Gëzim Agolli, historia e koreografisë dhe e kërcimit

Krijuesi i ansamblit “Durrësi dhe koreografi i parë profesionist.


Nga BUJAR QESJA, “Mjeshtër i Madh”

Gëzim Agolli “mbreti” i kërcimit të valleve në Durrës, jeton në Udine të Italisë. Është djali i parë i familjes së Burhan Agollit, e cila u shtua më pas edhe me tre fëmijë të tjerë: Flutura, Arbeni dhe Egla. Teksa shëtis vëmëndjen në vlerat e Durrësit, ndalem dhe kujtoj një emër. Shumë i njohur. I takon krijimit të historisë së koreografisë dhe kërcimit të valleve në Durrës. Një djalë i pashëm, mbi krye pylli i dëndur i kaçurelave, sa edhe kur ecën të duket sikur vallëzon.

 

 

Durrsakët po nuk i kujtove dhe t’ia vlerësosh meritat, mos prit të të kapin ndonjë ditë të të thonë: pse nuk shkruan për mua gazetar? Dhe kur kalova pranë pallatit të kulturës, se si m’u çfaqen në kujtesë tingujt e orkestrinës popullore, kur mbi gjithçka dëgjohej e rëna e daulles. Zë i fortë disiplinonte lëvizjet e një grupi të rinjsh, që përbënte trupën e valleve. Djali që jepte komandën ishte Gëzim Agolli. Eh vite të lëna pas, që për nga vlerat maten me historinë.

Isha i vendosur që shkrimin e rradhës, të kisha në fokus këtë Gëzim Agolli, që mbetet gëzimi dhe hareja e valleve të Durrësit. Nuk e dija lidhjen. Ishte shans për këtë shkrim. Kisha dëgjuar për Melushe Bebeziqin, balerinën mahnitëse shqiptare. Sot e kësaj dite, ajo mbetet nga yjet e baletit të fashmëm sovjetik të luajtuar në “Balshoj Teatër”. Dhe këtë shans natyrisht që do t’a shfrytëzoj.

Gjyshi i Gëzim Agollit, Xheladin Bebeziqi njeri me shpirt artisti, ishte tregtar aktiv. Vajza e tij Drita, është nëna e Gëzimit. Por kishte me Sabiha Serezin, gruan korçare të diplomuar për pedagogji në Stamboll edhe binjakët Melushe dhe Ylli Bebeziqi. Kështu Agolli ynë, Melushen e ka vajzë teze. E lindur në Sofje të Bullgarisë me 31 tetor 1934, Melushe Bebeziqi, do të mbulohej me shkëlqimin e talentit të rrallë dhe të pazakontë që në moshën 14 vjeçare.

 

Me “Dasmën shqiptare”, tronditi Budapestin në Festivalin e Dytë Botëror të Rinisë. U vlerësua më e mira. Në vitin 1950, kjo Bebeziqe e rrallë do të tundte skenat e Rumanisë, Bullgarisë, Hungarisë, Polonisë, Çekosllovakisë, duke shokuar shikuesit me virtuozitetin dhe shpejtësinë e lëvizjeve.

Në shkollën unike dhe të njohur të baletit të Bashkimit Sovjetik, u caktuan të studionin nga Shqipëria Agron Aliaj, Ganimet Vendresha, Zoica Haxho, Petrit Vorpsi, Xhemil Simixhi dhe pa diskutim edhe Melushe Bebeziqi. Gjashtë vite studimesh dhe në Atdhe vijnë vetëm pesë prej tyre. Melushe Bebeziqi ishte kthyer në yllin e baletit botëror, përderisa dominonte baletin hipnotizues të Bashkimit Sovjetik.

Koreografi i mirënjohur Agron Aliaj, në sentimentin e tij tregon:
-Bëri mirë apo jo, që nuk u kthye Melushja? Në këtë terren të vështirë, me male dhe njerëz krenarë në ashpërsi, Melushja nuk mund të shpërthente kurrë! Më kujtohet ajo që dikur i kam thënë Perlocajt:”Unë erdha në Shqipëri për të vdekur pak e nga pak, ndërsa ti ike në Francë, për të lulëzuar pak e nga pak”…Vetëm “Balshoj Teatër” ishte për Melushen. Aty dhe vetëm aty, mund të shkëlqente madhështia dhe perfeksioni i saj.

