
Rama në Kolegjin e Europës në Bruzh: Shqipëria në rrugë të mbarë, BE-ja bekim për vendin tonë
Kryeministri Edi Rama u shpreh pasditen e sotme thellësisht i nderuar për mundësinë e dhënies së një leksioni në Kolegjin legjendar të Europës në Bruzh, që e cilësoi hapësirë të jashtëzakonshme, ku shpirti i Robert Schumanit, Jean Monnet dhe shumë të tjerëve vazhdon të kumbojë ende.

Kryeministri Edi Rama u shpreh pasditen e sotme thellësisht i nderuar për mundësinë e dhënies së një leksioni në Kolegjin legjendar të Europës në Bruzh, që e cilësoi hapësirë të jashtëzakonshme, ku shpirti i Robert Schumanit, Jean Monnet dhe shumë të tjerëve vazhdon të kumbojë ende.
“Pata ngurrim të vij, sepse të qëndrosh këtu në Bruzh është shumë më e vështirë sesa të qëndrosh në Bruksel,” tha Rama.
Sepse, vijoi ai, do të thotë të qëndrosh përballë historisë, legjendave, përballë shpirtrave që pëshpërisin në çdo korridor.
Nuk është e lehtë, nënvizoi ai, t’i mbijetosh përballjes me të tillë shpirtra, të cilët siç u shpreh ai, janë folës më të mirë se të gjallët.
“Por në fund jam këtu. Pse erdha? Sepse ky kolegj nuk është vetëm një tempull dijeje, por një laborator i vetë Europës. I thashë vetes: Dëgjo, Bruzhi nuk është Brukseli, mos shko në Bruzh për të përsëritur klishetë dhe për të raportuar për piketat dhe standardet, apo për gjithçka që ka të bëjë me këtë rrugëtim. Shko në Bruzh për të folur lirshëm me disa mendje ende të lira. Kështu që, le ta bëjmë”, rrëfeu Rama.
Rama foli dhe për historinë e këtij qyteti, që sipas tij ia kishte rrëfyer ambasadori shqiptar në BE, Ferit Hoxha.
“Më tregoi se ky qytet, Bruzhi, ka qenë gjithmonë më shumë se tulla e kanale. Për shekuj me radhë, ka qenë udhëkryqi i tregtisë, kulturës dhe ideve. Dikur quhej ‘Venecia e Veriut’, sot falë kolegjit është zemra intelektuale që rreh e Europës. Dhe mund ta dallosh menjëherë sapo hyn në këtë derë”, u shpreh Kryeministri.
Rama foli dhe për portretet në korridoret e kolegjit, duke thënë se shumë prej të rinjve që shpresojnë të bëhen një ditë komisionerë të BE-së, ministra, kryeministra, madje edhe presidentë të vendeve apo vetë BE-së, mund ta kenë një ditë portretin e tyre të ekspozuar aty.
“Kjo frymë europiane që Jean Monnet ngërtheu në një rresht: Nuk po krijojmë koalicion shtetesh po bashkojmë njerëzit. Është e vështirë për mua ta shpjegoj sa e lehtë është kjo frymë të minohet madje edhe të varroset, sidomos në momente krizash, ku duket kaq fort e lehtë të numërosh kufijtë që ndajnë njerëzit më shumë se të ndërtosh urat që i lidhin ata”, theksoi Rama.
Kryeministri kujtoi një bisedë të fundit me një sh-komisioner të BE-së.
“Ç’kohëra po jetojmë i dashur Edi! E sa shumë do të dëshmojmë përpara se kjo epokë të mbyllet”, ishte mesazhi i ish-komisionerit, që Rama ndau me studentët e Bruzh-it.
Historia, theksoi Kryeministri, na kujton se kalimi në një epokë të re do të jetë i dhimbshëm.
“I përkasim një brezi që nisi jetën nën lunatizmin e pushtetit diktatorial maskuar si rend, frikës maskuar si normalitet, izolim maskuar si sovranitet. Kjo përvojë është gdhendur si tatuazh në kujtesën tonë dhe na kujton sa e çmueshme është liria. Dhe këtë e ndjemë”, theksoi Rama.
Ai rrëfeu se ka kaluar gjysmën e jetës në Shqipërinë e Luftës së Ftohtë, të izoluar nga Lindja dhe Perëndimi, dhe se për të, Europa nuk ishte realitet, por një mit i largët, një ëndërr në bardhezi që shfaqej dhe zhdukej pafundësisht në ekranin e televizorit.
Pas vitit 1989, ndërsa muri i Berlinit ra, vijoi Rama, muri ynë mbeti i paprekur. “Shqipëria mbeti e izoluar, duke u ndarë nga Perëndimi kapitalist dhe nga Lindja që po shembej”, vuri në dukje Kryeministri.
Rama kujtoi se, ndërsa të tjerët hapnin kufijtë, shqiptarët ishin të kyçur në bunker, krenar për izolimin.
Por në verën e vitit 1990, theksoi ai, mijëra njerëz të dëshpëruar kaluan muret e ambasadave në Tiranë, duke shfaqur çarjet e para.
“Europa u bë e arritshme, edhe pse tranzicioni ishte i rrëmujshëm, i dhimbshëm, kaotik dhe tragjik”, tha Rama.
Rama theksoi se për të ndërtuar demokracinë, institucionet dhe shtetin e së drejtës duheshin dekada.
Kjo sipas tij, i ishte thënë nga Jusuf Vrioni, një aristokrat shqiptar dhe një prej mendjeve më të kulturuara, i cili vuajti në burgjet e komunizmit.
“Demokracia ende nuk kishte ardhur në Shqipëri, por liria po”, i kishte rrëfyer Vrioni
Këtu Rama theksoi se falë Zotit ekziston Bashkimi Europian.
“Pa BE-në, ne do të ishim ende duke pritur për dekada për të ndërtuar institucionet dhe për ta bërë demokracinë të funksionojë,” tha Rama.
Kryeministri theksoi se, edhe pse situata globale është e ndërlikuar, Shqipëria do të vazhdojë rrugën e integrimit europian, e vetmja alternativë.
“Falë Zotit ekziston BE, pa BE mund të ishim ende duke pritur për qindra vite duke ndërtuar institucione. Ky është një bekim që ne në Shqipëri dhe rajon e kemi. Këto nuk janë ditët më të mira për Europën dhe Bashkimin Europian. Më shumë se integrim është zgjerim. Mos harroni që BE është realiteti i parë në historinë e hartave me dy kufij; një të jashtëm dhe një të brendshëm. Brenda këtij kufiri të brendshëm jemi ne, Ballkani, si një fetus në mitrën e një gruaje shtatzënë. Mendoj që së fundmi jemi në rrugë të mbarë, jam i sigurt që Federica (Mogherini) është më e lehtësuar sepse e la Brukselin me një premtim të brendshëm për të mos u kthyer kurrë dhe erdhi në Bruzh për të gjetur strehë në sytë e një brezi të ri”, deklaroi Rama.
Burimi ATSH