
Xi Jinping-u kërkon forcimin e bashkëpunimit në takimin Kinë-CELAC
Presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje të martën se Kina është e gatshme të forcojë solidaritetin me vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve dhe njoftoi pesë projekte të mëdha për të nxitur zhvillimin dhe rigjallërimin e përbashkët me këto vende.

Presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje të martën se Kina është e gatshme të forcojë solidaritetin me vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve dhe njoftoi pesë projekte të mëdha për të nxitur zhvillimin dhe rigjallërimin e përbashkët me këto vende.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në ceremoninë e hapjes së Takimit të Katërt Ministror të Forumit Kinë-CELAC (Komuniteti i Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve) në Pekin, Xi u shpreh se në vitin 2024, tregtia midis Kinës dhe vendeve të Amerikës Latine i tejkaloi për herë të parë 500 miliardë dollarët, duke u shtuar mbi 40 herë në krahasim me fillimin e këtij shekulli.
Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje më tej që, përballë ndryshimeve të situatës ndërkombëtare të papara në një shekull dhe rreziqeve të shumëfishta, vetëm me bashkëpunim vendet e ndryshme mund të mbrojnë paqen e qëndrueshmërinë botërore dhe të promovojnë zhvillimin e lulëzimin global.
Nuk ka të fituar në luftën tarifore e tregtare dhe ngacmimi e hegjemonia do të sjellin vetëm vetizolim, theksoi presidenti kinez.
Foto nga Xinhua
Xi Jinping-u njoftoi gjithashtu se Kina do të nisë pesë projekte të mëdha, të fokusuara përkatësisht në solidaritetin, zhvillimin, qytetërimin, paqen dhe shkëmbimet njerëzore me vendet e Amerikës Latine, për të promovuar së bashku zhvillimin e rigjallërimin.
Gjatë tre vjetëve të ardhshëm, pala kineze do të ftojë 300 zyrtarë partiakë e politikë të shteteve të CELAC-ut në vit për ta vizituar Kinën për shkëmbime mbi përvojën qeverisëse, tha ai.
Xi u shpreh se Kina është e gatshme të punojë me vendet e Amerikës Latine për të zbatuar Nismën e Zhvillimit Global, për të mbrojtur me vendosmëri sistemin tregtar shumëpalësh, për të ruajtur funksionimin e qëndrueshëm të zinxhirëve globalë industrialë e furnizues dhe për të promovuar një mjedis ndërkombëtar të hapur e bashkëpunues.
Kina do të punojë me vendet e Amerikës Latine për të zbatuar Nismën e Sigurisë Globale, për të forcuar bashkëpunimin në fushën e përballimit të fatkeqësive, të sigurisë kibernetike, të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar ndërkombëtar e drogës, si edhe të antikorrupsionit, duke mbrojtur së bashku sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale, vuri në dukje ai.
Foto nga Xinhua
Xi njoftoi gjithashtu se Kina ka vendosur të ofrojë hyrje pa viza për shtetasit e pesë vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, dhe do ta zgjerojë këtë politikë në më shumë vende e rajone.
Të martën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime në Pekin me homologun e tij brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, që ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë.
Gjatë bisedimeve, Xi u shpreh se, në situatën e ndërlikuar ndërkombëtare, Kina dhe Brazili duhet të promovojnë krijimin e komunitetit me të ardhme të përbashkët ndërmjet të dyja vendeve dhe të thellojnë integrimin e strategjive të zhvillimit, për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Jugut Global.
Ai theksoi se Kina dhe Brazili duhet ta përkrahin njëri-tjetrin në problemet madhore të lidhura me interesat thelbësorë të të dyja palëve dhe të forcojnë shkëmbimet e niveleve të ndryshme, për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe. Të dy palët duhet të forcojnë bashkëpunimin në sektorë si infrastruktura, bujqësia e energjetika dhe të zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e transformimit energjetik, të fluturimeve hapësinore, të ekonomisë digjitale, të AI-së etj. Po ashtu, pala kineze dhe ajo braziliane duhet të shtojnë shkëmbimet njerëzore. Të dy vendet duhet të forcojnë koordinimin në mekanizmat shumëpalësh, si OKB-ja, BRICS-i, Forumi Kinë-CELAC etj., të zbatojnë multilateralizmin, të përmirësojnë qeverisjen globale, të mbrojnë rendin ekonomiko-tregtar ndërkombëtar dhe të kundërshtojnë unilateralizmin, proteksionizmin e hegjemoninë.
Foto nga Xinhua
Nga ana e tij, presidenti Lula da Silva u shpreh se Brazili dëshiron të thellojë bashkëpunimin strategjik me Kinën dhe të promovojë krijimin e komunitetit me të ardhme të përbashkët Brazil-Kinë. Brazili do të thellojë bashkëpunimin me Kinën në fushën e infrastrukturës, të hapësirës ajrore, të financave etj. e do të zgjerojë shkëmbimet kulturore e rinore, duke forcuar më tej miqësinë ndërmjet dy popujve. Në situatën aktuale, mbrojtja e multilateralizmit ka rëndësi shumë të madhe, ndërsa proteksionizmi e shpërdorimi i tarifave nuk do të sjellin zhvillim e lulëzim, por vetëm kaos. Qëndrimi i vendosur i Kinës për përballimin e sfidave globale u ka dhënë vendeve të ndryshme forcë dhe besim. Brazili do të forcojë gjithashtu bashkëpunimin strategjik me Kinën në çështjet ndërkombëtare, për të mbrojtur së bashku interesat e Jugut Global dhe drejtësinë ndërkombëtare.
Dy liderët shkëmbyen mendime edhe për krizën e Ukrainës. Ata ranë dakord për forcimin e koordinimit dypalësh e për nxitjen e dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet Rusisë e Ukrainës, duke luajtur një rol konstruktiv së bashku me vendet e Jugut Global për zgjidhjen e krizës.
Pas bisedimeve, liderët e të dy vendeve dëshmuan nënshkrimin e 20 dokumenteve të bashkëpunimit në fusha si integrimi i strategjive të zhvillimit, shkenca e teknologjia, bujqësia, ekonomia digjitale, financat, kontrolli e karantina, media etj.
Xi dhe Lula patën gjithashtu një takim të përbashkët me gazetarët.
Dy palët publikuan “Deklaratën e përbashkët Kinë-Brazil për forcimin e krijimit të komunitetit me të ardhme të përbashkët për një botë më të barabartë e të qëndrueshme dhe për mbrojtjen e multilateralizmit” dhe “Deklaratën e përbashkët Kinë-Brazil për krizën e Ukrainës”.
Burimi ATSH