Primabalerina e Balshojit, u nda nga jeta në mënyrë krejt të papritur në moshën 33 vjeçare. Viti 1967. Goditja në zemër ishte fatale. Po në mënyrë fatale ndali frymëmarrjen në moshën 24 vjeçare edhe binjaku i Melushes Ylli, që ishte yll i kërcimit shqiptar. Goditje politike.

Koreografi rus Georgi Perkun, që kishte ardhur edhe në Shqipëri, martohet me shqiptaren fantastike të kërcimit Melushe Bebeziqin, për të lindur në Moskë në vitin 1957 një tjetër balerinë të rrallë. Quhet Margarita Perkun. Fitoi medaljen e artë në Konkursin Ndërkombëtar të Baletit në Moskë në vitin 1981. Me 6 gusht të po këtij kalendari, Margarita mbylli sytë përgjithnjë, e goditur fatalisht nga një aksident automobilistik. Mosha 24 vjeçare.

 

Në ballin e hollit të “Balshoj Teatër” në Rusi, janë vendosur në kornizë dy yje të baletit rus me origjinë shqiptare. Janë nënë e bijë: Melushe Bebeziqi dhe Margarita Perkun.

Në varrezat e Moskës ndodhen në të njëjtën banesë të përjetshme, yjet e pashuara të baletit nënë e bijë, Melushi dhe Margarita. Fataliteti i tyre është vendosur përbri famës dhe shkëlqimit të pavenitur. Kohët kanë ardhur të tilla, që historia e baletit shqiptar, duhet t’i përfshijë në librin e madh të traditës edhe këtë dyshe, që iu falën kërcimit deri në mbylljen e syve.

“Vdes i ri, ai që Zotit i është i shtrenjtë!”,Melushja e jonë e mrekullueshme ndonëse jetoi vetëm 34 vite, realizoi atë famë, atë punë të jashtëzakonshme sa që të tjerë nuk mund ta bëjmë as për një shekull.

Ndërmjet yjeve të baletit rus si Kaschessinska, Spessivtseva, Pavlova, Ulanova, Makarova, Markova, Plisetskaya, Lopatkina qendron në të njëjtat nivele dhe në të njëjtat përmasa, shqiptarja Melushe Bebeziqi dhe vajza e saj Margarita Perkun.

 

Dhe vijmë tek Gëzim Agolli pas kësaj atmosfere inkurajuese, që krijuan rradhët për madhështinë e Bebeziqëve të kërcimit. Ishte krijuar opinioni që Gëzim Agolli vinte nga Kavaja dhe nuk kishte të bënte me Durrësin. Asgjë të keqe nuk ka edhe sikur të ishte. Por donim që një Gëzim Agolli durrsak, do të ishte shans të krijonte historinë e valleve në Durrës.

Një dukuri e veçantë ndodh me Gëzimin. Pasi kishte lindur në Durrës në shtëpinë e njohur të avokat Harizit, pranë shetitores së Vollgës, Burhan Agolli mori detyrën e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Qytetit të Kavajës. Gëzimi dy vjeçar ndryshon bregdetin.

Në Kavajë e nis pasionin. Është koreografi vendas Remzi Gjeçi, që ia vendos m’u në shpirt Gëzimit, dashurinë dhe vullnetin për të kërcyer. Nga gjyshi Bebeziqi, del një tjetër maestro i kërcimit, për të treguar se vendin e Melushit, Yllit, Margaritës do ta vazhdonte tjetër yll. Dhe ky është Gëzim Agolli.

Fat të madh ke patur Gëzim Agolli! Por dhe ti vetë u ktheve në një fat, së pari për Kavajën dhe së dyti për Durrësin. Kavaja është e njohur për grupin e valleve. Mjeshtrat e kërkimit të folklorit, kanë hulumtuar dhe zbuluar motive tërheqëse ku u mbështetën krijimet e valleve të reja. Sa bukur kërceheshin! Por Kavaja kishte këngëtarë kalibri të zërave të muzikës popullore. Dy më të spikaturit janë: Parashqevi Simaku dhe Thabit Rexha.

Emri i Gëzimit filloi të ngrihej në qiell. Ansambli i Ushtrisë, e thithi menjëherë në rradhët e tij. Koreografi Adriatik Metuli u mbështet në aftësitë e djalit durrsak, i veshur me magjinë e artit të kërcimit popullor kavajas.

