Spiropali në samitin “Evropë Juglindore-Ukrainë” në Odesa: Përkrah Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali mori pjesë sot në samitin “Evropë Juglindore – Ukrainë”, i cili zhvillohet në Odesa.


Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali mori pjesë sot në samitin “Evropë Juglindore – Ukrainë”, i cili zhvillohet në Odesa.

Në fjalën e saj në samit, Spiropali shprehu solidaritetin e Shqipërisë me Ukrainën në luftën e saj të drejtë dhe heroike për të mbrojtur pavarësinë, demokracinë dhe popullin e saj. Kryeparlamentarja rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën.

“Odesa është një qytet simbol i guximit dhe qëndresës. Samiti Ukrainë–Evropa Juglindore është një pikë bashkimi – një rikonfirmim kolektiv i vlerave tona të përbashkëta: paqes, sovranitetit dhe stabilitetit rajonal. Ndodhemi këtu për të shprehur solidaritetin tonë të palëkundur me Ukrainën në luftën e saj të drejtë dhe heroike për të mbrojtur pavarësinë, demokracinë dhe popullin e saj. Si përfaqësuese e një kombi të vogël, por qëndrestar, një kombi që e di mirë çmimin e lirisë dhe vlerën e paqes, jam sot këtu për të rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Ukrainën”, tha Spiropali.

Spiropali shtoi se “ne jemi përkrah jush sepse besojmë thellësisht në parimet që na bashkojnë – parime që tashmë sulmohen nga agresioni i paprovokuar dhe brutal i Rusisë.

“Ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj realitetit që kemi përpara. Kjo luftë – tashmë në vitin e saj të tretë – ka tronditur themelet e rendit ndërkombëtar. Ajo ka lëshuar një hije të gjatë dhe të errët mbi Evropë, duke kapërcyer kufijtë e Ukrainës. Dhe nuk rrezikohet vetëm e ardhmja e një shteti sovran, por vetë integriteti i sistemit ndërkombëtar, të bazuar në rregulla”, tha Spiropali.

Kryetarja e Kuvendi nënvizoi se “agresioni i Rusisë është më shumë se një shkelje e integritetit territorial të Ukrainës. Ai është një goditje ndaj parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Është një sfidë ndaj demokracisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtës së çdo kombi – të madh apo të vogël – për të përcaktuar vetë fatin e tij”.

“Pavarësisht vuajtjeve të mëdha dhe shkatërrimit të pamasë, populli i Ukrainës ka qëndruar me një guxim të pashoq. Qëndresa e tyre përballë mizorive ka frymëzuar botën. Qytetet mund të jenë kthyer në gërmadha, jetët janë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme dhe miliona njerëz janë detyruar të largohen – por shpirti ukrainas nuk është thyer. Përkundrazi, ai shndrit më shumë se kurrë, duke ndriçuar rrugën për të gjithë ata që besojnë tek liria”, shtoi Spiropali.

Spiropali tha më tej se “ne nuk mund ta bëjmë një sy qorr përpara këtyre krimeve. Rusia duhet të japë llogari – për çdo predhë, për çdo krim lufte, për çdo jetë të humbur. Heshtja është bashkëfajësi, dhe bota nuk mund t’ia lejojë vetes të rrijë e heshtur”.

“Lufta e Ukrainës sot është një provë e ndërgjegjes tonë kolektive. Është një provë për të parë nëse jemi të gatshëm të qëndrojmë në mbrojtje të vlerave që pretendojmë se i çmojmë. Dhe është një provë ku nuk mund t’ia lejojmë vetes të dështojmë– jo vetëm për Ukrainën, por për të ardhmen e paqes në Evropë dhe për brezat që do të vijnë”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.

Më tej Spiropali u bëri në krahasim me Evropën Juglindore, duke theksuar se duhet të bëjmë më shumë për Ukrainën. Spiropali tha se duhet të të vijojmë mbështetjen tonë të palëkundur politike, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.

“Ne, në Evropën Juglindore, këtë e kuptojmë shumë mirë. Shumë prej vendeve tona kanë përjetuar konfliktin, shtypjen dhe pushtimin. Ne e dimë çfarë do të thotë të luftosh për të drejtën për të jetuar në paqe, për të zgjedhur të ardhmen tonë dhe për të qenë pjesë e një komuniteti kombesh të lira. Për këtë arsye, duhet të bëjmë më shumë.

“Së pari, duhet të vijojmë mbështetjen tonë të palëkundur politike, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.

“Së dyti, duhet të përballemi me kërcënimet e tjera që shoqërojnë këtë luftë – dezinformimin, sulmet kibernetike dhe përpjekjet për të destabilizuar demokracitë tona nga brenda.

Së treti, duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për tu riangazhuar për Evropën që duam të ndërtojmë – një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe. Sepse paqja nuk është diçka që ta japin. Ajo është një përgjegjësi. Duhet të fitohet, të mbrohet dhe të përtërihet”, tha Spiropali.

“Shqipëria është e vendosur për këtë angazhim”, shtoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se “ne kemi mbështetur Ukrainën përmes ndihmës humanitare, miratimit të sanksioneve dhe avokimit të zëshëm për rrugëtimin e saj evropian. Ne besojmë se Ukraina i përket Bashkimit Evropian dhe do të vazhdojmë të jemi një zë i fuqishëm në mbështetje të integrimit të saj”.

“Sot dua të përcjell jo vetëm fjalë solidariteti, por një premtim: Shqipëria qëndron përkrah Ukrainës – sot, nesër dhe për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Lufta juaj është edhe lufta jonë. Shpresa juaj është edhe shpresa jonë. E ardhmja juaj është e ardhmja jonë e përbashkët. Uroj të kthehet sa më shpejt paqja, drejtësia dhe liria në Ukrainë!”, u shpreh Spiropali.

Përpara fillimit të samitit, pjesëmarrësit vendosën buqeta me lule në Memorialin e të rënëve në luftën e Ukrainës.

Ky është Samiti i Katërt “Evropë Juglindore-Ukrainë” dhe në të morën pjesë: Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, Presidentja e Moldavisë Maia Sandu, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović , Presidenti i Rumanisë Nicuș or Dan, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić, Kryeministri i Bullgarisë Rossen Jeliazkov, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković , Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti,Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Jashtme e Sllovenisë Tanja Fajon.

Burimi ATSH

INSTAT: Popullsia më 1 janar 2025 rezultoi 2.363.314 banorë

Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2025 rezulton 2.363.314 banorë, duke pësuar rënie me 1,2 %, krahasuar me 1 janar…

Global 360

Negociatorët e SHBA-së dhe BE-së diskutojnë tarifat tregtare

Negociatorët tregtarë të SHBA-së dhe BE-së kane nisur sot në Paris – negociatat për një zgjidhje të mosmarrëveshjes së tensionuar…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

INSTAT: Popullsia më 1 janar 2025 rezultoi 2.363.314 banorë

Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2025 rezulton 2.363.314 banorë, duke pësuar rënie me 1,2 %, krahasuar me 1 janar…