
Ambasada britanike: KLP të realizojë proces të drejtë e transparent për zgjedhjet e kreut të SPAK
Drejtuesit aktual, Altin Dumani, i mbaron mandati trevjeçar më 16 dhjetor. Në garë për drejtimin e SPAK janë Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të zgjedhë nesër (11 dhjetor) drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ambasada britanike në Tiranë reagoi sot në lidhje me përzgjedhjen duke bërë thirrje që KLP të realizojë një proces të drejtë dhe transparent.
“Zgjedhja e drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”, nënvizon ambasada britanike.
Drejtuesit aktual, Altin Dumani, i mbaron mandati trevjeçar më 16 dhjetor. Në garë për drejtimin e SPAK janë Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj.
Procesi i zgjedhjes së kreut të ri të SPAK pritet të nisë nesër në orën 09:00. Fillimisht do të zhvillohen intervistat me kandidatët (sipas rendit alfabetik) për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e më pas do të zgjidhet drejtuesi, i cili del edhe me një votë më shumë, pra nuk ka votim të cilësuar.
Mbledhja do të organizohet në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT. Sipas KLP-së të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues nga ambasadat.
Burimi ATSH


















