
Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë thellon rolin shumëpalësh dhe partneritetin e saj global
Takimi vjetor i Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë u zhvillua nga data 24 deri më 26 Qershor 2025 në Pekin.

Nga Prof. Dr. Petraq Milo
Takimi vjetor i Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë është zhvilluar nga data 24 deri më 26 Qershor 2025 në Pekin. Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë u themelua zyrtarisht më 25 dhjetor te vitit 2015. Propozimi ideje për krijimin e një Banke Aziatike Investimesh në Infrastrukturë u bë për herë të parë nga Zëvendëskryetari i Qendrës Kineze për Shkëmbime Ekonomike Ndërkombëtare, në Forumin Bo’ao në prill të vitit 2009. Kjo ide u lançua zyrtarisht nga Presidenti Xi Jinping gjatë një vizite shtetërore në Indonezi në tetor 2013. Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë u themelua mbi parimet e multilateralizmit dhe standardeve të larta ndërkombëtare, ka nënvizuar Presidenti i Bankës, Jin Liqun, duke vënë në dukje se këto parime i kanë mundësuar bankës të fitojë besim dhe pjesëmarrje të gjerë në të gjithë globin. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë rreth 2,500 persona, duke përfshirë guvernatorët e bordit nga anëtarët e AIIB, drejtuesit e institucioneve kryesore globale të zhvillimit multilateral dhe bilateral, drejtuesit e institucioneve të rëndësishme financiare dhe sektorëve privatë, si dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare.
Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë/Foto nga VCG
Kombet e Bashkuara e kanë trajtuar hapjen e Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë si një potencial për rritje të financimit për zhvillim të qëndrueshëm dhe për të përmirësuar qeverisjen ekonomike globale. Tema për takimin vjetor të vitit 2025 është “Lidhja për Zhvillim, Bashkëpunim për Prosperitet”. Ky takim do të përforcojë vizionin e bankës, duke theksuar evolucionin e saj si një Bankë Shumëpalëshe e Zhvillimit (MDB)[1], duke nxjerrë në pah disa nga arritjet kryesore të bankës në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, krijimin e pasurisë dhe përmirësimin e lidhshmërisë së infrastrukturës në të gjithë anëtarët e saj në Azi si dhe më gjerë. Investimet e bankës përfshijnë jo vetëm Azinë, por edhe Afrikën, Amerikën Latine dhe më gjerë, duke reflektuar angazhimin e saj për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm global. Duke reflektuar këtë vizion, banka ka zgjeruar në mënyrë aktive partneritetet e saj globale dhe përpjekjet bashkëpunuese të financimit. Banka është partneri më i madh i bashkëfinancimit i Bankës Botërore dhe Bankës Aziatike të Zhvillimit, dhe ka ndërtuar partneritete me mbi 100 organizata, duke përfshirë institucione shumëpalëshe dhe rajonale, banka politikash, aktorë të sektorit privat dhe fondacione filantropie. Përveç lidhjeve të saj me vendet në zhvillim, banka ka nxitur në mënyrë aktive partneritete me vendet e zhvilluara si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, duke kanalizuar fonde nga ekonomitë e zhvilluara në ekonomitë në zhvillim. Projektet e financuara nga banka po shtrihen përtej Azisë, duke mbështetur vendet e mëdha të pazhvilluara në Afrikë dhe Amerikën Latine. Përmes investimeve në infrastrukturë, banka u ka ofruar ekonomive në zhvillim nxitje për rritjen ekonomike dhe ka mundësuar pole të reja për zgjerimin ekonomik global.
Takimi vjetor i Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë/Foto nga VCG
Themeluar në vitin 2015, Banka Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë është rritur nga 57 anëtarë themelues në 110 në gjashtë kontinente, duke mbuluar 81 përqind të popullsisë së botës dhe 65 përqind të PBB-së globale. Ndarja e 110 anëtarëve sipas kontinenteve është 42 në Azi, 26 në Evropë, 22 në Afrikë, 10 në Oqeani, 8 në Amerikën e Jugut dhe 2 në Amerikën e Veriut. Duke reflektuar mbi zhvillimin e Bankës, zëvendës presidenti i Bankës Zoti Ludger Schuknecht e ka përshkruar : “si një bankë inovative e shekullit të 21-të, një pasqyrim i bashkëpunimit të ekonomive në zhvillim dhe ato emergjente, të cilat mbajnë shumicën e fuqisë votuese, e vlerësuar në më shumë se 70 përqind e votave të bankës”. Banka Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë ka staf nga mbi 70 vende dhe projekte në gati 40 ekonomi brenda dhe përtej Azisë. Diversiteti dhe shtrirja e saj globale janë pikat e forta kryesore të saj. Gjatë një dekade, ajo ka miratuar mbi 60 miliardë dollarë amerikanë në financim për 320 projekte, duke u mobilizuar më shumë se 200 miliardë dollarë kapital. Në tregjet të kapitalit, banka ka emetuar mbi 54 miliardë dollarë obligacione ekuivalente në monedha të ndryshme. Banka ka mbajtur vazhdimisht vlerësimet e kreditit me 3A nga Moody’s, S&P dhe Fitch Moody’s.
