
Policia e Shtetit çel aplikimet për pranim në Akademinë e Sigurisë
Aplikimet fillojnë më datë 10 gusht dhe përfundojnë më datë 30 gusht 2023

Policia e Shtetit çeli aplikimet për pranim në Akademinë e Sigurisë, për studentët që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkencat juridike, shkencat ekonomike dhe kompjuterike, dhe që kanë mesataren e notave mbi 8, në ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në këto degë.
Aplikimet fillojnë më datë 10 gusht dhe përfundojnë më datë 30 gusht 2023. Aplikimet bëhen pranë drejtorive vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Kuotat e pranimit në Akademinë e Sigurisë, të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve të arsimit të lartë, në shkencat juridike, ekonomike ose kompjuterike, janë 100 dhe janë të ndara sipas nevojave të strukturave të Policisë në nivel vendor në drejtoritë respektive.
Janë 17 kuota në strukturat e Policisë së qarkut Korçë; 5 kuota në strukturat e Policisë së qarkut Berat; 8 kuota në strukturat e Policisë së qarkut Fier; 13 kuota në strukturat e Policisë së qarkut Vlorë; 16 kuota në strukturat e Policisë së qarkut Gjirokastër, 13 kuota në strukturat e Policisë së qarkut Shkodër; 16 kuota në strukturat e Policisë së qarkut Kukës dhe 12 kuota në strukturat e Policisë së qarkut Dibër.
Pas përfundimit të konkurrimit, renditja e aplikantëve fitues sipas rezultateve të arritura do të bëhet në nivel qarku ku ata kanë aplikuar, në bazë të kuotave të shpallura për konkurrim.
Kanë të drejtë të aplikojnë shtetasit që plotësojnë kriteret e përgjithshme, standardet dhe kriteret e veçanta që lidhen me konkurrimin.
Policia e Shtetit njoftoi po ashtu edhe në lidhje me fazat e vlerësimit që janë:
a) Vlerësimi sipas notës mesatare të ciklit të dytë të studimeve në të njëjtën fushë studimi;
b) Vlerësim me testim i zotërimit të gjuhës angleze, sipas standardit ALCPT;
c) Intervistimi i aplikantëve;
d) Kontrolli shëndetësor;
e) Marrja e shenjave të gishtave;
f) Verifikimi përfundimtar i aplikantit.
Listat e aplikantëve fitues do të jenë sipas kuotave të shpallura për konkurrim në nivel qarku.
Aplikantët e shpallur fitues dhe që përfundojnë me sukses trajnimin në Akademinë e Sigurisë, nënshkruajnë kontratë pune me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe emërohen në strukturat vendore të policisë, sipas nevojave të Policisë së Shtetit.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kibernetik, ftojnë dhe nxitin të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve dhe që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.



















