
Spiropali: Kievi përballet çdo ditë me sulme barbare
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi ditët e fundit një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, i cili vazhdon të përballet me sulme të vazhdueshme ruse gjatë këtij dimri të egër.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi ditët e fundit një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, i cili vazhdon të përballet me sulme të vazhdueshme ruse gjatë këtij dimri të egër.
Spiropali ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita, duke rrëfyer për pasojat e luftës që i pa nga afër.
“Gjatë vizitës sime pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme”, deklaroi ministrja, duke shtuar se kishte takuar familje që jetojnë me mungesa, prindër që jetojnë me frikën e çdo dite dhe fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre.
Në kuadër të vizitës, ministrja Spiropali u nderua nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I, një nga dekoratat më të larta shtetërore të Ukrainës, për kontributin dhe mbështetjen ndaj vendit.
“Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë”, tha Spiropali.
Vizita e ministres shqiptare thekson përkushtimin e Shqipërisë për paqe, solidaritet dhe mbështetje humanitare në Ukrainë, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për qytetarët që vuajnë pasojat e konfliktit.
Burimi ATSH


















