Kompozitori Vasil Tole mes sprovës së mitit

Në 9 maj 2023 u shfaq premiera botërore e operas koncertale “Skënderbeu kryezot i Arbrit,” me autor kompozitorin Vasil Tole.


Nga Blerina Shalari

Në 9 maj 2023 u shfaq premiera botërore e operas koncertale “Skënderbeu kryezot i Arbrit,”, me autor kompozitorin Vasil Tole. Tole është bërë sëfundi objekt debatesh si autor dhe nuk ka më mirë kur gjendesh mes sfidash të cilat kthehen në sprova nëse kërkon të gjenerosh vlera të vetëvehtes dhe t’i injektosh në shoqëri. Sikurse ia shpreha në një mesazh profesorit tim opera është një punë sakrifice, dhe si e tillë meriton të çmohet. Të shkruash për Skënderbeun mbetet gjithmonë një joshje grishëse. është në nderin e çdo krijuesi, sidomos të atyre që vijnë nga vendi i heroit që ta shenjojnë atë, jo thjeshtë si një lavdi kombëtare, por si vizion, si politikan, largpamja e së cilit mungon në ditët tona. Zhbërja e klisheve të mitit që kanë krijuar veprat e deritanishme për Skënderbeun mbetet një mision i mundimshëm, sepse autori që guxon, duhet ta shtyjë më tej udhën e nisur nga të tjerë, por udha artistike dihet se si është, me të papritura dhe kthina të rrezikshme nga ku ndoshta edhe s’mund të dalësh me lehtësi. Autori Vasil Tole guxoi ta vazhdojë këtë udhë, dhe kemi një dritëçelje në muzikën tonë pasi historisë së saj iu shtua një vepër, për më tepër një akt skenik mirëfilli profesionist. Një dëgjim kurioz të frymëzon të shkruash edhe një analizë modeste mbi këtë krijim muziko-historik. Titulli i veprës duket se përshkon me tipare të gjera dhe kombëtariste anën më universale të heroit, atë të një njeriu të kthyer në një misionar paqedashës, i cili bëhet hero po t’ia kërkojë ëndra për paqen e përbotshme. Shumë e cilësojnë si “Atlet i Krishtit”, por Gjergj Kastrioti shkonte përtej doktrinës. Pikërisht këtë përshtypje na krijon edhe opera e autorit Tole e cila për mendimin tim, fal karakterit të saj sakral ngjan më tepër me një meshë . I qaset paksa paralelisht “Meshës solemne” të Beethoven-it kur në një sens vetëkritik shkruan diku se: “E kam të vështirë të shkruaj për vokalin”, megjithëse ishte një melodist i përbotshëm. Nuk e pyeta paraprakisht autorin se përse e trajtoi heroin pikërisht duke e sjellë atë ndoshta si një profet për popullin shqiptar? Dëshira e një kritiku serioz duhet ta zbulojë vetë psihën e shekujve që vjen e shpërfaqur sot, në kohën kur kalendari historik po zhubroset prej pseudo-historianëve.

Për mendimin tonë mpiksja e heroit në një trandje sakrale, i jep atij përmasa më të gjera se kombëtare. Kjo është e kuptueshme pasi edhe koha historike flet qartë për këtë. Skënderbeu ishte njëri prej kalorësve të mesjetës dhe kjo dihet, por përse të mos jetë i tillë edhe sot, sot kur kemi kaq nevojë për një patriotizëm të ri, për një shkundje nga themeli, për një zgjim apotetik të idealit kombëtar?

