
Rama: Sa më pranë BE-së, aq më shumë hapësirë dhe përkujdesje për të gjithë shqiptarët
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që përdor inteligjencën artificiale për transferimin e legjislacionit të BE-së në atë shqiptar.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që përdor inteligjencën artificiale për transferimin e legjislacionit të BE-së në atë shqiptar.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kryeministri me ambasadorin e Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, i cili i dorëzoi progresraportin e vitit 2025 të Komisionit Europian për Shqipërinë, Rama tha se, “sot ne i dimë shumë mirë detyrat”.
“Jemi i vetmi vend në rajon që përdorim inteligjencën artificiale për këtë proces dhe falë Diellës ne bëjmë transferimin me një shpejtësi shumë të lartë të të gjithë trupit ligjor të Bashkimit Europian, për ta adoptuar në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë”, shtoi Rama.
Nga ana tjetër, shtoi Rama, “kryejmë me përpikëri të gjitha ato objektiva që janë vendosur në kalendarin e përbashkët dhe analizojmë me shumë durim dhe me përulësi të gjitha ato që këtu janë të rreshtuara si probleme që duhen adresuar dhe duhen zgjidhur”.
Rama falënderoi ekipin e negociatorëve, teksa theksoi se, në të gjitha fushat raporti ka edhe arritjet edhe problemet.
“Në gjitha fushat raporti iu thotë shqiptarëve që Shqipëria ecën vendosmërisht në drejtimin e duhur dhe nga ana tjetër na thotë ne se çfarë duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë që të ecim pa asnjë ndalesë për të arritur objektivin e vitit 2027”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se, kjo qeveri nuk do largohet pa sjellë Bashkimin Europian në Shqipëri dhe pa e bërë Shqipërinë anëtare krenare të BE-së.
“Uroj dhe shpresoj që këtë urim ta marrin ashtu siç duhet të gjithë ata që nuk e duan këtë qeveri, por që sot duhet të ndihen shumë mirë, sepse sa më pranë BE-së të jemi, aq më shumë do të ketë edhe për ta hapësirë dhe përkujdesje. Gjë që nuk mungon as në këtë raport. Kështu që ndjehuni mirë që të gjithë qofshi mbështetës, qofshi kundërshtarë të kësaj qeverie, sepse kjo qeveri ka bërë detyrat edhe për mbështetësit edhe për kundërshtarët. Dhe pastaj afrimiteti gjithnjë e më i madh me BE-në është një garanci për të gjithë. Se mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë jemi në kohë të ndryshme sipas qeverive që shkojnë dhe që vijnë. Kjo e jona nuk do shkojë pa sjellë Bashkimin Europian në Shqipëri dhe pa e bërë Shqipërinë anëtare krenare të BE-së. Më tutje, pastaj do shohim e do bëjmë sipas asaj që do të vendosë populli”, deklaroi Kryeministri.
Konferenca vjen një ditë pasi Bashkimi Europian publikoi progresraportin për vendin tonë, ku nënvizohej se Shqipëria ka ruajtur një linjë të qartë politike në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe përparim në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
Nga Brukseli, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi në mënyrë të veçantë Shqipërinë për arritjet e bëra në kryerjen e detyrave për procesin e negociatave.
Burimi ATSH



















