
Balla: Kompetencat e komisioneve parlamentare nuk preken nga ndryshimet
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi sot se ndryshimet e propozuara në rregulloren e Parlamentit nuk prekin kompetencat e komisioneve parlamentare.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi sot se ndryshimet e propozuara në rregulloren e Parlamentit nuk prekin kompetencat e komisioneve parlamentare.
Në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit, Balla iu përgjigj debatit që është krijuar rreth kësaj çështjeje.
Sipas tij, “ndryshimet janë menduar prej kohësh dhe synojnë përmirësimin e funksionimit të Kuvendit”.
Ndërkohë, Balla theksoi se “struktura dhe roli i komisioneve përgjegjëse mbeten të pandryshuara”.
Raportimet dhe shqyrtimi i çështjeve nga institucionet e pavarura, sipas Ballës do të vazhdojnë të bëhen në komisionet përgjegjëse tradicionale, si komisioni i Çështjeve Ligjore, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave dhe komisioni për të Drejtat e Njeriut.
Ai sqaroi se propozimet nuk i heqin këtyre komisioneve asnjë kompetencë, por parashikojnë që, në rastet kur në seancë plenare diskutohen rezoluta apo rekomandime që lidhen me raportimet e institucioneve, ato mund të shqyrtohen edhe në komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
“Gjithçka që ndodh në komisionet përgjegjëse do të vazhdojë njësoj si deri tani, pa u prekur fare”, u shpreh Balla, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për një shtesë në procesin e shqyrtimit parlamentar dhe jo për zëvendësim të rolit të komisioneve ekzistuese.
Balla shtoi se këto ndryshime synojnë të rrisin efikasitetin e kontrollit parlamentar dhe të përmirësojnë mënyrën e monitorimit të institucioneve nga Kuvendi.
Burimi ATSH


















