
Spiropali takim me Kurtin: Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, hapi i radhës i bashkëpunimit
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës në Prishtinë, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës në Prishtinë, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Spiropali e cilësoi takimin si të hapur dhe përmbajtësor, ndërsa përgëzoi Kurtin për rezultatin zgjedhor dhe konstituimin e institucioneve të reja.
Ajo theksoi se, në një kohë kur rajoni dhe Europa përballen me pasiguri, fakti që Kosova formoi në kohë Kuvendin dhe Qeverinë është shenjë stabiliteti dhe maturie institucionale.
“Stabiliteti nuk është luks. Është kusht për vendimmarrje të qartë – në proceset e brendshme, në dialog dhe në rrugën e integrimit”, u shpreh ministrja.
Ministrja theksoi se, në planin dypalësh u diskutua për projekte me karakter transformues, përfshirë hekurudhën “kuq e zi” dhe zhvillimin e korridoreve energjetike, si dhe thellimin e bashkëpunimit në arsim, kulturë, siguri, diplomaci dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Spiropali bëri të ditur se mbledhja e përbashkët e qeverive Rama–Kurti, me projekte konkrete, afate dhe përgjegjësi të qarta, do të jetë hapi i radhës në funksion të avancimit të bashkëpunimit.
Ajo riafirmoi se, Shqipëria do të qëndrojë përkrah Kosovës jo vetëm me solidaritet, por me angazhim të përditshëm dhe vizion afatgjatë, duke theksuar se zëri i përbashkët forcon pozicionin e dy vendeve në arenën rajonale dhe ndërkombëtare.
Burimi ATSH


















