Flamuri i Kongresit të Lushnjës, më i rëndësishmi që ekziston sot në trojet shqiptare!

Shqipëria nuk e ka flamurin që ngriti Ismail Qemali në Vlorë, më 28 nëntor 1912!


Nga Andrea Llukani

Fatkeqësisht Shqipëria nuk e ka flamurin që ngriti Ismail Qemali në Vlorë, më 28 nëntor 1912, kështu që Flamuri i Kongresit të Lushnjës konsiderohet si flamuri më i rëndësishëm, që ekziston sot në trojet shqiptare.


Flamuri i Kongresit të Lushnjës

Në kuadër të 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, më 21 janar 2020 u zhvilluan një sërë aktivitetesh për të kujtuar këtë ngjarje madhore të historisë së kombit shqiptar. Si pjesëmarrës në aktivitetin e organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po shkruaj diçka rreth mbresave të këtij aktiviteti, i cili kulmoi me ekspozimin e Flamurit të Kongresit të Lushnjës. Gjendja e flamurit ka qenë e mjerueshme, por duart e arta të Stamatit e restauruan atë, duke e kthyer në objektin më të rëndësishëm të historisë së shqiptarëve.

Sipas Prof. Ass. Dr. Frederik Stamatit, flamuri është prej pëlhure mëndafshi. Në qendër ka shqiponjën me dy krerë, e stilizuar në formën e shqiponjës së përdorur në atë kohë dhe e ngjashme si ide me atë të flamurit të Pavarësisë. Shqiponja është realizuar në një pëlhurë të mëndafshtë, që është qepur mbi pëlhurën e kuqe. Në njërën anë të flamurit ka tri unaza metalike, që shërbenin për ta lidhur në një shtizë a litar. Përmasat e tij janë: gjatësia 121 cm, kurse gjerësia 70 cm. Mbi shqiponjën e njërës anë, mbi pëlhurë dallohet një vulosje, ku lexohet data 20.01.1920 dhe poshtë datës: LUSHNJE. Vula tregon zyrtarizimin e flamurit një ditë përpara fillimit të punimeve të Kongresit të Lushnjës. Ende nuk e dimë se kush e ideoi përdorimin e këtij flamuri dhe kush e vulosi, por dimë se kush e kaloi atë në arkivat e historisë, duke e dorëzuar në muze. Ky ishte Veli Vasiari, që në kohën e Kongresit ka qenë zëvendësprefekt i Lushnjës.


Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati dhe ministrja e kohës, Elva Margariti

Flamuri i Kongresit të Lushnjës ruhet në fondin etnografik të Institutit të Antropologjisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike. Flamuri kishte grisje dhe shqyerje, të shkaktuara nga dekompozimi i pëlhurës.

Kjo dukej në fotot e marra me teknikën SEM, (Scanning Electron Microscopy), në vitin 2012 në universitetin e Ljubljanës. Sa herë që hapej lëshonte pluhur të kuq, dëmtim që ka ardhur si pasojë e përdorimit.


Studiuesi Andrea Llukani

Flamuri i Kongresit të Lushnjës duhej restauruar e konservuar. Për të restauruar Flamurin e Kongresit të Lushnjës Stamati duhej të udhëtonte drejt Vjenës për të siguruar fillin e mëndafshit, që të ishte identik me atë të flamurit. Gjithashtu dërgoi kampionët për analiza në Laboratorin Shkencor të Brukselit.

Pas një pune sistematike u mundësua restaurimi i flamurit me financimin e Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar.


Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati

Kush është Frederik Stamati

Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati ka studiuar në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në Tiranë, dega Kimi Industriale. Për shumë vite ka punuar si përgjegjës në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë, pranë Institutit të Histori-Gjuhësisë, Institutit të Historisë, Iinstitutit të Kulturës Popullore dhe Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, ku është marrë me konservimin e objekteve etnografike dhe arkeologjike.

Gjatë viteve që ka punuar e në vazhdim numuri i objekteve të konservuar, (restauruar), arrin mbi 18000. Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati ka qenë Kryetar i Shoqatës së Restauruesve Shqiptarë, anëtar i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve pranë ministrive, që kanë mbuluar kulturën, anëtar i Këshillit Shkencor të Restaurimeve pranë Muzeut Historik Kombëtar etj.

Ai ka botuar mbi 70 studime të ndryshme shkencore lidhur me konservimin muzeal dhe arkeometrinë. Ndër botimet e tij mund të përmendim:

1. “Konservimi i ngjyrave në tekstilet popullore”; 2. “Mjedisi në muzeumet e Shqipërisë”; 3. “Lufta kundër biodegradimit në muzeumet e Shqipërisë”; 4. “Për flamujt e Muzeut Kombëtar, 1922-1940”.

Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati ka botuar rreth 50 artikuj shkencorë, si autor dhe si bashkëautor në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu ka mbajtur rreth 18 kumtesa në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare.

