Ligji “Për barazinë gjinore”, Gogu: Sherr e shamata për llogari politike

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu reagoi sërish sot për ligjin “Për barazinë gjinore” miratuar në Kuvend dy ditë më parë duke i cilësuar debatet si importin e një “lufte kulturore” të rreme.


Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu reagoi sërish sot për ligjin “Për barazinë gjinore” miratuar në Kuvend dy ditë më parë duke i cilësuar debatet si importin e një “lufte kulturore” të rreme.

Gogu shprehet se “Berisha, i shpallur non-grata nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar e mbulon këtë debat me një maskë neo-konservatore, duke e zhvendosur vëmendjen nga llogaridhënia te parullat”.

“Ky teatër ushqen eurofobinë. BE pikturohet si “import ideologjik”, jo si kuadër standardesh, fondesh dhe drejtësie. Po kështu, merr peng opozitën, agjenda e saj reale (antikorrupsion, ekonomi, shërbime) shuhet nën polemika të importuara, të moderuarit margjinalizohen dhe besueshmëria ndaj partnerëve europianë dëmtohet”, thekson Gogu.

Sipas ministrit, “barazi gjinore” do të thotë trajtim i barabartë dhe ndalim diskriminimi, ndërsa të drejtat dhe ndërgjegjja ecin dorë për dore.

“Kjo peshore mban bashkë shoqërinë, ul zhurmën dhe na kthen te thelbi: zgjidhje reale për njerëzit me halle të vërteta, jo sherr e shamata për llogari politike”, tha ai.

Qëndrimi i plotë i ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu:

“Ndonëse ju e kishit për të keq, Perëndia e ktheu në të mirë”

Jozefi është figura nga libri i Zanafillës në Bibël, i shitur në skllavëri nga vëllezërit, i burgosur pa faj dhe më pas udhëheqës në Egjipt — kur u ribashkua me ta u tha: “Ndonëse ju e kishit për të keq, Perëndia e ktheu në të mirë”. Shprehja emblematike, në dëgjesë të parë tingëllon si fatalizëm, por në thelb përbën një metodë që çarmatos konfliktet. Kjo pasi dëshira për t’u hakmarrë ka gjithë mundësine të shndërrohet në dobi të përbashkët. Sot një grusht zërash po përpiqen të propagandojnë një “luftë kulturore” të importuar, përmes parullave, etiketave dhe armiqve të gatshëm. Shoqëria jonë sot, ose do ta kopjojë modelin e zhurmës së importuar, ose do ta transformojë zhurmën e huaj në zgjidhje.

Prej vitesh, debatet për gjinínë vijnë si dallgë të deteve të ftohta dhe të largëta: me fjalor të gatshëm, taktika polarizuese dhe armiq imagjinarë. Problemi nuk janë bindjet, pasi në një shoqëri të lirë, bindjet janë të larmishme. Problemi fillon kur shablloni i huaj zëvendëson mendimin vendas: imitojmë betejën e dikujt tjetër pa pyetur “çfarë duam të zgjidhim këtu?” apo “cilat janë rrethanat tona ligjore, kulturore, institucionale?”.

Në këtë çast na volitet një parim i thjeshtë, por i mjaftueshëm: të drejtat ekzistojnë njëkohësisht me ndërgjegjen. Shteti duhet t’u ofrojë shërbim të barabartë të gjithëve. Ndërkohë që bashkësitë fetare nevojitet të jenë të lira të jetojnë doktrinën e vet.

Ky binom nuk lejon që barazia të shtypë besimin, dhe as besimi të justifikojë diskriminimin. Çelësi është vija ndarëse: çfarë është shërbim publik i detyrueshëm për të gjithë dhe çfarë është hapësirë doktrinore e brendshme.

Për ta ulur temperaturën dhe për ta kthjelluar kuptimin, na lipsen tre dallime të qarta.

1) “Doktrina fetare nuk barazohet me ligjin”

Doktrina rregullon jetën e brendshme të bashkësive fetare; ligji rregullon hapësirën publike dhe mbron çdo qytetar. Ligji “Për barazinë gjinore” garanton mundësi dhe trajtim të barabartë midis burrave dhe grave në punësim, arsim dhe vendimmarrje. Fjala vjen në një bashki s’mund të vendosen kritere punësimi që de facto përjashtojnë gratë (p.sh. orare të pajustifikuara ose kushte pa lidhje me detyrën) — ky është diskriminim i ndaluar. Ndërkohë, në hapësirën e besimit fetar, bashkësitë gëzojnë autonomi doktrinore (p.sh. kush predikon, çfarë mësohet), por kjo nuk lejon shmangien e ligjit kur ofrohen shërbime në hapësirën publike.

