Rama me studentët në Bruzh: Europa ka nevojë për ribashkim të plotë

Kryeministri Edi Rama mbajti pasditen e sotme një leksion për studentët në Kolegjin Europian të Bruzhit në Bruksel.


Kryeministri Edi Rama mbajti pasditen e sotme një leksion për studentët në Kolegjin Europian të Bruzhit në Bruksel.

Duke përcjellë vizionin e tij përpara studentëve, Kryeministri Rama vuri në dukje se Europa ka nevojë për një plan, duhet të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën, të projektojë një rrugë të qartë për ribashkimin e plotë të Europës dhe po kështu të mbajë derën hapur për përfshirje më tej të Rusisë në një vizion të gjerë për stabilitet ndërsa forcon ndikimin global të Europës duke u pozicionuar si një forcë qendrore për diplomacinë, bashkëpunimin e ndërtimin e paqes në skenën botërore.

Duke iu referuar konferencës së sotme ndërqeveritare në Bruksel ku Shqipëria hapi gruo-kapitullin e pestë të negociatave, Rama tha se 30 vjet më parë Shqipëria ishte papafingoja e harruar e kontinentit, e kyçur, e izoluar, e shpërfillur.

“Sot Shqipëria është këtu e ka ardhur pasi ka çelur edhe 4 kapituj të tjerë, për 11 muaj kemi çelur praktikisht 28 të tillë. Dhe kanë mbetur dhe 5 të tjerë për t’u hapur me shpresë brenda këtij viti që është një rekord kur vjen fjala për ritmin e integrimit të vendeve”, theksoi Rama.

Fjala e plotë e Kryeministrit Rama me studentët e Kolegjit të Europës në Bruzh

Gjithë kjo rini është si një shpullë fytyrës, më duket vetja tmerrësisht i vjetër.

E nderuar rektore, shumë e dashur Federika!

Të dashur studentë!

Ndihem vërtet thellësisht i nderuar që qëndroj këtu, në këtë hapësirë të jashtëzakonshme, ku shpirti i Robert Schuman, Jean Monnet, Altiero Spinell-it dhe i shumë të tjerë vazhdon të kumbojë ende.

Po më lejoni t’iu rrëfej diçka;

Pata ngurrim të vij, sepse të qëndrosh këtu në Bryzh, është shumë më e vështirë sesa të qëndrosh në Bruksel sepse do të thotë të qëndrosh përballë historisë, përballë legjendave, përballë shpirtrave që i pëshpëritnin çdo fryme, në çdo korridor dhe nuk është e lehtë ti mbijetosh përballjes me të tillë shpirtra, të cilët ta themi të vertëtën siç është janë të gjithë folës shumë më të mirë se ne të tjerët që jemi gjallë. Po në fund jam këtu. Pse erdha?

Sepse ky kolegj është vetëm një tempull dije, është një laborator i vetë Europës dhe i thashë vetës: Dëgjo, Bryzhi nuk është Brukseli, mos shko në Bryzh të përsëritësh klishetë e të raportosh për piketat, për standardet e ndërmjetshme, e gjithçka që ka të bëjë me këtë rrugëtim neurotik. Shko në Bryzh të flasësh lirish disa mendjeve ende të lira, kështu që le ta bëjmë.

Në shënimet e tij për mua, ambasadori ynë në BE me shije franceze e rreptësi gjermane, Ferit Hoxha, që është këtu në radhë të parë më shkroi: “Ky qytet, Bryzhi, ka qenë gjithmonë më shumë se tulla e kanale. Për shekuj të tërë ka qenë udhëkryqi i tregtisë, kulturës e ideve. Dikur i quajtur Venecia e Veriut, sot falë Kolegjit, është edhe zemra intelektuale që i rreh Europës” dhe mund ta dallojë, e ndjen menjëherë sapo hyn në këtë derë.

Breza udhëheqësish, diplomatësh, mendimtarësh kanë ecur këtyre korridoreve dhe Federika po më tregonte portretet që shihni çdo ditë ndërsa kaloni syresh. Disa prej jush me shpresë, një ditë do të bëhen komisionerë të BE-së, a ministra, ndoshta kryeministra, madje edhe president të vendeve të BE-së ose edhe të vetë Bashkimit Europian dhe ndoshta portretet tuaja do të jenë në ato korridore.