Përse të mos e quajmë këtë vepër si një “këmbanë” që duhet të mbledhë rreth vehtes, jo idhtarë, por gjithë vlerat e vyrtytet kaq të trembura e të zbuara nga shpirti shqiptar? A thua po zbruhet geni ynë i thellë lashtësor? Mua kështu më tingëlloi atë 9 maj, ku si për rastësi u gjendëm edhe në ditën e fitores mbi fashizmin. Në një pejsazh të thjeshtë analitik flasim për një vepër të kujdesshme nga ana e kompozimit të saj. Kori, që sinjifikon popullin në këtë rast nuk merr karakter populist si në disa prej operave të tjera historike, kujto “Verdin”. E gjej si risi që një kor, pra populli të ishte personazhi kryesor, ai tek i cili duhet të bazohet një doktrinë, një shtetar, dhe një shtetbërës si Gjergj Kastrioti. Daullja ishte ajo që paralajmëronte stuhitë mesjetare, luftrat, betejat, humbjet dhe fitoret, gjakun e derdhur dhe konsakrimin e vështirë të fitimtarëve dhe ngadhënjimin e heronjve. Vlen të theksojmë se do të ishte më mirë sikur autori ta jepte këtë efekt kumbues, legjendar me daullen karakteristike shqiptare, pasi hapësirat e shumgullimit të saj janë gati gati homerike. Ndoshta alarmit të luftrave mund t’i shtoheshin edhe elementët e maje krahit, ndezja e zjarreve e plot simbolika të tjera të cilat ajo kohë i ka me tepri. Gjuha muzikore e përdorur ishte një gjuhë universale ku gërshetoheshin mesha, madrigali, tonet e rebusit kombëtar, ndihej diku diku edhe inspirimi nga vepra aq e njohur e kompozitorit Zadeja, më tej ndiheshin zymtësirat e luftës e cila vinte përmes elementëve të vajtimit, gjamës, e cila mendoj se ishte një nga kulmet e veprës. Orkestra ruante peshën e saj pa anuar nga pesha e korit. Personazhet kishin individualitet të përmbajtur, jo aq të gjendur nën kurthin klishe të arieve, ariozave etj. Pra ishte një opera atipike. Interpretimi i baritonit Artur Vera më la një mbresë të thellë, më dha një emocion prej prijësi. I ndjerë, i thellë, i kujdesshëm. i mirëmësuar me teatrin muzikor, ai tashmë ka një staturë prej artisti të lakmueshëm brenda Teatrit të operas. Ana femërore ndoshta duhej paraqitur më tepër në vepër, si një stoli, si një relaksim ndaj tmerreve të historisë, si një lirë e cila i bie përreth Arbërisë duke i çuar asaj kumtet e heroit. Në vepër kemi një theks të përgjithshëm polifonik si ndërtim, por nuk duhet harruar ashti i melosit. Do t’i sygjeronim autorit që në të ardhmen ta ketë parasysh në krijimtarinë e tij, se kur merr guximin të mbjellë farën e një vepre historike, patjetër fara e saj duhet të përmbajë thelbin kombëtar. Fare mirë, në operan e tij mund të përfshihej një këngë me lahutë për heroin, mund të përfshiheshin më tepër jehonat e maleve, maje krahit, britmat, lodrat, brirët, tupani, ç’ka do ta bënin këtë vepër një imazh tingullor filmik më të përsosur që të bën ta shohësh me vesh kohën e mizorive të historisë, me synimin e vetëm që ato të mos përsëriten.

Vlerësoj tendencën moderne të shkrimit të gjuhës muzikore, ku këmbana sinjifikohet me ksilofonin, si dhe me disa elementë abstrakt të tingëllimit tek të cilët lexojmë edhe anën mistike e fantastike të heroit. Megjithatë, pa e paragjykuar autorin, po shkruajmë se ky hov krijues që ka marrë për të shkruar mbi heroin tonë kombëtar, duhet të jetë vetëm një pikënisje për vepra të tjera edhe më të arrira për të dhe kolegët e tjerë kompozitorë, dhe kjo duhet të ndodhë pasi është arti ai që e shkruan historinë e një kombi, më mirë se çdo historian, më drejt se çdo politikan, dhe më pastër se çdo fe. Le të shtyhemi të gjithë si krijues të lidhim hallkat e këputura të muzikës serioze shqiptare, në një zinxhir të gjatë, më tepër solidariteti për njëri-tjetrin, dhe kur ta kemi arritur këtë aureolë, atëherë do të ngjisim shkallë të tjera, pse jo edhe në botë me muzikën që do të shkruajmë. Shqipëria ka pasur dhe ka, dhe do të ketë krijues të talentuar, të cilët vetëm duke e dashur punën e gjithësecilit nga ky bashkim, do të dalë prej nesh, dhe do të njihet mrekullisht në botë, Shqipëria e bashkuar, Shqipëria muzikore, Shqipëria kulturore, ashtu siç e donte dhe siç e predikoi Gjergji i Kastriotëve. Historia po na pret!

“Tendenze di Viaggio”: Shqipëria, një nga destinacionet më të bukura për pushime në 2024

Cesare Tamborini shkruan në të përditshmen italiane “Tendenze di Viaggio”.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Fjala është e para!

Na pëlqejnë fjalët e mençura dhe i marrim me vete! Ndaj fjala mbetet e para dhe e fundit si ajri…

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

“Tendenze di Viaggio”: Shqipëria, një nga destinacionet më të bukura për pushime në 2024

Cesare Tamborini shkruan në të përditshmen italiane “Tendenze di Viaggio”.