
FSHF dhe Posta Shqiptare promovojnë pullat postare “Shqipëria në Euro” dhe “Kampionati Europian i Futbollit”
Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) u zhvillua sot ceremonia e promovimit të pullave postare “Shqipëria në Euro” dhe “Kampionati Europian i Futbollit”, një iniciativë e përbashkët me Postën Shqiptare, që synon të nxjerrë në pah vlerat e filatelisë shqiptare dhe simbolikën e saj kulturore dhe sportive.

Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) u zhvillua sot ceremonia e promovimit të pullave postare “Shqipëria në Euro” dhe “Kampionati Europian i Futbollit”, një iniciativë e përbashkët me Postën Shqiptare, që synon të nxjerrë në pah vlerat e filatelisë shqiptare dhe simbolikën e saj kulturore dhe sportive.
Në aktivitet morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, Shefi i Kabinetit të Postës, Artemon Cukalla, përfaqësues të Departamentit të Administrimit të Postës, përfaqësues të marketingut dhe filatelisë, si dhe anëtarë të Komisionit të Pullës. Ceremonia u shënua nga firmosja simbolike e një “Cartmaximum” nga një fëmijë, i cili shkroi një mesazh dedikuar futbollistit të Kombëtares, Nedim Bajrami, si shenjë frymëzimi dhe krenarie për arritjet e ekipit kombëtar.
Gjatë fjalës së tij, Ilir Shulku vlerësoi bashkëpunimin me Postën Shqiptare. “Jam i lumtur që promovojmë një iniciativë që bashkon sportin me kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Pullat postare janë më shumë se mjete komunikimi; ato janë simbole përfaqësimi dhe ambasadorë të një kombi. Përmes pullave ‘Shqipëria në Euro’ dhe ‘Kampionati Europian i Futbollit’, vulosim simbolikisht një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë sportive”, tha ai.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Postës Shqiptare, Elion Semanaj, theksoi se, “Posta Shqiptare është krenare të marrë pjesë në këtë nismë që promovon sportin dhe identitetin kombëtar. Pullat postare transmetojnë historinë, vlerat dhe krenarinë që përfaqëson futbolli për vendin tonë”.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi është hapur edhe një mini-ekspozitë filatelike, e cila do të qëndrojë e hapur nga 26 shkurt deri më 3 mars 2026. Ekspozita përfshin seksionin historik të pullave sportive shqiptare, bocetet e reja dhe historike, panelin special “Kuq e Zi – Simboli që udhëton në Europë” dhe koleksione të filatelistëve me dimension edukativ.
Ky aktivitet nënvizon rëndësinë e pullës postare si simbol kombëtar, ndërthurjen e sportit me diplomacinë kulturore dhe bashkëpunimin ndërinstitucional mes FSHF dhe Postës Shqiptare.
Burimi ATSH



