Shpresoj që përpara çdo dijeje të mëtejshme të çoni përpara frymën europiane që Jean Monnet ngërtheu në një rresht: “Nuk po krijojmë koalicion shtetesh, po bashkojmë njerëzit”. Është e vështirë për mua ta shpjegoj se sa e lehtë është kjo frymë të minohet, madje edhe të varroset, sidomos në momente krizash, ku duket kaq fortë e lehtë të numërosh kufijtë që ndajnë njerëzit më shumë se të ndërtosh urat që i lidhin ata.

Të dashur miqtë e mi të rinj!

Vetëm dje me një bisedë në WhatsApp me mikun tim të dashur, kryetarin e bashkisë, legjendar të Athinës, dhe ish-komisionerin e BE-së, Dimitris Avramopoulos, ai më shkroi: Ç ‘kohëra po jetojmë, i dashur Edi, e sa më shumë do të dëshmojmë përpara se kjo epokë të mbyllet, historia na kujton se kalimi në një epokë të re do të jetë i dhimbshëm. Ai ka të drejtë, i përkasim një brezi që e nisi jetën nën lunatizmin e pushtetit. Diktatura të maskuara si rend, frikë të maskuar si realitet e izolim të maskuar si sovranitet.

Kjo eksperiencë gdhendi si tatuazh në kujtesën tonë, sa e brishtë është liria dhe këtë e ndjejmë ditën e sotme.

Unë linda, u rrita dhe jetova gjysmën e jetës sime në Shqipërinë e Luftës së Ftohtë, E izoluar nga lindja e perëndimit, një Kore Veriu e Europës, fjalë për fjalë.

Për mua Europa nuk ishte realitet, ishte një mit. Përfytyroni qiellin e pamatë, të errët dhe krejt befas të kap syri një yll të zbehtë, një kanal të ndaluar italian, një transmetim jugosllavë, një sinjal të paqëndrueshëm të radios Europa e Lirë apo e Zërit të Amerikës. Europa ishte një yjësi që e shihnim përmes ekranit të mjegullt, një ëndërr të bardhë e zi, që regtinte në një ekran televizioni, e më pas zhdukej sërish e sërish, pafundësisht.

Pastaj erdhi 1989, por Shqipëria nuk iu bashkua festës. Muri i Berlinit ra, por muri ynë mbeti i paprekur. Ishim njësoj të izoluar si nga Perëndimi kapitalist, ashtu edhe nga lindja që po shembej, dhe ata tanët gjithmonë na thonin: “Ne nuk jemi si ata, ne jemi ndryshe, ne jemi realë, jami të vërtetë, ata janë falco, të degjeneruar”.

Ndërsa të tjerët çelën kufijtë, ne mbetëm të kyçur në bunkerin tonë, një bunker që e kishim ngritur vetë, e mjaft krenar kështu na thuhej, e vetëm në verën e vitit 1990 kur mijëra njerëz të dëshpëruar kapërcyen muret e ambasadave në Tiranë, u shfaqen çarjet e para dhe krejt befas Europa nuk ishte më një yll që regtinte në një ekran televizori përmes kanaleve të ndaluara ishte aty e arritshme. Tranzicioni që erdhi ishte i rrëmujshëm, i dhimbshëm, shpesh kaotik, e madje dhe tragjik. Skema piramidale që ranë, mijëra të vdekur në kryengritje për kursime që kishin shkuar dëm. Një diktaturë mund të shembet, mund të shembet edhe brenda javësh, po, demokracia, institucionet, shteti i së drejtës, këto kërkojnë dekada.

Nuk do të harroj kurrë një episod me Jusuf Vrionin, një aristokrat shqiptar, një prej mendjeve më të kulturuara që kam takuar në jetën time, një përkthyes kozmopolit i Ismail Kadaresë në Francë, që kaloi vite të tëra në burg nën komunizëm. Ai ishte një mik i mirë dhe ishte privilegj ta njihje.