2) Shërbesa fetare nuk është shtetërore

Bashkësitë fetare kanë mision shpirtëror dhe moral, ndërsa shteti ofron shërbime dhe garanton të drejta për qytetarët. Ligji kundër diskriminimit, miratuar në vitin 2010, kur qeverisnin kolegët opozitarë e ndalon diskriminimin në ofrimin e mallrave/shërbimeve dhe në punësim, bazuar mbi gjininë, orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Fjala vjen një sportelist shtetëror s’mund të refuzojë shërbimin për shkak të identitetit gjinor dhe një institucion publik s’mund të pyesë ose vendosë kushte mbi gjininë apo statusin familjar pa lidhje me detyrën. Ndërkohë bashkësia fetare është plotësisht e lirë të përcaktojë nëse predikojnë burrat apo gratë dhe nëse mësohet që gratë t’i mbulojnë kryet apo ta tregojnë hijeshinë e tyre. E pra, shteti nuk është tempull besimi dhe tempulli nuk bëhet dot zyrë shteti.

3) Liria e ndërgjegjes nuk është licensë për të diskriminuar

Po aq e vërtetë është se ndalimi i diskriminimit nuk është detyrim për të mohuar besimin. Rendi ynë i mbron të dyja: shërbim të barabartë për çdo qytetar dhe autonomi doktrinore për komunitetet e besimit.

Zyrtari i shtetit nuk mund të refuzojë një akt administrativ për arsye fetare.
Komuniteti fetar mund të përcaktojë rolet liturgjike dhe mësimin e brendshëm sipas besimit të vet.
Kujt i shërben zhurma?

Importi i një “lufte kulturore” të rreme zëvendëson agjendën reale: korrupsionin. Sali Berisha—i shpallur non grata nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar—e mbulon këtë me një maskë neo-konservatore, duke e zhvendosur vëmendjen nga llogaridhënia te parullat. Në të njëjtën kohë, disa udhëheqës fetarë të etur për lavdi kërkojnë të hyjnë në politikë, duke politizuar altarin dhe përçarë besimtarët.

Ky teatër ushqen eurofobinë: BE pikturohet si “import ideologjik”, jo si kuadër standardesh, fondesh dhe drejtësie. Po kështu, merr peng opozitën: agjenda e saj reale (antikorrupsion, ekonomi, shërbime) shuhet nën polemika të importuara, të moderuarit margjinalizohen dhe besueshmëria ndaj partnerëve europianë dëmtohet.

Le të mbyllim me tre rregulla të thjeshta për një debat serioz: (1) Përkufizime para polemikave—sqarojmë që “barazi gjinore” do të thotë trajtim i barabartë dhe ndalim diskriminimi (këtu, dua të përgëzoj dhe falenderoj ata gazetarë dhe ato media që kanë marrë mundimin ta lexojnë ligjin që miratuam dhe të vënë në pah atë që bën dhe nuk bën ai ligj); “liri feje” do të thotë të jetosh publikisht besimin pa e kthyer në armë kundër tjetrit. (2) Shembuj, jo fantazma—flasim për raste reale në punësim dhe shërbime (p.sh. kritere pune që përjashtojnë në praktikë gratë, sportele që refuzojnë shërbimin), jo skenarë të importuar nga kush e di ku. (3) Ndarje rolesh—shteti nuk predikon, altari nuk administrohet si zyrë shteti: në hapësirën publike vlen barazia; në hapësirat e besimit fetar vlen autonomia doktrinore.

Ashtu si Jozefi, viktimë e vëllezerve të vetë, që nuk e romantizoi padrejtësinë, por e ktheu në të mirë, edhe ne mund të zgjedhim kthesën e arsyes: më pak parulla, më shumë proces; më pak panik, më shumë rregull. Formula është e qartë dhe e drejtë: të drejtat dhe ndërgjegja ecin dorë për dore. Kjo peshore mban bashkë shoqërinë, ul zhurmën dhe na kthen te thelbi: zgjidhje reale për njerëzit me halle të vërteta, jo sherr e Shamata për llogari politike.

/Marrë nga ATSH

UNDP miraton programin e ri për Shqipërinë: Fokus te punësimi, ekonomia dhe drejtësia

Bordi Ekzekutiv i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka miratuar Programin e ri për Shqipërinë 2027–2031, një…

Global 360

Vuçiç shpërndan parlamentin dhe shpall 25 tetorin ditë zgjedhjesh kombëtare

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka shpërndarë Asamblenë Kombëtare Serbe dhe ka shpallur zyrtarisht zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat do…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kazakistani votoi për Kurultain: një arkitekturë e re politike merr mandatin e saj të parë

Zgjedhjet e 23 gushtit për Kurultain përbëjnë një moment themelor në institucionalizimin e rendit të ri kushtetues të Kazakistanit.

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

UNDP miraton programin e ri për Shqipërinë: Fokus te punësimi, ekonomia dhe drejtësia

Bordi Ekzekutiv i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka miratuar Programin e ri për Shqipërinë 2027–2031, një…