama: 608 ekipe në garë për kupën e finales
Kampionati i ndeshjeve për edicionin IV të projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”, një nismë që synon nxitjen e aktivitetit fizik dhe promovimin e sportit në sistemin arsimor parauniversitar, ka nisur tashmë zyrtarisht.

Kampionati i ndeshjeve për edicionin IV të projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”, një nismë që synon nxitjen e aktivitetit fizik dhe promovimin e sportit në sistemin arsimor parauniversitar, ka nisur tashmë zyrtarisht.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga ky kampionat që këtë vit ka përfshirë 608 ekipe nga shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet në mbarë vendin.
“Me energjinë e nxënësve pjesëmarrës në Edicionin e 4 të “Ekipeve Sportive në Shkolla”, ku kanë nisur përballjet në volejboll dhe basketboll në kuadër të programit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, që këtë vit ka përfshirë 608 ekipe nga shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet në mbarë vendin në garë për kupën e finales”, u shpreh Rama.
Në total, në këtë edicion marrin pjesë 608 ekipe nga e gjithë vendi. Në ciklin 9-vjeçar, në basketboll garojnë 158 ekipe, prej të cilave 78 ekipe vajzash dhe 80 ekipe djemsh. Në volejboll për të njëjtin cikël janë 226 ekipe, me 114 ekipe vajzash dhe 112 ekipe djemsh.
Në nivelin e shkollave të mesme, në basketboll marrin pjesë 73 ekipe, nga të cilat 36 ekipe vajzash dhe 37 ekipe djemsh. Ndërsa në volejboll garojnë 151 ekipe, përkatësisht 77 ekipe vajzash dhe 74 ekipe djemsh.
Projekti synon të forcojë kulturën sportive në shkolla, të promovojë barazinë gjinore në sport dhe të shërbejë si një bazë për evidentimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinat përkatëse.
Marrë nga ATSH



















