Shqipëria në vendin e 10-të mes 20 destinacioneve kryesore të pushimeve të francezëve këtë verë

Ambasada e Shqipërisë në Francë ka ndarë në rrjetet sociale raportin e “Observatorit të pushimeve të francezëve”


Shqipëria renditet në vendin e 10-të mes 20 destinacioneve kryesore të pushimeve të francezëve këtë vit, sipas “Observatorit të pushimeve të francezëve”.

Ambasada e Shqipërisë në Francë ka ndarë në rrjetet sociale raportin e “Observatorit të pushimeve të francezëve”, teksa thekson se “me një rritje veçanërisht mbresëlënëse në korrik 2026, Shqipëria shënoi një rritje prej mbi 288% krahasuar me korrikun 2025.
Një entuziazëm që konfirmon, vit pas viti, atraktivitetin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë për publikun francez”.

Sipas raportit të fundit të Observatoire EdV (Entreprises du Voyage) – Orchestra, që monitoron tregun francez të udhëtimeve, numri i udhëtarëve ka rënë me 5,6% krahasuar me korrikun e vitit 2025. Mes situatës në Lindjen e Mesme dhe zjarreve në jugperëndim të Francës, pasiguria e konsumatorëve ka arritur nivelin më të lartë.

Rimëkëmbja nuk pritet të ndodhë. Edhe pse ka pasur një rritje të rezervimeve të minutës së fundit, sektori francez i udhëtimeve vlerëson se vera e vitit 2026 do të jetë dukshëm më e dobët krahasuar me vitin e kaluar. Pothuajse të gjitha destinacionet janë prekur nga kjo rënie, përfshirë edhe Francën.

“Udhëtimet me distancë të mesme po tregojnë më shumë qëndrueshmëri krahasuar me zonat e tjera. Ndërkohë, Franca ka shënuar rënie, ndërsa udhëtimet në distanca të gjata mbeten segmenti më i prekur”, thuhet në raport.

Raporti thekson se “pas një muaji qershor, i cili u karakterizua gjithashtu nga një ngadalësim i aktivitetit, tregu konfirmon një rënie të kërkesës në krahasim me vitin 2025. Rritja e parashikuar e rezervimeve të minutës së fundit nuk është vërejtur deri më tani”.

Për periudhën nga 1 deri më 28 korrik, volumi i rezervimeve për Francën ka rënë me 7,2%. Megjithatë, Franca mbetet “destinacioni kryesor” për pushuesit francezë, ndërsa Spanja vijon të shënojë rritje (+4%) dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për turistët. Greqia (-7%), Tunizia (-3%) dhe Italia (-9%) kanë regjistruar rënie më të moderuara, thekson EdV.

“Në kategorinë e udhëtimeve me distancë të mesme, Shqipëria vijon të jetë destinacioni me rritjen më të fortë, duke shënuar një rritje prej 288%. Edhe Maroku vijon të shënojë rritje (+6%). Nga ana tjetër, Turqia (-35%), Portugalia (-21%) dhe Egjipti (-23%) kanë regjistruar rënie të ndjeshme. Në segmentin e udhëtimeve në distanca të gjata, situata mbetet më e dobët. Shtetet e Bashkuara (-39%) dhe Tanzania (-24%) kanë shënuar rëniet më të mëdha, ndërsa Japonia (+28%), Kanadaja (+2%) dhe Republika Dominikane (+1%) kanë arritur të ruajnë një ecuri pozitive”, thekson Edv.

Edhe gushti nuk pritet të sjellë përmirësim.

“Rezervimet vijojnë të jenë nën nivelin e vitit 2025, me rreth 9% më pak udhëtarë. Këtë herë, Franca shënon një rënie të ndjeshme, rreth 12% më pak udhëtarë, ndërkohë që në muajt e mëparshëm kishte arritur të zbusë disi tendencat negative. Ky ngadalësim lidhet veçanërisht me numrin më të ulët të rezervimeve të minutës së fundit gjatë muajit korrik”, thuhet në raport, kryesisht për shkak të zjarreve në jugperëndim të vendit.

“Sa i përket Francës, shpresojmë që udhëtarët të rikthehen sapo situata ta lejojë, në mënyrë që të mbështesin zonat e prekura dhe profesionistët që punojnë atje”, shprehet Valérie Boned, presidente e EdV.

Sipas parashikimeve, deri më tani vetëm Spanja (+3,5%), Maroku (+3%), Shqipëria (+258%), Mali i Zi (+37%) dhe Kanadaja (+3%) kanë shënuar rritje të rezervimeve.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Shqipëria përmirëson pozicionin në Indeksin Global të Paqes 2026

Indeksi Global i Paqes është një indeks i përbërë që mat nivelin e paqes në vende të ndryshme të botës.

Global 360

I nxehti ekstrem përfshin SHBA-në, mbi 60 milionë njerëz në alarm

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat në shumë zona pritet të kalojnë 38 gradë Celsius, ndërsa lagështia e lartë do…

Diplovista

Rama për “Financial Times”: Shqipëria në rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian

Ne kemi një rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian, i deklaroi kryeministri Edi Rama prestigjiozes ”Finacial Times”.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Shqipëria përmirëson pozicionin në Indeksin Global të Paqes 2026

Indeksi Global i Paqes është një indeks i përbërë që mat nivelin e paqes në vende të ndryshme të botës.