Në vitin që pasoi fundin e komunizmit i thashë në një prej bisedave tona: Jusuf pse nuk dukesh i lumtur që demokracia ka ardhur në Shqipëri dhe ai më pa dhe nënqeshi. “Jo! Demokracia ende nuk ka ardhur në Shqipëri, liria po”, më tha.

Dhe jam i lumtur, sigurisht që e jetoj në këtë moshë time të thyer e më së fundi, të kem të drejtën të votoj, ndërkohë që shumë nga shokët e mi vdiqën, disa në burg, disa të poshtëruar, pa e parë një gjë të tillë. “Unë jam fatlum”, – tha ai, “po demokracia është më shumë sesa liria, është shtet i së drejtës. Kështu që shpresoj”, – shtoi ai, – “që kur të vish në moshën time, do të kesh fatin ta shohësh demokracinë të funksionojë”.

Më shkon shpesh mendja te Jusufi. Kishte të drejtë! Dhe falë Zotit, ekziston BE-ja. Pa BE-në mund të ishim ende duke pritur për qindra vite për të ndërtuar institucione, shtetin e së drejtës dhe për ta bërë demokracinë të funksionojë. Ky është një bekim që ne në Shqipëri dhe në rajon e kemi. E të tjerë si në Irak, Afganistan apo gjetkë, ku ne shkuam të përhapnim fjalën e demokracisë, nuk e kishim. Sepse BE-ja nuk është vetëm një bashkim ekonomish, është makineria më e sofistikuar e transferimit të dijeve për ndërtimin e institucioneve demokratike që ka krijuar ndonjëherë njeriu. Ja pse me çdo kush duhet qëndruar me BE përmes dëshpërimeve, vonesave, buzëqeshjeve të ngrira e mbledhjeve të ftohta akull, ndonjëherë edhe poshtëruese, ne nuk hoqëm dorë derisa u bënë më të ngrohta, më të parashikueshme, pa asnjë vonesë. Dhe është e trishtë të mendosh pse, falë Vladimir Putinit, por edhe nëse gjërat kthehen në normalitet në frontin e tyre dhe do bëhen të ftohta në frontin tonë, ne do të vazhdojmë se alternativa nuk është një union tjetër, është asnjë bashkim, është asnjë rrugëdalje. Dhe historia na ka mësuar që jashtë Europës kombet e vogla shndërrohen në pre. Po e di, këto nuk janë ditët më të mira për Europën demokratike e për vet BE. Lufta është kthyer në agresionin mes Rusisë në Ukrainë. Konkurrenca globale po minon udhëheqjen ekonomike teknologjike të Europës, ndryshimi i klimës nuk është më një profeci, por tashmë zjarr që po djeg pyjet e Europës dhe po përmbyt rrugët e Europës. Polarizimi e keqinformimi gërryejnë vet oksigjenin e demokracisë që është besimi. Rendi i bazuar në rregulla përqeshet hapur në çdo cep, rendi shumëpalësh dikur premtim i shenjtë i bashkë ekzistencës sot merr frymë përmes një respiratori.

Kjo është bota ne të cilën jetojmë dhe në këtë botë të rri duarkryq nuk është alternativë. Bashkimi nuk është luks, është mbijetesë. Siç thoshte Vaclav Havel “shpëtimi i kësaj bote njerëzore s’gjendet askund përveçse në zemrën njerëzore”. Dhe kështu është dhe për Europën, shpëtimi i sa gjendet në zemrën e saj dhe zemra e saj mund të rrahë vetëm përmes bashkimit. Dhe këtu më lejoni të bëj pak provokuesin. Rusia shkon në luftë për të marrë Ukrainën. Ukraina kërkon të merret vetëm nga Europa dhe Europa thotë “nuk jeni gati për ne”. Sa absurde është kjo? Le të marrim sigurinë. Një Europë e paplotë ndjell rreziqe. Marrim prosperitetin, zgjerimi shton tregjet, fuqizon zinxhirët e furnizimit, nxit novacionin. E kundërta bën krejtësisht të kundërtën. Vlerat, tregon se Europa është një grup parimesh, shteti i së drejtës, demokracia, të drejtat e njeriut. Jacques Delors i cili është lidhur mjaft ngushtë me të gjithë ju përmes këtij Kolegji thoshte Europa është rrëfenjë vullneti, jo pashmangshmërie. Dhe na duhet ky vullnet për të bashkuar Euopën. Dhe nuk e kuptoj në fakt, vërtetë fjalën zgjerim kur bëhet fjalë për Shqipërinë apo Ballkanin Perëndimor sepse kur një organizëm ose një objekt a shtëpi zgjerohet do të thotë që zgjeron perimetrin e vet. Ndërkohe që ne nuk jemi jashtë perimetrit të Europes por jemi brenda saj. Pra më shumë se zgjerim, është ri bashkim. Është një integrim i plotë i organizmit të saj. Dhe mos harroni që BE është realiteti i parë në historinë e hartave e të gjeopolitikës me dy kufij, një kufi të jashtëm dhe një kufi të brendshëm. Dhe brenda këtij kufiri të brendshëm jemi ne, Ballkani. Si një fetus në mitrën e një gruaje shtatzanë.

