
Rama në Paris: BE duhet të ketë planin e vet të paqes
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Forumin e Paqes në Paris, nismë e presidentit francez Emmanuel Macron, ku edhe këtë vit personalitete nga e gjithë bota mblidhen me në fokus bashkëpunimin mes tyre.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Forumin e Paqes në Paris, nismë e presidentit francez Emmanuel Macron, ku edhe këtë vit personalitete nga e gjithë bota mblidhen me në fokus bashkëpunimin mes tyre.
Në fjalën e tij Rama, i pyetur lidhur me ndryshimin në rendin global, u shpreh se Perëndimi dhe Evropa ka nevojë për një “dush” përulësie.
“Unë sapo vij nga Riadi, ku pata nderin të isha i ftuar nga nisma e Forumit të Investimeve për të Ardhmen (FII), në një vend të jashtëzakonshëm, jo për shkak të numrit të pazakontë të njerëzve 7 mijë pjesëmarrës, por falë asaj çfarë përfaqësonin në çështjet globale, sidomos kur bëhet fjalë për biznesin, novacionin dhe teknologjinë.”
“Kur ke mundësinë të gjendesh në atë pjesë të botës e kupton që në këtë pjesën tonë të botës ne duhet të bëjmë një dush përulësie, sepse edhe sot, edhe pse bota po ekspozon tërësisht ujërat që ziejnë në marrëdhëniet midis vendeve të qasjeve përkundrejt gjërave themelore, ne vazhdojmë të mendojmë që ka diçka që nuk shkon me botën dhe që është vetëm një moment në kohë dhe gjërat do të kthehen siç ishin dhe ne, kur them ne nuk flas për Shqipërinë, flas për Perëndimin dhe sidomos për Evropën, mendojmë se kemi legjitimitetin moral që na është blatuar nga ndonjë urdhër hyjnor dhe mundësinë për të gjykuar të tjerët e për të besuar se ne jemi pika e referencës sesi duhet të jetë bota, dhe kjo është thelbësisht e gabuar”, u shpreh Rama.
I pyetur se çfarë do të thotë e gabuar, Rama theksoi se, “është e gabuar, është krejt e gabuar, nuk është e vërtetë. Dhe është një lloj vetëkënaqjeje që sipas mendimit tim mjaft modest ka nisur të bëhet gjithmonë e më i dëmshme si këndvështrim dhe gjithmonë e më pak i dobishëm edhe për atë vetëbesimin, për të cilin kemi nevojë të gjithë”.
Kryeministri shtoi se kur Zoti shpëtoi Donald Trump, plani ishte që të zgjonte Evropën.
“Unë besoj se ajo çfarë ka ndodhur në SHBA, në krye të këtij viti. Po flas për atë që Donald Trump e përshkroi si plani preciz i Zotit për ta shpëtuar, në mënyrë që të shpëtonte Amerikën. Është, sipas meje, diçka që nëse Zoti kishte vërtetë një plan, pjesë e këtij plani ishte dhe të zgjonte Evropën. Nuk po e shoh Evropën të zgjohet në mënyrën siç duhet, ka një zgjim, nëse mund ta quajmë kështu. Në shumë përpjekje që po bëhen nga Presidentja e Komisionit, nga udhëheqësit që po përpiqen t’i çojnë gjërat përpara dhe në këtë shtysë shumë të fortë për të ndryshuar qëndrimin në raport me idenë e mbrojtjes. Por, sipas mendimit tim, sërish kjo është diçka mjaft e fragmentarizuar, është më pak se e mjaftueshme dhe mund të bëhet e rrezikshme në një periudhë afatmesme”, theksoi Rama.
I pyetur se çfarë nënkupton me e rrezikshme, Rama tha se, “e rrezikshme në kuptimin që për mua është mjaft shqetësuese që ende sot, edhe pas asaj çfarë ka ndodhur me jashtë kontraktimin e politikës së jashtme të BE-së tek SHBA-të dhe me BE-në që ka qëndruar në autopilotin e SHBA-së, ende nuk ka një plan evropian paqeje. Ka vetëm një qasje binare ndaj një konflikti që ka potencial të jashtëzakonshëm për të degjeneruar në diçka katastrofike”.
“Unë nuk po kundërshtoj këtë pjesë por ndihem shumë i shqetësuar për pjesën që mungon, diplomacinë dhe planifikimin për paqe, çfarëdo që të jetë, sido që të duket, por paralelisht me luftimin, pra me bërjen e luftës dhe mbështetjen e Ukrainës dhe me shumë të drejtë, BE duhet të ketë planin e vetë të paqes dhe duhet të ketë komunikimin e vetë të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe me këdo tjetër që gjendet në mes apo nga ana tjetër”, tha Rama.
i pyetur nëse mendon se Rusia do paqen me Ukrainën, Rama tha se, “nuk ka të bëjë me atë çfarë do Rusia”.
“A donte Hamasi paqe? A do ndonjëherë Hamasi të ketë paqe? Nuk e besoj për një sekondë që të jetë e vërtetë një gjë e tillë, por nëse duam të luftojmë e të mbijetojmë në emër të asaj çfarë përfaqësojmë do të duhet të bëjmë atë që duhet bërë. Ka të bëjë me atë çfarë duan ne, nuk ka të bëjë me atë çfarë duan të tjerët. Ka të bëjë me faktin që ne duhet të përpiqemi të bëjmë gjithçka që duam në emër të asaj çfarë përfaqësojmë edhe me shansin që pala tjetër nuk të përgjigjet asnjëherë. Por duhet të bësh atë që duhet të bësh. Nuk mund të mendosh të refuzosh për paqen sepse tjetri është kaq i keq saqë mund të mos ta dojë. Mund të mos ta dojë, unë nuk e di nëse e do apo jo, Putini e kam fjalën, por di një gjë që duke bërë atë që po bëjmë, po bëhemi çdo ditë e më pak të rëndësishëm”, theksoi Rama.
“Që Putini do luftë është e qartë çdo ditë”, theksoi Rama.
I pyetur sesi mund të bëjmë diplomaci pa e detyruar që të angazhohet në rrugë diplomatike, Rama tha se, “diplomacia është diçka që bëhet përditë”
“Duke marrë shembullin e Izraelit dhe Hamasit, kanë vrarë njëri tjetrin në forma dhe mënyra që ishin ekstreme, por flasin përditë, pra kishin kanalet dhe negocionin çdo ditë”, tha Rama.
“Në këndvështrimin tim, derisa presidenti i SHBA-së hyri dhe çeli shtegun për bisedime un nuk jam historian dhe e marrë të mirëqenë padijen time, por besoj se është konflikti i parë i madh pa asnjë kanal të pasëm, pas asnjë diskutim dhe pa asgjë dhe kur mendon se sa shumë fuqi bërthamore janë përfshirë në këtë konflikt që nuk flasin, por luftojnë duket si një luftë shfarosëse. Sepse çfarëdo të ndodhë unë nuk mendoj që Rusia do ikë nga aty ku është. Ka qenë aty, është aty, do të jetë aty, ashtu si edhe gjithë vendet e tjera. Dhe Putini nuk do të jetë aty gjithmonë”, tha Rama.
Burimi ATSH



















