Kina propozon bashkëpunim për lulëzimin e rajonit të Azi-Paqësorit

Një ndër momentet më të rëndësishme të historisë së bashkëpunimit ekonomik rajonal të vendeve të APEC ishte edhe mbledhja e 32-të Jozyrtare e Liderëve të këtij Forumi Ekonomik Rajonal të Vendeve të Azisë dhe Paqësorit.


Nga Dr. Enriko Ceko

Një ndër momentet më të rëndësishme të historisë së bashkëpunimit ekonomik rajonal të vendeve të APEC ishte edhe mbledhja e 32-të Jozyrtare e Liderëve të këtij Forumi Ekonomik Rajonal të Vendeve të Azisë dhe Paqësorit. Ky takim u mbajt në Gyeongju të Koresë së Jugut midis 31 tetor dhe 1 nëntor 2025. APEC, i themeluar në vitin 1989, në të cilin përveç ekonomive anëtare, janë përfshirë edhe vende si Kina, SHBA, Japonia, Australia e shumë të tjera, synon promovimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme, lehtësimin e tregtisë dhe investimeve midis vendeve anëtare, uljen e barrierave tregtare dhe nxitjen e inovacionit dhe integrimit rajonal. Historikisht ky forum ka shërbyer si një mekanizëm jo detyrues ligjor, por i efektshëm “për të adresuar sfida globale të tilla si (1) zhvillimi i qëndrueshëm, (2) digjitalizimi dhe (3) siguria ekonomike” – theksoi Presidenti i Kinës, Xi Jinping në fjalën e tij mbajtur në këtë Forum, duke shtuar se “Kina gjithmonë në çdo aspekt bazohet në frymën e konsensusit dhe të bashkëpunimit”,

Ndërthurja ekonomike e vendeve anëtare të këtij Forumi dhe ndërlidhja e tyre me ekonomitë e tjera në shkallë globale, është dhe mbetet një nga karakteristikat kyçe të kohës që jetojmë. Pikërisht në fjalën e tij në këtë Forum Presidenti Xi Jinping theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë ekonomike dhe bashkëpunimit: “Sa më të trazuara të jenë kohërat, aq më shumë duhet të qëndrojmë së bashku. Duhet t’i qëndrojmë me këmbëngulje misionit fillestar të APEC-ut për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar mirëqenien e njerëzve” – tha ai dhe kjo të le të kuptosh se kjo perspektivë e artikuluar nga lideri i Kinës së sotme moderne vlerëson faktin se ndërvarësia ekonomike, tregtare, industriale dhe më tej e vendeve të Azi-Paqësor është një premisë dhe orientim për një menaxhim efektiv dhe efikas të burimeve njerëzore, natyrore dhe financiare, për zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë. Në këtë kontekst, është e qartë se bëhet fjalë për krijimin dhe stabilizimin e një tregu të hapur, në të cilin ekonomitë e vendeve pjesëmarrëse mund dhe duhet të shfrytëzojnë pikat e tyre të forta, duke lejuar specializimin e prodhimit, bazuar në avantazhet konkurruese dhe krahasuese, duke krijuar në mënyrë paralele edhe kushtet për lehtësimin, zbutjen dhe evitimin e rreziqeve që sjell rritja eksponenciale e prodhimit, konsumit, shpërndarjes dhe rishpërndarjes, përfshirë këtu edhe aspektet e menaxhimit të konkurrencës.


Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalim në takimin e liderëve të APEC-ut/Foto nga Xinhua

Një temë tjetër e rëndësishme në punimet e këtij takimi ishte edhe promovimi i një sistemi tregtar multilateral mbështetur në respektimin, zbatimin dhe mbrojtjen e rregullave ndërkombëtare. Në lidhje me këtë, Xi Jinping theksoi: “Ne duhet të mbështesim së bashku sistemin tregtar shumëpalësh. Duhet të zbatojmë multilateralizmin e vërtetë dhe të rrisim autoritetin dhe efektivitetin e sistemit tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë në thelb”. Pikërisht, në një kohë kur unilateralizmi dhe proteksionizmi po përpiqen të krijojnë një terren më të gjerë, gjë që kërcënon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të dukshme qëndrueshmërinë e zinxhirëve tregtarë dhe të furnizimit si dhe funksionimin e tregjeve rajonale dhe globale, ky qëndrim i Kinës është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për faktin se Kina është partneri më i madh tregtar i shumë vendeve anëtare të APEC-ut, por kryesisht për faktin se Kina në mënyrë logjike dhe reale promovon hapjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, duke ofruar një model shumë më të avancuar krahasuar me politikat proteksioniste të disa ekonomive të mëdha edhe në rang global.

