Pipa: Rritje e librave të aksesueshëm për personat që nuk shikojn
Në komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike u miratua (në parim dhe në tërësi) projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në traktatin e Marrakeshit për lehtësimin e aksesit në veprat e botuara për personat e verbër, me vështirësi në shikim ose me aftësi të kufizuara në leximin e teksteve të shtypura” (Marrakesh, 2013).

Lira Pipa, zëvendësministre e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, shpjegoi se kjo marrëveshje është një instrument ndërkombëtar tejet i rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me të drejtat themelore të njeriut.
“Traktati u garanton personave të verbër, me dëmtime të shikimit ose me aftësi të kufizuara në leximin e teksteve të shtypura, qasje të lehtë, të sigurt dhe të garantuar në veprat e botuara”, tha Pipa.
Sipas saj, kjo çështje prek në mënyrë të drejtpërdrejtë mijëra qytetarë shqiptarë. Zëvendësministrja Pipa theksoi se, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim sidomos në vitin 2022 kur ndryshimet në Ligjin për të Drejtën e Autorit, përafruan kuadrin ligjor me direktivën e BE.
“Aderimi në Traktatin e Marrakeshit është hap i domosdoshëm. Ky traktat mundëson rritjen e menjëhershme të sasisë së materialit të aksesueshëm për këtë kategori qytetarësh, lehtësimin e shkëmbimit të librave në nivel ndërkombëtar në formate të aksesueshme, krijimin e kushteve të barabarta për qasje në arsim e kulturë dhe mbi të gjitha garantimin e të drejtës themelore të informimit”, tha Pipa.
Falë këtij traktati, për herë të parë vendi ynë do të ketë qasje në një bibliotekë ndërkombëtare të librave në shkrimin “braille”, audio, smart text dhe formate të tjera.
Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale ka shprehur gatishmërinë për t’i ofruar Shqipërisë, asistencë të posaçme për implementimin e plotë të traktatit, trajnime e kapacitete për institucione publike e private, e të tjerë.
Marrë nga ATSH