
Marinela Prifti, zëvendësministrja e re e Turizmit, Kulturës dhe Sportit
Marinela Prifti do të jetë zëvendësministrja e re në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Marinela Prifti do të jetë zëvendësministrja e re në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Kreu i MTKS, Blendi Gonxhja, e prezantoi sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke thënë se Marinela Prifti do të jetë një vlerë e shtuar në drejtim, krahas dy homologëve të tjerë, të rikonfirmuar, Lira Pipa dhe Endrit Hoxha.
Marinela Prifti ka përfunduar Masterin Shkencor në mësimdhënien e gjuhës italiane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, masterin për përkthim dhe interpretim në Universitetin e Strasburgut, si dhe masterin shkencor në diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare të BE-së në Universitetin e Tiranës. Më pas, ka ndjekur një program specializimi në fushën e gjuhësisë në Universitetin Françeskan të Ohajos (Ohio), si dhe specializime të ndryshme në Institutin e Kërkimeve Shkencore të Kombeve të Bashkuara në fushën e diplomacisë dhe ka kryer një program ekzekutiv për komunikim pranë Harvard Kennedy School.
Marinela Prifti ka qenë drejtoreshë për Ballkanin e Festivalit të Filmit Giffoni në Itali, ndërsa në kuadër të formimit akademik, ka marrë pjesë në konferenca dhe kongrese të ndryshme shkencore. Gjithashtu ka ushtruar detyrën e Këshilltarit të Ministrit pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Aktualisht është pedagoge pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe doktorante në Universitetin e Tiranës.
Marrë nga ATSH



















