
Gonxhja: “Albania All Senses”, portë digjitale për promovimin turistik në ITB Berlin
Shqipëria po prezanton bukuritë, kulturën dhe potencialin e saj turistik në një nga panairet më të mëdha të turizmit në botë, ITB Berlin.

Shqipëria po prezanton bukuritë, kulturën dhe potencialin e saj turistik në një nga panairet më të mëdha të turizmit në botë, ITB Berlin.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja solli sot në vëmendje një tjetër risi inovative që po përdoret për të promovuar Shqipërinë në këtë panair.
Sipas ministrit, rrjeti WiFi “Albania All Senses” është kthyer në një portë të menjëhershme digjitale për të gjithë vizitorët në ITB Berlin.
“Me t’u lidhur me rrjetin, shkarkohet broshura digjitale e ofertës turistike të Shqipërisë dhe publiku orientohet automatikisht drejt stendës sonë duke u përfshirë menjëherë në përvojën e destinacionit”, tha ministri Gonxhja.
Ky koncept inovativ, sipas tij, “shndërron një shërbim të thjeshtë interneti në një pikë kontakti që prezanton Shqipërinë në mënyrë interaktive”.
“Kjo e bën prezencën tonë edhe më të dukshme, dhe më të aksesueshme për vizitorët e shumtë ndërkombëtarë”, tha Gonxhja.
Në ditën e parë të panairit ITB Berlin është shprehur një interes i madh për destinacionet shqiptare, ndërsa janë vendosur kontakte mes turoperatorëve për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e turizmit.
/Burimi ATSH


















