
Yzeiraj: Punë intensive për Integrimin në BE, mbi 20 projektligje në proces për kapitujt 16 dhe 29
Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj e ka cilësuar gjysmën e parë të vitit 2026 si një periudhë të ngarkuar me sfida dhe detyra strategjike, ndërsa theksoi se në fokusin e punës së Ministrisë së Financave vijon të jetë procesi i integrimit europian.

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj e ka cilësuar gjysmën e parë të vitit 2026 si një periudhë të ngarkuar me sfida dhe detyra strategjike, ndërsa theksoi se në fokusin e punës së Ministrisë së Financave vijon të jetë procesi i integrimit europian.
Përmes një reagimi, Yzeiraj u shpreh se, pavarësisht ngarkesës së punës gjatë këtij viti, integrimi në Bashkimin Europian mbetet “një mision historik”, ku puna po vijon me ritme të larta për përmbushjen e detyrimeve të negociatave.
“Pjesa e parë e 2026-ës ka qenë e ngarkuar me sfida, detyra dhe objektiva strategjike. Megjithatë, në këtë turravrap të detyrave dhe ngarkesave, qëndron një mision historik: Integrimi evropian”, deklaroi ai.
Yzeiraj bëri të ditur se Shqipëria ka përmbyllur tre kapitujt e parë të negociatave, ndërsa institucionet shqiptare po vijojnë punën për përmbushjen e kushteve dhe standardeve të kapitujve të tjerë.
“Teksa viti 2026 ka kaluar pikën e tij të mesit dhe shumë prej nesh po planifikojnë me shumë të drejtë të shpenzojnë disa ditë pushimesh me të dashurit e tyre, është koha për të parë mbrapa dhe për të parë edhe disa nga sukseset e këtij viti”, u shpreh zv.ministri.
Në mënyrë të veçantë, ai u ndal te kapitujt 16 dhe 29, që lidhen përkatësisht me tatimet dhe bashkimin doganor, duke nënvizuar volumin e punës së kryer deri tani.
“Vetëm për dy prej kapitujve që mbuloj kapitullin 16 dhe 29, tatimet dhe doganat janë planifikuar dhe janë kryer tashmë draftet e para për më shumë se 20 projektligje dhe po punohet për ndërtimin e 50 sistemeve elektronike dhe digjitale për transmetimin e të dhënave me Komisionin Evropian”, tha Yzeiraj.
“Të dy këta kapituj synojmë t’i mbyllim gjatë vitit që vjen, por tregon se puna jo vetëm që nuk është ndalur, por po vazhdon me ritëm gjithmonë e më të shpejtë”, theksoi ai.
Zv.ministri i Financave vlerësoi edhe kontributin e administratës publike dhe agjencive të përfshira në proces, duke shprehur mirënjohje për stafin që po angazhohet në përmbushjen e kërkesave që lidhen me procesin e integrimit europian.
“Mirënjohje e pafundme shkon për stafin e ministrisë dhe agjencive tona të përfshira në këtë proces sa sfidues aq edhe thelbësor për të ardhmen tonë të përbashkët”, u shpreh Yzeiraj.
Procesi i negociatave me Bashkimin Europian kërkon përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis communautaire, forcimin e kapaciteteve administrative dhe ngritjen e sistemeve të nevojshme për zbatimin dhe monitorimin e standardeve europiane.
Në këtë kuadër, puna e Ministrisë së Financave në fushën e tatimeve dhe doganave përfshin jo vetëm përafrimin ligjor, por edhe zhvillimin e infrastrukturës digjitale dhe mekanizmave të shkëmbimit të informacionit me institucionet europiane.
Përmbushja e këtyre detyrimeve synon të avancojë Shqipërinë drejt fazave të mëtejshme të negociatave dhe përmbylljes së kapitujve, në funksion të objektivit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Burimi ATSH



