Mendoj kështu që më së fundmi jemi në rrugë të mbarë. Dhe jam i sigurtë që tani Federika është më e lehtësuar sepse la Brukselin me një premtim të brendshëm për të mos u kthyer më dhe erdhi në Bruzh për të gjetur strehë, strehë në sytë dhe zemrat e një brezi të ri por jam i sigurtë që kur nisi punën dhe pa studentët e parë që takoi ndjeu keqardhje për ta, duke menduar, “O Zot ju nuk dini asgjë se ç‘është jeta atje jashtë për këdo që ëndërron të bëjë diçka në Bruksel”. Por gjerat kanë ndryshuar, por Europa, BE janë dy fjalë të lidhura me një që është paqja. Dhe paqja ka qenë arsyeja e lindjes së tij, paqja ka qenë arsyeja e ekzistencës së tij dhe paqja duhet të jetë arsyeja e së ardhmes së tij.

Si mund ta lëmë këtë krijese të mahnitshme ndërtuar si një projekt paqeje të kthehet në një makineri lufte, një plan paqeje europian mungon dukshëm dhe është krejt dëshpëruese të shohësh 27 a më shumë se 27 përfshirë ne që presim nga diku jashtë perimetrit të jetës tonë dikë që të na gjejë ndonjë zgjidhje.

Europa ka nevojë për një plan, duhet të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën, të projektojë një rrugë të qartë për ribashkimin e plotë të Europës dhe po kështu të mbajë derën hapur për përfshirje më tej të Rusisë në një vizion të gjerë për stabilitet ndërsa forcon ndikimin global të Europës duke u pozicionuar si një forcë qendrore për diplomacinë, bashkëpunimin e ndërtimin e paqes në skenën botërore.

Tani më lini t’ju afroj më pranë Shqipërisë. 30 vjet më parë Shqipëria ishte papafingoja e harruar e kontinentit, e kyçur, e izoluar, e shpërfillur. Sot Shqipëria është këtu e ka ardhur pasi ka çelur edhe 4 kapituj të tjerë, për 11 muaj kemi çelur praktikisht 28 të tillë. Dhe kanë mbetur dhe 5 të tjerë për tu hapur me shpresë brenda këtij viti që është një rekord kur vjen fjala për ritmin e integrimit të vendeve.

Është një shpejtësi që befason edhe priftërinjtë dhe arqipeshkvit e Brukselit dhe me besoni që të befasosh priftërinjtë në Bruksel është edhe më e vështirë se të befasosh Perëndinë.

Kështu që, ne kemi rindërtuar gjyqësorin tonë përmes një procesi rivlerësimi tejet rrënjësor, diçka që nuk është provuar kurrë më parë në Europë. Kemi harmonizuar ekonominë tonë me tregun e përbashkët, kemi përqafuar agjendën e gjelbër, kemi modernizuar transportin e infrastrukturën digjitale. Këto ditët e fundit komisionerja Marta Kos po përmend kudo barometrin e BE-së për nivelin sesa vendet e Ballkanit mbështesin BE dhe zgjerimin dhe në fakt për habi të gjithkujt që e dëgjojnë, mbështetja e Shqipërisë është 92%. Megjithatë i thashë, ‘’dëgjo, kështu ka qenë edhe për perandorinë osmane, 92%, edhe për perandorinë sovjetike 92%’’ dhe ne i jemi besnikë perandorive dhe u rrimë besnikë miqësive, kështu që gjithsecilit prej jush i jap një këshillë; sigurohuni të keni një mik shqiptar, sigurohuni. Mund të mos keni kurrë nevojë për të, por një ditë, në një orë ku ju duhet dikush, shqiptari do të jetë i pari që do të vrapojë drejt jush.