Në këtë takim u diskutua edhe një tjetër dimension i rëndësishëm që është konsolidimi i zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit. Ky konsolidim nuk bëhet me qëllim thjesht mirëmbajtjen e këtyre zinxhirëve, por për të sjellë dhe mirëmbajtur qëndrueshmëri dhe vazhdimësi, si një mekanizëm mbështetës dhe zhvillues për ekonominë rajonale dhe globale dhe në lidhje me këtë Xi Jinping theksoi se vendet anëtare duhet t’i përmbahen parimit të “bashkimit të duarve” në vend të “shkëputjes së tyre”, synimit të “zgjerimit të zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit” në vend të ‘thyerjes së tyre”, duke kërkuar në mënyrë aktive më shumë pika bashkimi të interesave dhe duke mbështetur zhvillimin e hapur të këtyre zinxhirëve industrial dhe të furnizimit. Duket se kjo është një qasje që synon të fuqizojë ndërlidhjen rajonale, duke përforcuar jo vetëm lidhjet fizike dhe tregtare të prodhimit dhe të urave biznesore të komunikimit, por është një qasje që synon ndërthurje të elementëve të besimit dhe bashkëpunimit ekonomik në aspektin e marrëdhënieve transnacionale, sepse parimisht, një rajon me lidhje të forta të shumëanëshme të integruara jo vetëm në fushën e tregtisë, ka padyshim edhe potencialin që të përballojë edhe më mirë dhe edhe më lehtë krizat ekonomike, katastrofat natyrore, pandemitë, dhe dukuri të tjera të kësaj natyre dhe paralelisht të mbrojë qëndrueshmërinë e një tregu me karakter global, që sa vjen e bëhet edhe më i sofistikuar.


Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalim në takimin e liderëve të APEC-ut/Foto nga Xinhua

Presidenti i Kinës, në fjalën e tij trajtoi edhe rëndësinë e trinomit krijueshmëri – inovacion – standarde, duke theksuar: “Duhet të shfrytëzojmë plotësisht rolin e teknologjisë digjitale në promovimin e tregtisë ndërkufitare dhe të çojmë përpara bashkëpunimin konkret në fusha të tilla si tregtia pa letër, doganat inteligjente etj, duke shembur pengesat ndaj tregtisë së gjelbër dhe zgjeruar bashkëpunimin në industritë e gjelbra, energjinë e pastër dhe mineralet e gjelbra”, si një objektiv madhor dhe strategji, që jo vetëm që ndihmon zhvillimin e qëndrueshëm, por që edhe krijon mundësi të reja për ekonomitë në zhvillim, duke lehtësuar edhe aksesin e produkteve të gjelbra dhe të teknologjive të reja në tregjet globale në zgjerim.

Padyshim që një ndër aspektet e tjera të rëndësishme që u prek me kujdes në fjalën e Presidentit të Kinës, Xi Jinping, ishte edhe promovimi i zhvillimit gjithëpërfshirës e të barabartë. Për këtë çështje Ai deklaroi: “Duhet t’i përmbahemi filozofisë së zhvillimit të përqendruar te njerëzit, të bëjmë përpjekje për trajtimin e problemit të zhvillimit të pabalancuar dhe të promovojmë një globalizim ekonomik më gjithëpërfshirës e të vazhdueshëm”. Iniciativat e Kinës dhe specifikisht projekti i madh “Një Brez – Një Rrugë” si dhe trajtimi me tarifa zero për vendet më pak të zhvilluara janë disa nga shembujt konkretë të politikës që ndjek Kina për zhvillim të ndershëm dhe të hapur. Dhe është pikërisht ky qëndrim që Kina shfaqi me anë të fjalës së Presidentit të saj në Takimin e vendeve të APEC në të cilin nënvizohet në mënyrë eksplicite rëndësia e ndarjes së përfitimeve nga zhvillimi ekonomik, në mënyrë që të krijohen mundësi për të gjithë pjesëmarrësit në tregun rajonal duke forcuar qëndrueshmërinë sociale dhe konomike të rajonit dhe më gjerë.

Si përfundim, në tërësi, punimet e Takimit të 32-të të vendeve të APEC, tregojnë një qasje të fortë drejt konsolidimit të bashkëpunimit rajonal, promovimit të tregtisë së lirë dhe inovacionit, dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, që është në tërësi qasja e paraqitur në këtë forum kryesisht nga ana e Kinës me anë të fjalimit të Presidentit të saj Xi Jinping, i cili theksoi se “Dera e hapur e Kinës ndaj botës nuk do të mbyllet, por do të hapet edhe më shumë”, dhe me anë të kësaj thënie ai reflektoi angazhimin e Kinës si një fuqi tashmë globale për nxitjen e rritjes ekonomike dhe prosperitetit global, duke marrë si model integrimin e ekonomive të vendeve të rajonit Azi-Paqësor, që tashmë synojnë përballimin e sfidave globale, garantimin e qëndrueshmërisë së mirëfunksionimit të zinxhirëve të furnizimit dhe krijimin e një tregu të hapur gjithëpërfshirës.

Burimi CGTN

Lexo më shumë nga

Gonxhja dhe kryebashkiakja Sako në Durrës, plan veprimi për sezonin turistik 2026

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Gonxhja së bashku me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, dhe përfaqësues të…

Global 360

Siria njeh Kosovën

Siria është shteti numër 120 që njeh pavarësinë e Kosovës

Diplovista

Rama për “The Politico Berlin Playbook”: ‘AI’ për pastrim të legjislacionit nga mbivendosjet dhe në prokurimet publike

Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë një interviste për podcast-in “The Politico Berlin Playbook”, pjesë e revistës “Politico” në Gjermani,…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur kombi flet me një zë!

Pata një emocion të veçantë tek pashë mitingun në mbrojtje të së drejtës për prijësit e luftës çlirimtare në Kosovë.

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Gonxhja dhe kryebashkiakja Sako në Durrës, plan veprimi për sezonin turistik 2026

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Gonxhja së bashku me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, dhe përfaqësues të…