
BE i dha 100 milionë euro Shqipërisë, Çano: Raportuam për 41 masa reformash
Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Planifikimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Eridana Çano foli sot në një intervistë televizive për mbështetjen me 100 milionë euro fonde të Shqipërisë nga Bashkimi Evropian.

Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Planifikimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Eridana Çano foli sot në një intervistë televizive për mbështetjen me 100 milionë euro fonde të Shqipërisë nga Bashkimi Evropian.
Gjatë kësaj interviste, Çano tha se Shqipëria ka arritur të raportojë 41 masa reformash.
“Periudha e parë e raportimit që u krye në korrik të 2025 përmban periudhën dhjetor 2024 – korrik 2025. Shqipëria arriti të raportojë për 41 masa, që i quajmë “masa reformash”. Nga të cilat 41 i kemi të raportuara dhe 38 i kemi të plotësuara, dhe në fakt u vlerësuam pozitivisht për plotësimin e plotë të tyre për 21 masa”.
Çano gjithashtu sqaroi se instrumenti për rritje dhe reforma është grupuar në dy mënyra: njëra që është mbështetje buxhetore që shkon direkt në buxhetin e shtetit dhe pjesa tjetër shkon për investime në Ballkanin Perëndimor.
“Instrumenti për rritje dhe reforma është i grupuar në dy mënyra: që njëra është mbështetje buxhetore që shkon direkt në buxhetin e shtetit dhe pjesa tjetër shkon në instrumentin për investime në Ballkanin Perëndimor në dy modalitete, 50% shkon përmes granteve dhe pjesa tjetër është kredi e butë”, tha ajo.
Çano theksoi, se modaliteti i kredive janë kredi të buta me norma të ulëta interesi dhe Shqipëria do të duhet të fillojë të paguajë në vitin 2036.
“Në këtë raund kemi marrë 100 milionë euro. Që janë të ndara, 46 milionë euro janë në thesarin e shtetit dhe do orientohen drejt prioriteteve që qeverisja ka. 28,5 milionë janë grante për investime (WBIF) dhe 24,6 milionë euro janë projekte investuese në formë huaje”, theksoi ajo.
“Nuk duhet të harrojmë që Shqipëria ka marrë një parafinancim, në shkurt të këtij viti që është 64,5 milionë euro”, nënvizoi Çano.
“Kemi goxha fonde që na vijnë dhe shkojnë si direkt në buxhetin e shtetit dhe grante investimi”, tha ajo.
Çano vuri theksin edhe te rëndësia që ka mbështetja nga Bashkimi Evropian.
Gjithashtu ajo renditi edhe sektorët që pritet të jenë prioritet, duke veçuar infrastrukturën, energjinë, digjitalizimin dhe kapitalin njerëzor.
“Është ndërtuar një listë që e quajmë lista indikative e investimeve të fokusuara në katër fusha që janë fusha mbi infrastrukturë, energji, digjitalizim dhe kapital njerëzor. Kemi një listë indikative dhe nga kjo listë sot që flasim, kemi 30,9 milionë euro grante për tre projekte që lidhen me energjinë që është rehabilitimi i Hidrocentralit të Fierzës, digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë, dhe linja Tiranë-Rashbull dhe Tiranë-Rinas që janë linjat e transmetimit. Pra, kemi tre projektet e para të mbështetura”, tha ajo.
Nga ana tjetër, shtoi Çano, do të vijohet marrja e huasë përmes bankave të zhvillimit.
“Lista indikative ka edhe projekte të tjera, por është një listë që përditësohet çdo gjashtë muaj në bazë të prioriteteve të qeverisë. Periudhat raportuese janë 15 korriku i vitit aktual dhe më pas është 15 janari i viti pasardhës. Periudhat raportuese janë të ndarë çdo 6 muaj”, u shpreh Çano.
“Ne presim që në fund të vitit të kemi 25 hapa reformash që do duhet t’i plotësojmë, dhe 20 që na kanë mbetur nga raportimi i parë që do të duhet të plotësohen brenda një kuadri kohor njëvjeçar”, tha ajo.
Drejtoresha e SASPAC theksoi se mendon se do të realizohet një nivel shumë i lartë hapash.
“Mendoj që do kemi nivel të lartë realizimi duke ndjekur edhe trendin e realizimit të parë”, tha ajo.
Çano theksoi se, “Shqipëria ka realizuar 51% të masave të reformave të këtij raporti, është e para liderë në rajon, 48% Mali i Zi, 29% vetëm Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia dhe Kosova ende nuk kanë realizuar masa”.
Çano tha se, Shqipëria ka bërë hapa të duhur në të gjitha fushat sa i përket procesit të integrimit evropian, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që procesi i reformave të vazhdojë dhe të mos mbetet në letër.
“Nga ana e integrimit Shqipëria është në vendin kryesues. Janë marrë hapa konkretë në të gjitha fushat që janë të përfshira në planin e rritjes. Duhet të bëjmë kujdes që të mos ndalojë ky proces, vrulli i ndërmarrjes së këtyre reformave të jetë një efekt domino”, u shpreh Çano.
Çano gjithashtu nënvizoi se, “Administrata duhet të mundësojë që reformat të jenë me standard, të kenë impakt në shoqëri dhe në jetën e popullit shqiptar”.
“Ne jemi jo vetëm për të hapur të gjithë kapitujt, por edhe në mënyrën se si i kryejmë proceset tona të brendshme edhe hapja drejt tregut të përbashkët, apo ndërtimit të një tregu të përbashkët rajonal, të jenë aty dhe të jenë reforma të kryera vërtet dhe jo thjesht në letër”, u shpreh Çano.
Çano foli edhe për inteligjencën artificiale, duke u shprehur se inteligjenca artificiale ndihmon në afrimin ndaj qytetarit dhe qasjen ndaj proceseve transformuese dhe digjitalizuese.
“Jemi shumë të avancuar në rajon në krahasim me vendet e tjera, por duam të përparojmë. Kemi ministren Diella si dhe projekte të tjera që do të mbështeten me fondet e WBIF”, tha ajo.
Burimi ATSH



