Federika e di këtë gjë, prandaj do pasaportën shqiptare. Kështu, në një ‘’hakmarrje të ëmbël’’ ndaj së shkuarës sonë, Shqipëria tashmë është një nga vendet më të vizituara në Evropë. 12 milionë vizitorë në vit, në një vend prej 2.5 milionësh është diçka shumë e madhe dhe këta njerëz më së fundmi, po përhapin fjalën që vendi ynë nuk është një vend i zymtë, pa diell e kriminal ku shansi më i mirë është të të vjedhin dhe më i keqi është të të përdhunojnë. Shqipëria nuk është asgjë nga këto. Në të kundërt, të gjithë ata që vijnë nga mbarë Evropa, e kuptojnë realisht se Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të vjedhjeve në Europë. Mbretëria e Bashkuar kryeson. Ata thonë se ‘’po, shqiptarët kanë ardhur te ne’’. Kështu bëhesh kur lë BE-në, flet shumë gjepura.

Kështu që nëse nuk jeni një prej atyre që keni ardhur, ju lutem ejani. Do të shihni vetë që është një vend të cilin ia ven ta vizitosh, një vend ku ende s’kam takuar dikë që ka ardhur e të mos ketë dashur të kthehet. Madje, edhe ambasadorët e vendeve të BE-së që largohen për misione të tjera, e kanë ëndërr të kthehen. Ky është fakt. Dhe një prej tyre ishte dhe ambasadori danez që bëri kërkese të vinte në Shqipëri përmes BE-së, ndërsa ishte emëruar si Sekretar i Përgjithshëm i ambasadës daneze në Pekin dhe në fakt, më erdhi mjaft habi që donte të vinte në Shqipëri e të linte Kinën dhe i shkrova; “çfarë po ndodh’’? Ai më tha ‘’Nuk e kupton. Nëse ke qenë një herë në Shqipëri, edhe Kina të duket në shaka”. Kjo është e vërtetë.

Thjesht po kaloj disa nga ato gjërat që ambasadori më ka shkruar që t’ua tregoj ju, po ju nuk keni nevojë për to, si për shembull, “Shqipëria është e përkushtuar ndaj procesit…”.

Një gjë është e sigurt, që ne vërtetë jemi të përkushtuar dhe Federika më mësonte se ky ishte një proces i bazuar në meritë dhe gjithkush e përsërit këtë, “proces bazuar në meritë”, kurse unë besoj që ky është proces i bazuar në ‘’martesë’’ ndaj duhet shumë për të pasur një kontratë që është shumë e qartë dhe është kaq e gjatë si kontratë, saqë shikoni Britaninë; në momentin që do që të ‘’divorcohesh’’ është një ide kaq e tmerrshme sepse nuk çlirohesh nga ajo martesë dhe çmendesh gjithmonë e më shumë kështu që më mirë martohu, rri aty brenda, sillu mirë dhe shijo shoqërinë e mirë.

