
Rama: Plazhet e Ksamilit dhe Dhërmiut, tërësisht publike
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se plazhi i Ksamilit dhe ai i Dhërmiut duhet të jenë plazhe publike, ndërsa tërhoqi vëmendjen për “dhunimin” e këtyre plazheve nga subjektet private.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se plazhi i Ksamilit dhe ai i Dhërmiut duhet të jenë plazhe publike, ndërsa tërhoqi vëmendjen për “dhunimin” e këtyre plazheve nga subjektet private.
Gjatë aktivitetit të organizuar sot me temë “Shqipëria Turistike 2030”, Kryeministri u shpreh se kemi probleme dhe sfida që nuk presin për t’i adresuar, siç është rasti i plazheve të dhunuara.
“Sipas meje, kjo është fjala e duhur për plazhin e Ksamilit: ‘plazh i dhunuar’. Kjo edhe për një sërë plazhesh të tjera, por po marr Ksamilin se është një nga plazhet më të bukura të botës, por nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shikojnë si një tokë për t’u pushtuar dhe pastaj për t’u sjellë me turistët dhe vizitorëve sikur të ishin skllevër që mund të hanë edhe bishtin e çadrës mbi kokë”, shtoi Rama.
Kryeministri tërhoqi po ashtu vëmendjen për çmimet e larta të shezlongëve dhe abuzimet me administrimin e plazheve nga privati.
“Apo për të vendosur çmime për të qëndruar në një dendësi të paimagjinueshme në plazh, që janë çmime që vetëm dëmtojnë imazhin e turizmit shqiptar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “plazhet e dhunuara duhet t’ua heqim nga dora privatëve”.
“Nuk ka arsye më që plazhi publik i Ksamilit të jetë një plazh privat, ku dendësia është e lidhur me stresin e çmimeve marramendëse dhe shërbimin mizerabël. Plazhi i Dhërmiut nuk ka nevojë fare të ketë subjekte që vijnë nga zona të tjera për të vendosur çadra, shezlongë dhe beach bar-e që çmendin dynjanë me muzikën e tyre”, tha Rama.
Rama solli në vëmendje shembullin e bashkisë së Himarës, e cila sipas tij, “ka treguar me shembull konkret se si bashkia mund të administrojë një plazh me përmasa modeste”.
“Jo thjesht duke hapur zonën që të shkosh dhe të shtrihesh në rërë, por duke pasur çadra të loguara me ngjyrat e bashkisë së Himarës, me një shërbim të absolutisht të pastër dhe të këndshëm, pa asnjë stres”, shtoi Rama.
Por, sipas tij, plazhe si plazhi i Durrësit, i Shëngjinit apo i Velipojës që janë plazhe të mëdha, nuk mund të kthehen në plazhe 100% të administruara nga bashkia.
“Duhet të vazhdojmë në shembullin dhe praktikat më të mira, të rrisim kërkesën për një shërbim cilësor që i përgjigjet asaj që qytetari paguan. Natyrisht, nëse ato plazhe kanë qenë shumë më të frekuentuara kjo ka qenë e lidhur edhe me përputhjen e cilësisë së shërbimit me kërkesën, sepse nuk mund të vendosësh çmime marramendëse për një shezlong thjesht dhe vetëm se je në Ksamil, në një oaz të natyrës ku ti vetë nuk ke asnjë kontribut as për ngjyrën e detit, as për cilësinë e rërës, as për bukurinë që të rrethon”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se çdo subjekt privat duhet të ofrojë cilësinë që përputhet me çmimin që vendos. “Jo të vësh shezlong ku rrezikon të të penetrojë gozhda e ndryshkuar”, shtoi ai.
Rama vlerësoi sërish modelin e ndjekur nga bashkia e Lezhës, e cila ka pasur rol kyç në garantimin e pastërtisë.
“Eksperienca e mbështetjes së gjithë bashkive nga ministria dhe qeveria duke i dyfishuar, dhe më shumë se dyfishuar, në pjesë të caktuara, forcat e pastrimit përmes operacioneve ‘Plazhe të pastra’, ka treguar se është e mundshme. Atëherë është plotësisht e mundshme që ne ta rishikojmë edhe një herë planin dhe ta përmirësojmë bazuar në mësimet e këtij viti në funksion të qytetarëve dhe publikut dhe jo në funksion të uzurpatorëve dhe shfrytëzuesve të paskrupullt të atyre hapësirave që marrin dhe të njerëzve që nuk kanë lidhje fare me atë lloj biznesi strategjik”, shtoi Rama.
/Burimi ATSH