
Rama: Ballkani Perëndimor, horizont i ri energjie dhe imagjinate për BE-në
Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot me një fjalë Forumit të parë të Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor”, që po zhvillon punimet në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot me një fjalë Forumit të parë të Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor”, që po zhvillon punimet në Tiranë.
Kryeministri shprehu gatishmërinë që ky forum të kthehet në një mbledhje e përvitshme, me një program gjithnjë e më ambicioz.
Në fillim të fjalës së tij, Rama u ndal tek ecuria e procesit të integrimit europian, ndërsa kujtoi pritjen e gjatë deri në çeljen e negociatave.
“Për një kohë mjaft të gjatë historia e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është shkruar me dramatikën e pritjes. Pritja për BE u bë thuajse një sinonim i pritjes për Godonë. Megjithatë ne kurrë nuk ndalëm së ëndërruari momentin kur historia do të ndryshonte dhe kurrë nuk reshtëm së punuari, në mënyrë që kur ky moment të vinte të na gjente gati, të përgatitur dhe përpara afatit. Dhe shkoi pikërisht kështu. Kur momenti erdhi ishim gati për nisjen së bashku me Komisionin Europian të procesit të negociatave”, u shpreh Rama, ndërsa theksoi se “ky proces nuk mund të ishte më intensiv dhe as më çlirues nga fantazmat e së shkuarës”.
Ndërkohë, Rama tha se aktualisht po përvijohet me një hartë të re jo në letër, por në hapin tonë të ardhjes më pranë BE-së me fluksin e turistëve dhe investimeve europiane.
Sipas Kryeministrit, “Ballkani Perëndimor nuk është lagjja e Europës e dorës së dytë, por është horizonti i ri”.
“Një horizont jo prej muresh dhe kufijsh, por horizont energjie dhe imagjinate, ku Europa mund të rizbulojë shkathtësinë e saj, oreksin, urinë e saj, nxitjen krijuese dhe mbi të gjitha dashurinë për jetën, paqen dhe të bërit bashkë”, shtoi Rama.
Burimi ATSH