Në fillim, Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë është lidhur në mënyrë të qartë me Iniciativën “Një Brez, një Rrugë” të Kinës. Banka u zgjerua më pas për t’u përfshirë në investime dhe me shtete që nuk janë të përfshira në iniciativën “Një Brez, një Rrugë”. Misioni i saj është karakterizuar në mënyrë më të përgjithshme në ndërtimin e infrastrukturës për të nesërmen, me fokus në infrastrukturën dhe lidhshmërinë e gjelbër. Banka Aziatike Investimesh në Infrastrukturë kontribuon në këtë qëllim jo vetëm duke financuar infrastrukturën, por edhe duke mbështetur ofrimin e të mirave publike globale, siç janë veprimi për klimën, teknologjia inovative, energjitë e rinovueshme dhe zhvillimi urban. Banka ofron financim me cilësi të lartë dhe kosto të ulët që i përshtatet nevojave të ndryshme të zhvillimit të anëtarëve, si dhe lehtëson zhvillimin e tyre nëpërmjet ndarjes së ekspertizës dhe përvojës. Duke u përqendruar në investimet në infrastrukturë, banka ka ndihmuar në krijimin e kushteve të favorshme për avancimin e ndërtimit të infrastrukturës në vendet në zhvillim. Projektet e infrastrukturës kanë gjeneruar përfitime të favorshme ekonomike dhe sociale në këto vende duke nxitur rritjen ekonomike lokale dhe ngjitjen e tyre në shkallën e vlerës në zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit.
Kryeministri kinez Li Qiang mbajti një fjalim në ceremoninë e hapjes së Takimit të 10-të Vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë, më 26 qershor./Foto nga Xinhua
Mes sfidave globale në rritje, Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë po pozicionohet si një bankë zhvillimi e orientuar drejt së ardhmes duke mbështetur infrastrukturën tradicionale dhe digjitale. Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë po luan një rol gjithnjë e më të spikatur në avancimin e lidhshmërisë, rritjes së gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm në të gjitha rajonet. Në vitin 2020, banka lançoi strategjinë e saj korporative me temë “Infrastruktura për të Nesërmen”, me përparësi që përfshijnë infrastrukturën e gjelbër, infrastrukturën e mundësuar nga teknologjia, lidhshmërinë dhe bashkëpunimin ndërkufitar, si dhe mobilizimin e kapitalit privat. Duke folur në ceremoninë e hapjes së Takimit të 10-të Vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë, Kryeministri kinez Li Qiang pohoi angazhimin e Kinës për hapje me standarde të larta dhe integrimin e saj të thellë dhe të vazhdueshëm në ekonominë globale, një veprim që do të krijojë mundësi të reja zhvillimi në të gjithë botën., duke theksuar se : “Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të mbështetur Bankën Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë në fillimin e një dekade të re lavdie dhe për të dhënë kontribute më të mëdha në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të anëtarëve të saj dhe avancimin e ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”.
Si një institucion ndërqeveritar dhe shumëpalësh zhvillimi Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë praktikon multilateralizëm të vërtetë, duke promovuar lidhshmërinë dhe integrimin ekonomik në ekonomitë e vendeve përmes ndërtimit të infrastrukturës. Duke praktikuar multilateralizëm të vërtetë banka ofron siguri më të madhe për zhvillimin global mes pasigurive në rritje. Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë ka ndjekur parimet e drejtësisë, barazisë dhe pjesëmarrjes së përbashkët, duke siguruar që çdo anëtar të ketë të drejtën e votës dhe të mund të artikulojë plotësisht interesat e tij, duke përfaqësuar realisht interesat thelbësore të shumë vendeve në zhvillim. Në takimin e 10-të Vjetor të Bordit të Guvernatorëve, banka ka riafirmuar angazhimin e saj për bashkëpunim më të thellë ndërkombëtar përmes infrastrukturës dhe e përqendruar në mbështetjen e multilateralizmit, të cilin e konsideron thelbësor për uljen e varfërisë, promovimin e prosperitetit të përbashkët dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Burimi CGTN