
Frederiksen: Koha që Evropa të mbrojë veten, Rama: Edhe idealin mbi të cilin është ngritur
Kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, vend i cili është pritësi i radhës i Samitit të Komunitetit Politik Evropian, zhvilluan sot një konferencë të përbashkët për shtyp

Kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, vend i cili është pritësi i radhës i Samitit të Komunitetit Politik Evropian, zhvilluan sot një konferencë të përbashkët për shtyp në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Kryeministri Rama dhe kryeministrja Frederiksen iu përgjigjën pyetjes së një gazetari të huaj lidhur me faktin nëse ka dallime në qëndrim mes tyre, për sa kohë u fol nga njëra anë për përparësinë e çështjes së sigurisë dhe riarmatosjen e Evropës, ndërsa Rama tha se riarmatosja nuk është gjithçka.
Kryeministrja Frederiksen u shpreh se “jemi të dy vende anëtare të NATO-s, dhe jemi për të marrë pjesë në Samitin e Hagës dhe natyrisht që ne do të angazhohemi edhe më tej në NATO për të shpenzuar më shumë, në mënyrë që të jemi në gjendje që të riarmatosim të gjithë Aleancën brenda një afati të shkurtër kohe. Duhet të jemi në gjendje të mbrojmë veten, jo vetëm pse jemi transatlantikë, jemi shumë transatlantikë, por me pasigurinë që po sjellë SHBA-ja në tryezë, është e rëndësishme për gjithë Evropën që të jetë e aftë të mbrojë veten”, tha Frederiksen.
Sipas saj, nuk mund të fitosh një luftë, pa armë, pasi me përvojën e viteve të fundit, nëse Evropa nuk është e gatshme të mbrojë veten, është shumë e brishtë. “Riarmatimi i Evropës është detyra më e rëndësishme. Shpresoj që ky do të jetë edhe përfundimi i Samitit të Hagës pas një muaji. Që të gjithëve do na duhet të shpenzojmë më shumë për të mbrojtur veten”, vijoi ajo.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama u shpreh se nuk është çështje dallimi, përkundrazi Rama tha se e mbështet plotësisht idenë që Evropa duhet të bëjë më shumë kur vjen fjala te mbrojtja e saj dhe investimi në kapacitetet e vetëmbrojtjes.
“Por, unë besoj nga ana tjetër diçka që lidhet me emrin e vetë Evropës. Evropa ka qenë gjithmonë përfaqësuese e disa gjërave që të tjerët i kanë pasur zili dhe mes tyre është aftësia për të parashikuar paqe të përhershme, për ta projektuar atë dhe kapaciteti për të shtyrë edhe në kërkim të paqes së pamundur”, tha Rama.
“Vetë BE-ja është produkt praktikisht i një ëndrre fëmije, të cilën askush ndoshta nuk do ta besonte, por ja që ndodhi. Armiq për vdekje, u bënë aleatë strategjikë. Po, na duhet t’i bëjmë të gjitha ato për të cilat është folur për mbrojtjen, por kemi edhe një shpirt që duhet ta mbrojmë dhe jo vetëm territorin, kemi një të ardhme që duhet ta ndërtojmë dhe kjo nënkupton që duhet të punojmë në të dyja drejtimet. Dhe natyrisht, ka edhe një pikëpyetje që duhet ta bëjmë mbi faktin pse duhej pritur Donald Trump që të vinte dhe të merrte në konsideratë paqen”, pohoi Rama.
Sipas Kryeministrit Rama, e gjithë kjo ndoshta ka ardhur “për faktin se të gjithë ishim shumë shumë të përqendruar dhe të apasionuar pas një kauze shumë të drejtë, të duhur, por nga ana tjetër humbëm ca terren kur vjen puna te diplomacia”.
“Kjo ishte fjala ime, ishte ideali kryesor që nuk duhet ta humbasim nga sytë, se nëse e humbim nga sytë, atëherë humbasim diçka që i bën territoret tona me më pak vlerë për t’u mbrojtur. Ky është mendimi im dhe këtu s’ka asnjë kontradiktë”, cilësoi Rama.
Burimi ATSH