Ishte e thënë që mbiemri Agolli, solli fat edhe për Gëzimin. Të njohur këto Agollët. Kështu Dritëroi. Po kështu edhe i famshmi doktor në Durrës Muhamet Agolli. Janë edhe instrumentistë të njohur durrsakë me mbiemrin Agolli.

Fati ndjell fatin dhe Gëzimi ra në duart ustallarësh, nga ato që quhen me mjekër. Asistenca e Panajot Kanaçit, Agron Aliajt, Gëzim Kacelit, Fehmi Shaqirit, Engjëll Tërshanës erdhi si rrjedhë e fuqishme, duke e veshur Agollin tonë të valleve me më shumë shkëlqim, me më shumë finesë, me më shumë mjeshtëri, me më shumë sharm dhe elegancë.

Ngrihu Melushe të shikosh pasardhësin tënd, që i përket mbiemrit Agolli por me gjysh Bebeziqi sa me shije kërcen, sa bukur i hedh hapat, duke e nisur së pari vallen në shpirtin e tij, për t’i dhënë shpirt shikimi edhe shikuesve!

Kur Ansambli “Migjeni” në dekadën e Majit në vitin 1975 bëri bujo, ishte koreograf Gëzimi ynë. Kurse një vjeçare, disa mujore me ajkë specialistësh. Fitoi siguri. U vesh me art. Zotëronte ustallëk në kërcim. Provoi në Tiranë të kërcente edhe baletin klasik, edhe tablo koreografike, por natyra e tij ishin vallet popullore. Këtu e thelloi zanatin. Kërcente, por edhe krijonte. Studionte traditën popullore të kërcimit, nga veriu deri në jug.

Po si mund ta linte Durrësi, t’i ikte nga duart një koreograf i niveleve të tilla? Gjithnjë fati dhe shanset ishin me Gëzim Agollin. Në Durrës drejtonte Iljaz Reka nga viti 1971. I betuari për Durrësin Reka, kërkonte zhvillimin edhe në kulturë, edhe në arte, edhe në krijimin e ansamblit popullor “Durrësi”. Nëse në Kavajë e dërgoi Gëzimin e vogël transferimi i të jatit, koreografi merr “hak” duke e rikthyer Agollin e madh në Durrës, si drejtor në Ndërmarrjen Ushqimore. Iljaz Reka e kërkoi me ngulm Gëzimin dhe i ngarkoi të ngrejë grupin e valleve.

Shkëndijën e parë e dha me grupin e valleve të URT-së, ku drejtor i uzinës ishte Petro Papi dhe drejtues artistik i ansamblit Petrit Myshketa. Ansambli URT-së u kthye në dallëndyshen e parë, që sinjalizoi ardhjen e pranverës së kërcimit durrsak të valleve poullore. Në vitin 1977 krijohet ansambli popullor “Durrësi”, me drejtues koreografin me emër tashmë Gëzim Agolli. Gëzimi ndërtoi edhe familjen e shtrenjtë, me bashkëshorte Yllka Kasmin dhe fëmijët Ylger dhe Rezita.

10 vite punë itensive. Koha 1978-1988 mbetet e artë për ecurinë e ansamblit “Durrësi”. Fitoi çmime dhe korri suksese, si brenda dhe jashtë Atdheut. Gëzim Agolli u kthye në portret tërheqës i artit durrsak. Origjinaliteti në punë, gjetjet dhe risitë në hulumtimet që bënte, i dhanë famë emrit të tij. Nga shkolla Agolli dolën kërcimtarë si Gjergj Prevazi, Silvana Nova, Fatbardha Pashai, Firdes Dervishi, Engjellushe Belba, Thanas Domi, Agim Hasa, Suzana Kryekurti, Agim Domi, Shpëtim Doka, Anila Gjoni, Arben Karanxha etj.

Të gjitha veprimtaritë që organizoheshin në Durrës dhe rrethinat e tij, ansambli “Durrësi” i drejtuar nga Gëzim Agolli ishte i ftuar. Arti i Agollit kishte dritë dhe hijeshi, kishte fantazi krijuese dhe ngacmime improvizuese. Gëzimi vetë ishte dhe mbeti kërcyes klasi dhe paralelisht me këtë, koreograf me mjeshtëri gjithnjë në rritje të përmasave. Prandaj edhe arti i tij pëlqehej. Prandaj edhe emri i tij është shkruar me gërma të mëdha, në sfondin më të arrirë të historisë së kërcimit të valleve të Durrësit.

