
Projektbuxheti 2026 arrin në 886,8 miliardë lekë, rritje e pagave dhe pensioneve
Projektbuxheti i vitit 2026 është programuar në vlerën 886,8 miliardë lekë, që përfaqëson rreth 31,9% të PBB-së dhe është rreth 55 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2025.

Projektbuxheti i vitit 2026 është programuar në vlerën 886,8 miliardë lekë, që përfaqëson rreth 31,9% të PBB-së dhe është rreth 55 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2025.
Projektbuxheti u miratua një ditë më parë në Këshillin e Ministrave dhe ka mbërritur në Kuvend, ku do të nisin dhe diskutimet në parim dhe nen për nen deri në ditët e para të dhjetorit.
Sipas parashikimeve të qeverisë, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 do të arrijnë në 823,1 miliardë lekë ose 29,6% të PBB-së, duke u rritur me 52,9 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe uljen e informalitetit në ekonomi.
Rritja ekonomike pritet të vijojë trendin pozitiv, me një mesatare prej 4% në vit gjatë periudhës 2026-2028, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë.
Deficiti buxhetor për vitin 2026 planifikohet në 2,3% të PBB-së, ndërsa balanca primare pritet të jetë e balancuar, në përputhje me rregullat fiskale në fuqi.
Borxhi publik bruto do të vijojë trajektoren rënëse, duke u ulur në rreth 53,6% të PBB-së në vitin 2026 dhe në 51% deri në vitin 2028.
Projektbuxheti 2026 parashikon gjithashtu fonde për rritjen e pensionit minimal në 200 euro dhe të pensionit mesatar në 400 euro në muaj.
Do të financohet gjithashtu rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë dhe indeksimi i pagave të administratës publike me 2,5%, duke filluar nga 1 janari 2026.
Për vitin 2028, paga minimale parashikohet të arrijë në 60 mijë lekë, e shoqëruar me indeksim sipas inflacionit.
Qeveria do të vijojë me një nivel të lartë investimesh publike, me një mesatare prej 6,5% të PBB-së gjatë periudhës 2026-2028, të përqendruara në projekte strategjike në përputhje me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2021-2030.
Në kuadër të buxhetimit të përgjithshëm gjinor, rreth 9,5% e shpenzimeve buxhetore do t’u dedikohen politikave me bazë gjinore, të përfshira në 85 programe buxhetore.
Buxhetet vendore për vitin 2026 parashikohen në 97,7 miliardë lekë, me një rritje prej 9% krahasuar me vitin 2025, duke zënë 3,52% të PBB-së.
Transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor do të jetë 1,6 miliardë lekë më e lartë se një vit më parë dhe mbi dy herë më e lartë krahasuar me vitin 2015.
Burimi ATSH



