Siç e kam thënë më parë dhe e përsëris, e vërteta është se qysh se Putini pushtoi Ukrainën, procesi u bë real në kuptimin që më së fundi, BE jo vetëm e kuptoi me fjalë, por edhe e tregoi me vepra duke nxitur për një integrim më të shpejtë dhe kuptoi edhe diçka më thelbësore që ne e kemi thënë përherë; nuk është diçka që duhet ta bëni ju për ne, është diçka që duhet ta bëni për veten, pikërisht për të njëjtat arsye, që ato segmente të shoqërive kundër zgjerimit po thonë “jo”. Siguria, për sigurinë e vet dhe tashmë është shumë e qartë, lufta në Ukrainë i bëri iluzionet copë e thërrime, na kujtoi diçka që dikur Evropa e dinte shumë mirë, paqja s’është kurrë e përhershme. Duhet mbrojtur përditë dhe duhet të jetë një busull e jetës së përditshme, pa pasur nevojë për një luftë për të kuptuar sa e çmuar është dhe zgjerimi, ribashkimi siç unë e them, është pjesë e kësaj mbrojtjeje, por nuk është vetëm mbrojtje, është edhe mundësi. Çdo zgjerim ka sjellë Spanja, Portugalia, Irlanda, Evropa qendrore dhe çdo herë zgjerimi ka qenë një motor rritjeje. Sot, me fuqi të tjera që po shfaqen, Kina, India, Brazili, më të reja, më të uritura, më të shpejta, Europa jo vetëm rrezikon të tkurret politikisht, po rrezikon të mbetet pas ekonomikisht e të humbasë rëndësinë e saj. Për të ruajtur rëndësinë e saj, Europa duhet të bëhet më e madhe, e më kohezive e duhet të mendojë në termat e një tregu që bën bashkë të gjitha vendet demokratike të Europës që janë pjesë e Këshillit Politik Evropian, çka e bën atë një forcë mjaft të madhe zhvillimi e ndryshimi. Mësimet janë shumë të qarta. Çështja është, a do të merren seriozisht? Vonesa është e rrezikshme, shumë e rrezikshme.

Dëgjova sërish Mario Draghin që e përsëriste këtë dhe mjaft fort. Paqartësia mbjell dëshpërim dhe dëshpërimi shkon deri tek ai qytetari mesatar, i zakonshëm. Dëshpërimi mbjell nacionalizëm e nacionalizmi përhapet kudo, në Ballkan ne jemi në një pozitë shumë më të mirë, por tashmë jemi shumë të shqetësuar për ballkanizimin e Europës.

Për ta përmbyllur, do të sjell këtu një eruopian shumë të madh, Helmut Kohl i cili dikur tha, ‘’Europa duhet të jetë e ardhmja jonë ose nuk do të jetë më’’. Kjo mbetet e vërtetë dhe që Europa të vazhdojë të jetë Europë, dhe ribashkimi dhe zgjerimi duhet të jetë një domosdoshmëri e rritja, e paqja duhet të jenë krahët që kurrë të mos mbyllemi më por që të rrimë gjithnjë e më lart, në të kundërt nuk do të ketë më Europë dhe çdo hap përpara, na thotë historia e BE-së, ka ardhur në momente rreziku nga çeliku e qymyri, nga Roma, nga tregu i përbashkët, nga euro, nga big bang-u i zgjerimit.

Sot, armiku im më i madh është fragmentarizimi në një botë tejet të luhatshme dhe përgjigjja jonë më e mirë, është bashkimi, me qëllim solidaritet e bindjen e patundur se paqja është ajo për të cilën duhet të punojmë në këtë kënd të botës, jo lufta. Ndaj le të ndërtojmë një Europë të fortë siç është në ëndrrat tuaja dhe të patrembur nga fati i saj. Lajmi i mirë është që Shqipëria është gati. Europa duhet t’i përgjigjet thirrjes dhe të gjithë së bashku duhet ta bëjmë që të ngrihet në nivelin e sfidës, pa harruar kurrë për paqe, për begati, për siguri që nënkupton për të ardhmen e saj.

Faleminderit shumë!

/Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Komandanti Suprem i Aleancës në Evropë në vizitën e parë në Tiranë, takim me Vengun

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu priti sot në takim komandantin Suprem të Aleancës në Evropë (SACEUR) gjeneralin Alexus Gregory Grynkewich,…

Global 360

Protesta në Hagë, Rama: Asgjë tjetër përveç drejtësisë, për Kosovën dhe çlirimtarët e saj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shqiptarët kërkojnë vetëm drejtësi për Kosovën dhe çlirimtarët e saj.

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Humanizmi sot në shoqëri sfidë për njerëzimin!

Humanizmi sot nuk është thjesht një koncept filozofik, por një nevojë absolute shoqërore dhe morale.

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Komandanti Suprem i Aleancës në Evropë në vizitën e parë në Tiranë, takim me Vengun

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu priti sot në takim komandantin Suprem të Aleancës në Evropë (SACEUR) gjeneralin Alexus Gregory Grynkewich,…