
Rama: Rishikim i ligjit të arsimit të lartë në funksion të ndërkombëtarizimit të universiteteve
Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot rëndësinë e rishikimit të ligjit të arsimit të lartë në funksion të ndërkombëtarizimit të universiteteve.

Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot rëndësinë e rishikimit të ligjit të arsimit të lartë në funksion të ndërkombëtarizimit të universiteteve.
Gjatë podkastit “Flasim”, Kryeministri vlerësoi rëndësinë e mbledhjes së Konferencës së Rektorëve gjatë javës që lamë pas, të cilën e cilësoi si një takim të rëndësishëm për vazhdimin e përpjekjes së përbashkët mes qeverisë dhe universitetit, botës akademike, në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë.
“Ky diskutim i hapur është zhvilluar në funksion të ndërkombëtarizimit të arsimit tonë të lartë dhe në funksion të racionalizimit të burimeve dhe potencialeve në arsimin tonë të lartë”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se në këtë takim ka paraqitur sfidat mbi të cilat duhet të vendosen piketat e reja, duke filluar nga një rishikim i ligjit “Për arsimin e lartë”.
“Ka ardhur koha, pasi tanimë është krijuar një eksperiencë. Ligji na mundësoi një përmbysje të madhe, por sot është e qartë që, mbi bazën e eksperiencës dhe, natyrisht, të sfidave të reja, ligji duhet të rishikohet dhe këtë gjë do ta bëjmë së bashku, pa diskutim, me universitetet. Nga ligji, pra, deri te rritja e përpjekjeve për të shtuar zinxhirin që tanimë ka filluar të shtrihet në territor, të ndërkombëtarizimit përmes partneriteteve të ngushta me universitete të njohura në Evropë dhe botë dhe përmes programeve të përbashkëta”, u shpreh Rama.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se “një aspekt tjetër është edhe qasja ndaj financimit. Për këto do të flasim më hollësisht në takimin që ne mbajmë rregullisht si një këshill i përbashkët, po themi joformal, por shumë efikas, mes qeverisë dhe përfaqësuesve të universiteteve, ku këtë radhë do të jenë ftuar të gjithë përfaqësuesit, pa dallim të universiteteve publike dhe atyre private, ose më saktë, universiteteve publike me financim shtetëror dhe universiteteve publike me financim privat”.
Burimi ATSH


