Me 5 mars 2023, Gëzim Agolli është në 72 vjetorin e lindjes. Ka mall dhe kujtime të çmuara nga koha e artë e punës me ansamblin “Durrësi”, që e drejtoi me përkushtim dhe pasion të jashtëzakonshëm. Më takoi, kur erdhi në një nga ditët e fundit në vendlindje. Ishte bërë i ndjeshëm. Më përqafoi, duke lënë shenjë në supin tim. Ishte i lagur. Supi m’u ngroh nga loti i nxehtë.

Tranzicioni tronditi edhe grupin e valleve. Gëzimi iku në Itali. Gjashtë muaj më pas, rikthehet dhe shkon të punojë në Qendrën Kulturore të Fëmijve. Kur rivendoset në pallatin e kulturës në vitin 1996, m’u në pragun e derës, ulet dhe puth pllakën e ftohtë, por që në fakt ishte e ngrohtë ende, nga puna e madhe që kreu Gëzimi ynë, Gëzim Agolli ynë i koreografisë, Agolli i kujtesës së historisë së kërcimit të valleve popullore në Durrës.

Se si nxorri një foto dhe pamë grupin e valleve. Viti 1978. Janë aty Fatmir Meçe, Kujtim Pilinçi, Gëzim Agolli, Shpëtim Doka, Pëllumb Toska, Petrit Çizmja, Kujtim Hoxha, Mikel Zilo dhe Arben Hysi.

-Mos m’i harro të mi përmëndësh djemtë dhe vajzat! Ta di për nder këtë që po bën! Trego aty se Gëzim Agolli, nuk i ka harruar dhe as ka për t’i harruar sa të kem fizik dhe kujtesë. Bëmë punë të madhe. Bëmë vetë historinë e kërcimit të valleve. I përshëndes me shumë mall! I dua shumë! Valltarë plot dëshirë dhe talent për kërcimin. Dhanë çka mundën dhe pa ndonjë përfitim kushedi se çfarë.

Dhe brenda kësaj ndjeshmërie, nëpërmjet ngashërimit dhe tronditjes shpirtërore nga malli dhe sentimenti, dëgjova që Gëzim Agolli përmëndi edhe emrat e kolegëve të tjerë koreografë që kishte bashkëpunuar si Vangjel Rojdja, Besnik Doko, Ali Çyrbja dhe Mimika Muhaxhiri.

Gëzim Agolli 25 vite në Udine të Italisë. Është bërë gjysh me dy nipa dhe dy mbesa. Forca e pasionit e mban të gjallë edhe në tokën italiane. Ofron disa çifte shqiptarësh, që e duan kërcimin dhe ka dhënë koncerte. Mbi të gjitha Shqipëria, toka jonë e bekuar.

Gëzim Agolli! Historia jonë e kërcimit.

PIKANTE

Rrënjët të çojnë tek e famëshmja balerinë Melushe Bebeziqi

-Melushe Bebeziqi dhe Margarita Perkun, dyshja historike e “Balshoj Teatër”
-Krijuesi i ansamblit “Durrësi dhe koreografi i parë profesionist
-Kultura dhe arti durrsak, i detyrohet këtij talenti të kërcimit
-Karrierë e pasur, e mbushur me punë dhe pasion të jashtëzakonshëm
-E nisi në Kavajë me Remzi Gjeçin dhe në Durrës krijoi shkollën e baletit
-Koha e Gëzim Agollit, e artë në lulëzimin e valles durrsake
-Edhe në Udine, mjeshtëria e koreografit Agolli nuk ndalet

Bujar Qesja
Durrës: 24 prill 2023

Lexo më shumë nga

Panairi i Teknologjisë në Hanover, Veliaj: Interes i jashtëzakonshëm nga kompanitë gjermane për zonën e lirë ekonomike në Tiranë

Zona e Lirë Ekonomike në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e kompanive të huaja në Panarin e Teknologjisë, që po zhvillohet…

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Fjala është e para!

Na pëlqejnë fjalët e mençura dhe i marrim me vete! Ndaj fjala mbetet e para dhe e fundit si ajri…

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Panairi i Teknologjisë në Hanover, Veliaj: Interes i jashtëzakonshëm nga kompanitë gjermane për zonën e lirë ekonomike në Tiranë

Zona e Lirë Ekonomike në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e kompanive të huaja në Panarin e Teknologjisë, që po zhvillohet…