Nga librat më të rëndësishëm që ka botuar Prof. As. Dr. Frederik Stamati është “Për flamujt e Muzeut Kombëtar 1922-1940” shtypur nga shtëpia botuese “Streha”. Libri trajton historinë e flamujve, që janë dorëzuar për ruajtje në Muzeun Kombëtar dhe është mjaft i domosdoshëm për muzeologjinë shqiptare.
Identifikimi i flamujve dhe historia që i shoqëron ata, nuk ka qenë një punë e lehtë për autorin e librit Prof. As. Dr. Frederik Stamatin. Në varësi të dokumenteve të gjetura rishtas, janë botuar në shtypin e ditës artikuj me të dhëna të reja, duke pasuruar biografinë flamujve, madje, edhe duke saktësuar më tej edhe çështje të ndryshme të historisë së tyre. Ky botim është më i ploti, por, gjithsesi, i bazuar në artikujt e botuar më parë.

Në këtë libër janë shmangur përsëritjet që shoqërojnë shkrimet në gazeta.

Dokumentacioni i veprimtarisë administrative të Muzeut Kombëtar, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, përmban këta flamuj:

1. Flamuri i teqes Sofi të Petrelës, me të cilin paria e Petrelës shkoi në Shkodër në vitin 1880 në përgjigje të thirrjes së Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë. Flamuri është dorëzuar në Prefekturën e Tiranës për Muzeun Kombëtar nga komuna e Petrelës në dhjetor të vitit 1938.

2. Flamuri i shoqërisë “Dëshira”, i vitit 1904, i cili është dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1930 me urdhër të Ahmet Zogut, pas dhurimit të tij nga një delegacion i Shoqërisë “Dëshira”.

3. Kravata e flamurit të çetës “Besa-Besën”, i vitit 1911, që është dorëzuar në Muzeun Kombëtar nga Kol Rodhe në vitin 1934.

4. Flamuri, me të cilin u varros Ismail Qemali, të cilin e pati dhuruar Duka i Monpansiesë në vitin 1913. Flamuri i është dhuruar Muzeut Kombëtar nga biri i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora, në vitin 1932.

5. Flamuri i Princ Vidit, i vitit 1914, dhuruar Muzeut Kombëtar nga Rauf Fico në vitin 1930.

6. Flamuri, me të cilin Themistokli Gërmenji shpalli Krahinën Autonome të Korçës në vitin 1916. Flamuri është dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1922 nga Justin Godard, me porosi të gjeneralit Dekoen.

7. Flamuri i batalionit 6 të vullnetarëve shqiptarë në ushtrinë austro-hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore, rreth vitit 1917, që është dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1930 nga Izet Bebeziqi, me porosi të dr. Rainholdit, nipi i Richard Dimmelit, ish-komandati i batalionit.

8. Flamuri i bandës kombëtare “Vatra”, i vitit 1918, që është dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1939 nga sekretari i bandës Aleks Lubonja.

9. Flamuri i shoqërisë “Djelmosha” të Stambollit, i vitit 1919, i cili është dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1931 nga kryetari i komunës së Voskopojës, Riza Drini.

10. Flamuri i Kongresit të Lushnjës, i vitit 1920, që është dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1929 nga Veli Vasiari.

11. Flamuri i Luftës së Vlorës, i vitit 1920, i cili i është dhuruar Ministrisë së Arsimit në vitin 1932 nga Lef Nosi. Me urdhër të Ahmet Zogut, flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar.

12. Flamuri i batalionit sulmues “Ahmet Zogu”, i vitit 1927, që është dorëzuar me urdhër të Ahmet Zogut në Muzeun Kombëtar në vitin 1932 nga Aqif Përmeti.

13. Flamuri i batalionit “Shkumbini”, i vitit 1927, që është dorëzuar me urdhër të Ahmet Zogut në Muzeun Kombëtar në vitin 1932 nga Aqif Përmeti.

14. Flamuri i batalionit “Vjosa”, i vitit 1927, që është dorëzuar me urdhër të Ahmet Zogut në Muzeun Kombëtar në vitin 1932 nga Aqif Përmeti.

15. Flamuri i batalionit “Erzeni”, i vitit 1927, që është dorëzuar me urdhër të Ahmet Zogut në Muzeun Kombëtar në vitin 1932 nga Aqif Përmeti.

Këta flamuj u ruajtën në Muzeun Kombëtar, deri kur ai e pushoi aktivitetin gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Me Prof. Ass. Dr. Frederik Stamatin kam rreth pesë vjet që bashkëpunoj për konservimin e objekteve të Muzeut Historik Kombëtar dhe meqë më jepet rasti dua të shpreh mirënjohjen për ndihmën e pakursyer që më ka dhënë.

Për Frederik Stamatin restaurimi i Flamurit të Kongresit të Lushnjës shënon fillimin e një procesi sensibilizimi për të restauruar edhe flamujtë e tjerë, që janë në gjendje kritike. Me gjithë vështirësitë e shumta duhen gjetur fonde për të restauruar një e nga një flamujtë, që ruhen në muzetë e Shqipërisë. Me këmbënguljen për të mundësuar restaurimin e Flamurit të Kongresit të Lushnjës, Stamati na dha shembullim e mirë se po të kërkosh gjen dhe po të trokasësh të hapen dyert.

(RIKU I FLAMURIT / Botuar më parë në gazetën
Le Radici, anno 18, n. 3, Febbraio 2020, pagina 5.)

Hasani takim me homologen belge: Forcim i dialogut politik

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi sot në Bruksel një takim me homologen belge, Hadja Lahbib.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Hasani takim me homologen belge: Forcim i dialogut politik

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi sot në Bruksel një takim me homologen belge, Hadja Lahbib.