
Gonxhja: Angazhim i përbashkët me MUSIAD Albania për të rritur flukset turistike
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë sot në aktivitetin e MUSIAD Albania “Shqipëria Turistike, destinacion 12-mujor”, një platformë e rëndësishme për promovimin e potencialit turistik të vendit tonë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë sot në aktivitetin e MUSIAD Albania “Shqipëria Turistike, destinacion 12-mujor”, një platformë e rëndësishme për promovimin e potencialit turistik të vendit tonë.
Ky aktivitet synon të bashkojë të gjithë aktorët kyçë të industrisë së turizmit: institucionet, investitorët dhe profesionistët.
Në fjalën e tij Gonxhja tha se “me mbi 300,000 vizitorë në vitin e fundit, me 3 linja direkte ajrore dhe disa sezonale që lidhin dy vendet tona, Turqia mbetet një partner strategjik ekonomik dhe një treg kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit shqiptar”.
“Në bashkëpunim me MUSIAD Albania dhe partnerë të tjerë, ky event konfirmoi angazhimin e përbashkët për të rritur flukset turistike, për të nxitur investimet dhe për të konsoliduar Shqipërinë si një destinacion konkurrues dhe gjithëvjetor në rajon dhe më gjerë”, tha Gonxhja.
Përfaqësues të institucioneve vendore dhe kombëtare, së bashku me investitorë nga Shqipëria dhe vende të tjera ndanë eksperienca, modele të suksesshme nga tregjet ndërkombëtare.
Në fokus ishin tre shtyllat kryesore të zhvillimit: Punësimi, si të krijohet një fuqi punëtore e kualifikuar dhe konkurruese; Investimet; Identifikimi i zonave me potencial dhe mekanizmat për të tërhequr kapital të qëndrueshëm dhe zhvillimi i sektorit; Diversifikimi i ofertës turistike përtej sezonit tradicional veror, me theks në turizmin kulturor, gastronomik, të aventurës, rural dhe të biznesit.
“Shqipëria Turistike: Destinacion 12-mujor” është një mekanizëm veprimi si dhe sinjal i qartë se industria turistike shqiptare ka arritur një pjekuri dhe është gati të kalojë në një fazë të re, më të planifikuar, të diversifikuar dhe të qëndrueshme.
/Marrë nga ATSH

















