Piramida në Tiranë: Dikur muze për Enver Hoxhën, sot qendër e teknologjisë

Përurimi i Piramidës u bë më 16 tetor 2023, kur në Tiranë u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit


Nga Jetmira Delia-Kaci, REL

Dikur muze dedikuar diktatorit shqiptar, Enver Hoxhës, Piramida në Tiranë tani është kthyer në qendër të teknologjisë dhe në një atraksion të rëndësishëm turistik në Shqipëri.

Piramida është bërë pjesë e shëtitjes së mbrëmjes të qytetarëve të Tiranës, e ambicieve të të rinjve për t’u bërë pjesë e qendrës së teknologjisë aty, si dhe cak i turistëve të huaj që duan ta shohin nga afër se si është shndërruar simboli i së shkuarës.

“Shtëpia e diktaturës, tani shtëpi lirie”

Ilda Qazimllari, drejtore e Investimeve në bashkinë e Tiranës, thotë se shndërrimi i Piramidës tregon se si mund të ruhet historia e një objekti, duke iu përshtatur nevojave të një epoke të re. Sipas saj, nga “shtëpi e shtypjes dhe diktaturës”, Piramida po kthehet në “shtëpi lirie”.

“Nëse ëndrrat e së ardhmes janë kodimi, robotika, mekatronika, dizajni, softueri, atëherë duhet të përgatitemi sot. Qendra TUMO [që zë hapësirë në Piramidën në Tiranë] do ta kryejë më së miri funksionin dhe qëllimin e saj në ambientet e reja të Piramidës”, thotë Qazimllari për Radion Evropa e Lirë.

Qendra e Inovacionit “Tumo Tirana” ishte hapur në vitin 2020 nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Por, ajo u zhvendos në hapësirat e Piramidës në maj të këtij viti, pas rinovimit të Piramidës.

Drejtorja e Investimeve në bashkinë e Tiranës tregon se në TUMO mësojnë fëmijë të grupmoshës 12 deri në 18 vjeç. Qëllimi i qendrës është që t’iu ofrojë fëmijëve zhvillimin të aftësive të tyre digjitale.

“Njohuritë që ata fitojnë i ndihmojnë ata në krijimin e një portofolio personal në fushat e programimit, animacionit, zhvillimit të Lojërave kompjuterike, dizajnit grafik, filmografisë, robotikës, muzikës dhe modelimit tredimensional”, thotë Qazimllari.

Ajo shton se fëmijët mund edhe të marrin pjesë në seminare të zhvilluara nga ekspertë vendorë e ndërkombëtar.

Transformimi i Piramidës kushtoi 22 milionë dollarë. Ndërhyrjet në strukturën e brendshme dhe të jashtme të saj janë kryer pa e prekur arkitekturën origjinale të saj.

Qazimllari thotë se rijetësimi i Piramidës e ka bërë atë “një objekt që nuk fle kurrë, dhe do të jetë gjithnjë mbushur me aktivitete”.

Brenda Piramidës do të ketë edhe ambiente për aktivitete të ndryshme kulturore, por edhe hapësira për biznese. Qazimllari thotë se, për shumë arsye, ky objekt është kthyer në një ndër më të vizituarit në Tiranë.

“Historia që mbart, funksioni i ri dhe lehtësia në qasshmëri në çdo pjesë të saj – si në ambientet e brendshme, po ashtu edhe në pjesën e jashtme – e bën atë tërheqëse dhe lehtësisht të vizitueshme edhe nga turistët”, thekson Qazimllari.

Nostalgji dhe shpresë

Çdo ditë, Piramida tërheq vizitorë të shumtë vendës dhe të huaj.

Astriti, 74-vjeçar, është vizitues i përditshëm i saj. I kënaqur për atë që e quan “transformimin rrënjësor të pamjes” së Piramidës, ajo mbart për të edhe kujtime të hidhura.

“Teksa e shoh këtë ndërtesë, ish-muze për diktatorin [Enver Hoxha], sigurisht që kujtoj çfarë kemi kaluar, por më shumë shijoj ndryshimet, transformimin e vendit. Shyqyr që fëmijët, nipërit e mbesat janë të lirë”, thotë ai.

Astriti, vizitues i shpeshtë i Piramidës

Kujtime të ngjashme nxit Piramida edhe për shumë vizitorë që kishin jetuar gjatë regjimit të ish-diktatorit Enver Hoxha në Shqipëri. Sofo Metaj, 69 vjeç, shpeshherë vrojton turistët teksa vizitojnë Piramidën, të cilës i bëjnë foto.

“Puna që është bërë flet vetë, brezat e rinj që rrinin poshtë në atë skëterrë, gërmadhë – si ishte shndërruar Piramida – tani kanë dalë në dritë. Ishte bërë aq keq sa që nuk shihej dot me sy… në mes të Tiranës. Kam qejf që të rinjtë ta shfrytëzojnë sa më shumë, në të mirën e tyre”, thotë ai.

Për shumë prej tyre, Piramida është bërë njëra nga destinacionet e tyre. Njëri nga ta është një turist nga SHBA-ja, Wayne.

“Më pëlqen Piramida, për pamjen që të shfaqet, por edhe për mundësinë për të ushtruar, duke ngjitur dhe zbritur shkallët. Nuk e di gjithë historinë e Piramidës, do të më duhet të mësoj për të, por më pëlqen si ndërtesë”, thotë ai.

Wayne, turist nga Shtetet e Bashkuara.

Si objekt unik dhe interesant e shohin Piramidën dy turistë nga Filipinet.

“Është interesante, është objekti i parë që vizituam në fillim të vizitës në Tiranë. Do të doja të mësoja për historinë e saj”, thotë April Alvienterra.

Bashkëkombësja e saj, Johane Interru, e quan Piramidën “vepër arti”.

“I kam parë fotot e vjetra të saj në Facebook, por edhe të rejat… transformimin e saj. Dhe kam dashur ta shoh nga afër, ndaj jam sot këtu”, thotë ajo.

Arkitekti i studios holandeze që transformoi Piramidën, Winy Maas, ka thënë se qëllimi i tij ishte ta “ta kapërcejë të shkuarën, jo ta shkatërrojë atë”.

Fasada e jashtme e Piramidës dikur shërbente më së shumti për fëmijët që rrëshqitnin mbi të. Një pjesë e saj është ruajtur si e tillë, por në pjesën më të madhe janë ndërtuar shkallë përmes së cilave tani kushdo mund të ngjitet në majë të Piramidës dhe ta shijojë pamjen e Tiranës.

Në majë të Piramidës – ku dikur ngrihej ylli me pesë cepa, simbol i komunizmit – sipërfaqja prej xhami bën që nga jashtë të mund të shihen ambientet brenda Piramidës, si qendra TUMO dhe hapësirat e tjera.


Piramida në Tiranë, prej lartësisë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka thënë se Tirana do të jetë “Tel Avivi i Ballkanit”, një qendër e teknologjisë së zhvilluar.

Mbijetesa e Piramidës mes planeve për ta shkatërruar dhe rijetësuar

Piramida u ndërtua në vitin 1988 si muze për Enver Hoxhën. Ajo u projektua nga vajza e tij, Pranvera Hoxha, dhëndri i tij, Klement Kolaneci, si dhe arkitektët Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu.

Me rënien e komunizmit në vitin 1991, Piramida e humbi funksionin për të cilin ishte ndërtuar. Fillimisht u hoq statuja prej 22 tonësh mermer e diktatorit Enver Hoxha.

Qysh në fillim kishte pasur përpjekje për ta shndërruar atë në një qendër kulturore, por ajo u kthye në një pronë që u dha me qira shkaku i mungesës së fondeve.

Aty u vendos klubi i parë i natës në Shqipëri, mori zyrat e saj agjencia amerikane e ndihmave, USAID. Më 1999, gjatë luftës në Kosovë, NATO vendosi brenda Piramidës zyrën e vet.

E, brenda Piramidës funksionoi për disa vite edhe një ndër televizionet dhe radiot e para private.

Më pas nisi degradimi i objektit. Ngjashëm si shumë objekteve të tjera të komunizmit, edhe Piramidës iu thyen xhamat dhe u dëmtua struktura prej betoni. Qeveritë e ndryshme hartuan plane qoftë për ta transformuar, qoftë për ta prishur.

U mendua të kthehej në teatër, në parlament, por asnjë prej këtyre ideve nuk u realizua, derisa Piramida po rrënohej. Por, më 2018, Qeveria e Shqipërisë dhe Bashkia e Tiranës prezantuan planin për ta rijetësuar Piramidën dhe për ta kthyer atë në qendrën më të madhe të teknologjisë në Ballkan.

Përurimi i Piramidës u bë më 16 tetor 2023, kur në Tiranë u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit dhe që përkonte edhe me ditën e lindjes së diktatorit Enver Hoxha.

Lexo më shumë nga

Rama në 30-vjetorin e Coca Cola në Shqipëri: Të lidhur më shumë se kurrë me Italinë

ryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e mbajtur në kuadër të 30-vjetorit të.

Global 360

Përqafimi i paqes i Papa Franceskut me një palestinez dhe një izraelit

Duartrokitje të mëdha nga e gjithë Arena e Veronas, në këmbë të gjithë pas përqafimit të Papa Françeskut me dy…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Rama në 30-vjetorin e Coca Cola në Shqipëri: Të lidhur më shumë se kurrë me Italinë

ryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e mbajtur në kuadër të 30-vjetorit të.